Kanada

Kanada - Qeveria federale emëron Komisionerin për gjuhët autoktone

  • Published in Kanada

Ronald E. Ignace, kreu i fisit autokton Secwepemc që jeton në British Columbia, do të jetë komisioneri i parë për gjuhët autoktone të Kanadasë. Emërimi i tij është bërë publik dje nga Ministri për Trashëgiminë Kanadeze Steven Guilbeault. Robert Watt, Georgina Liberty dhe Joan Greyeyes u emëruan njëkohësisht anëtarë të Bordit Drejtues të Zyrës së Komisionerit të Gjuhëve Autoktone. “Komisioneri dhe anëtarët e Bordit u zgjodhën pas një procesi të hapur, transparent dhe të bazuar në merita”, thuhet në deklaratën për mediat të Ministrisë për Trashëgiminë (Heritage Canada).

Sipas Radio-Canada, qeveria është kujdesur që në listën përfundimtare të përfshiheshin përfaqësues nga fiset autoktone Inuit dhe Metis. Burime zyrtare kanë konfirmuar gjithashtu që Zyra e Gjuhëve Autoktone do të funksionojë e pavarur nga qeveria federale dhe me aktivitetin e saj do mbështesë përpjekjet e fiseve autoktone për të rivitalizuar dhe promovuar përdorimin e gjuhëve të të parëve të tyre.

Steven Guilbeault

Ministri Steven Guilbeault e ka vlerësuar veçanërisht përzgjedhjen e Ronald E. Ignace në postin e komisionerit, ndërsa shefi i Asamblesë së Fiseve Autoktone, Perry Bellegarde, nga ana e tij është shprehur me fjalët: “Unë pres të shoh realisht të bëhen të gjitha përpjekjet për të zbatuar plotësisht Ligjin e Gjuhëve Autoktone. Endrra ime është të dëgjoj të moshuarit tanë duke pëshpëritur në veshët e të rinjve historitë e të parëve tanë në gjuhët tona”.

Ronald E. Ignace, Master në Sociologji i diplomuar pranë British Columbia University, mban gjithashtu prej vitit 2008 gradën PhD në Antropologji akorduar nga Simon Fraser University ku aktualisht ai është edhe profesor i asociuar.

Kujtojmë që vitin 2019, qeveria Trudeau pat miratuar një buxhet prej 337,7 milionë dollarësh, i parashikuar të shpenzohet në harkun kohor të 5 viteve, me qëllim vënien në zbatim të legjislacionit të ri për ruajtjen, promovimin dhe rivitalizimin e gjuhëve autoktone. Edhe emërimi i sapo bërë i Komisionerit Ignace bazohet pikërisht në Ligjin e Gjuhëve Autoktone.

©Flasshqip.ca