Kanada

Kanada - Mahmud Jamal, i pari gjyqtar jo i bardhë në Gjykatën e Lartë

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Ontario, Mahmud Jamal, është përzgjedhur dje nga Kryeministri Justin Trudeau për të plotësuar vendin vakant që krijohet në Gjykatën e Lartë kanadeze me daljen në pension në moshën 75 vjeçare të gjyqtares Rosalie Silberman Abella. Kësisoj, për herë të parë në përbërje të instancës më të lartë gjyqësore të Kanadasë përzgjidhet një përfaqësues i minoriteteve me ngjyrë, me origjinë afro-aziatike.

Jamal, 54 vjeç, zotërues edhe i frengjishtes, ka një biografi shkollimi dhe profesionale shumë mbresëlënëse, madje si avokat ka përfaqësuar mbi 35 dosje apelimi në Gjykatën e Lartë. Ai ka lindur në vitin 1967 në Nairobi të Kenias, në një familje me origjinë nga India, që më pas u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar. Në një pyetësor të paraqitur si pjesë e aplikimit të tij për në Gjykatën e Lartë, Mahmud Jamal ka deklaruar se ka marrë një edukim hibrid fetar dhe kulturor. “Unë u rrita në shkollë si i krishterë, duke recituar Lutjen e Zotit dhe duke përvetësuar vlerat e Kishës Anglikane, dhe në shtëpi si një musliman, duke mësuar përmendësh lutjet arabe nga Kurani dhe duke jetuar brenda komunitetit Ismaili”, janë fjalët e shkruara prej tij.

Gjykata e Lartë e Kanadasë

Në vitin 1981, familja e Mahmud Jamal u transferua në Kanada dhe u vendos fillimisht në Edmonton, ku ai mbaroi shkollën e mesme. Më përkrahjen e vazhdueshme të prindërve ai ishte i pari në familjen e tij që ndoqi studimet universitare. Pas një viti në London School of Economics ai diplomohet fillimisht në ekonomi pranë Universitetit të Torontos. Më pas studioi për drejtësi në Universitetin McGill në Montreal dhe gradën Master në Drejtësi e mori në Yale Law School të Shteteve të Bashkuara.

Pas një eksperience shumëvjeçare si avokat, Jamal u emërua në vitin 2019 gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Ontarios. Ai gjithashtu ka qenë profesor i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin McGill dhe i të Drejtës Administrative në Osgoode Hall Law School, Toronto. Pas disa ditësh, sipas procedurave të parashikuara në ligj, ai do të marrë pjesë në një seancë pyetjesh më përfaqësues të Dhomës së Komunave dhe Senatit.

©Flasshqip.ca