Kanada

Java kanadeze - Lajme shkurt 13 Qershor

  • Published in Kanada

Gati lista me kandidatët për postin e Guvernatorit të Përgjithshëm të Kanadasë

Ndalohet hyrja në Rusi e 9 zyrtarëve të lartë kanadezë

204 zjarrëfikës nga British Columbia në ndihmë të Ontario dhe Québec

Nova Scotia, ndotje uji në Grand Lake të Halifax

Ontario, zhvillohet homazhi i fundit publik për 4 viktimat në London

Kanadaja do dhurojë 100 milionë doza vaksinash për vendet e varfëra

 

Gati lista me kandidatët për postin e Guvernatorit të Përgjithshëm të Kanadasë

Ministri për Çështjet Ndërqeveritare Dominic LeBlanc, ka deklaruar se është gati një listë e shkurtër me emrat e kandidatëve për postin e Guvernatorit të Përgjithshëm të Kanadasë dhe pas pak ditësh ajo do jetë në dispozicion të Kryeministrit Trudeau. Lista është përgatitur nga një komitet këshillues ku mes të tjerëve bëjnë pjesë shefi inuk Natan Obed, Rektori i Universitetit të Montréal-it Daniel Jutras dhe drejtuesja par Interim e Postes Canada, Souromitra Sanatani. Vendi i mëkëmbësit të Mbretëreshës eshtë vakant prej muajit Janar 2021, kohë kur ish-Guvernatorja Julie Payette dha dorëheqjen, pas publikimit të raportit që denonconte klimën e tensionuar të marrëdhënieve të punës mes saj dhe administratës. Nga ai moment, funksionin e Guvernatorit të Përgjithshëm vazhdon ta ushtrojë përkohësisht Kryetari i Gjykatës së Lartë të Kanadasë Richard Wagner.

 

Ndalohet hyrja në Rusi e 9 zyrtarëve të lartë kanadezë

David Lametti

Rusia i është kundërpërgjigjur masave që mori qeveria kanadeze më 24 Mars të këtij viti si shenjë proteste për trajtimin që po i bëhet nga regjimi i Presidentit Putin, liderit të opozitës Alexei Navalni. Në fillim të javës që sapo u mbyll, Moska njoftoi si kundërmasë ndalimin e hyrjes në Rusi për një periudhë të pacaktuar ndaj 9 zyrtarëve të lartë të Kanadasë. Në listë figurojnë ministri federal i Drejtësisë David Lametti, ministri i Çështjeve Ndërqeveritare Dominic LeBlanc, shefja e Administratës së Burgjeve kanadeze Anne Kelly, shefja e Policisë Mbretërore (RCMP) Brenda Lucki dhe zëvendësi i saj Brian Brennan, shefi i Shërbimit Sekret të Ushtrisë Scott Bishop, zëvendësministrja e parë e Mbrojtjes Jody Thomas, numri dy i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Mike Roleau si dhe këshilltarja e Kryeministrit Trudeau, Marci Surkes.

 

204 zjarrëfikës nga British Columbia në ndihmë të Ontario dhe Québec

Ministria e Pyjeve, Shfrytëzimit të Tokave dhe Burimeve Natyrore e provincës së Pacifikut, ka raportuar dje dërgimin e një kontigjenti prej 204 zjarrëfikësish për të ndihmuar Ontario-n dhe Québec-un të përballojnë situatat e zjarreve në sipërfaqet pyjore. Ndërhyrja e tyre do respektojë masat në fuqi kundër COVID-19 dhe ata do veprojnë të veçuar nga kolegët e dy provincave të tjera. Në rast se situata në British Columbia do bëhet problematike, grupi do jetë i detyruar të kthehet mbrapsht. Ky operacion ndihme zhvillohet në kuadrin e bashkëpunimit ndërprovincial. Gjatë muajit të kaluar e njejta ndihmë iu dha edhe provincës Manitoba.

 

Nova Scotia, ndotje uji në Grand Lake të Halifax

Autoritetet kompetente në Nova Scotia e kanë mbajtur në fuqi edhe në fundjavë njoftimin adresuar publikut lidhur me ndotjen e ujit të Grand Lake në rrethinat e Halifax, njoftim sipas të cilit ndalohet rreptësisht përdorimi i ujit, çdo lloj kontakti me ujin i njerëzve apo kafshëve, si dhe çdo lloj aktiviteti tjetër zbavitës deri në një urdhër të dytë. Alarmi u dha në fillim të javës pasi u gjet një kafshë pa jetë në ujërat e liqenit dhe pasi një person u transportua në spital. Dyshohet që ujërat të jenë kontaminuar. Banorët përreth, të cilëve gjithashtu u është ndaluar përdorimi i ujit të pijshëm do marrin një kompensim financiar nga instancat qeveritare. Rezultati i testeve të Ministrisë së Ambientit do të publikohet nesër ose maksimumi të martën.

 

Ontario, zhvillohet homazhi i fundit publik për 4 viktimat në London

Dje në mesditë u zhvillua në London funerali publik për 4 viktimat nga familja muslimane Afzaal që u goditën për vdekje nga kamionçina e drejtuar prej 20 vjeçarit Nathaniel Weltman, ndërkohë që ata shëtisnin mbi një trotuar. Policia dhe autoritetet politike e cilësuan aktin si një veprim të ndikuar nga urrejtja dhe racizmi, madje edhe si akt terrorist. Në ceremoninë që u zhvillua pranë Qendrës Islamike të London, mori pjesë dhe kryetari i Bashkisë Eric Holder. Kjo ngjarje e ka tronditur rëndë opinionin publik jo vetëm në Ontario por në mbarë Kanadanë dhe ka hapur sërish debatin mbi islamofobinë dhe racizmin duke vënë në pikëpyetje vlerat reale të multikulturalizmit kanadez, të propaganduara fort nga shteti dhe shoqëria kanadeze në përgjithësi.

 

Kanadaja do dhurojë 100 milionë doza vaksinash për vendet e varfëra

Në deklaratën e tij në mbyllje të Samitit G7 që u zhvillua në Londër, Kryeministri kanadez Justin Trudeau theksoi si prioritet të rëndësishëm solidaritetin vaksinal në shkallë ndërkombëtare. Me këtë rast, ai rikonfirmoi deklaratën e para pak ditëve që Kanadaja do t’u ofrojë falas vendeve të varfra 100 milionë doza të vaksinës anti-Covid. “Që kanadezët dhe Bota të ndihen të sigurt, i duhet dhënë fund një herë e mirë kësaj pandemie”, ka pohuar kreu i qeverisë kanadeze. Në total, grupi i 7 vendeve më të industrializuara të Botës (USA, Kanada, Anglia, Gjermania, Franca, Italia dhe Japonia) do të dhurojë mbi 1 miliard vaksina.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada dhe Luc Villeneuve