Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 27 Qershor

 

OKB: Përplasje Kinë-Kanada për të drejtat e njeriut

Trudeau parimisht në favor të një hetimi penal për varrezat anonime autoktone

Kupa Stanley në Hockey: Finale Canadiens Montréal - Lightning Tampa Bay

Shefat autoktonë kërkojnë doreheqjen e Ministres Carolyn Bennett

Kanadaja shton tre organizata dhe një individ në “Listën e zezë” të terrorizmit

 

OKB: Përplasje Kinë-Kanada për të drejtat e njeriut

Të Martën e kaluar, 22 Qershor, gjatë një seance diskutimi në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB në Gjenevë të Zvicrës, përfaqësuesit e Kinës dhe Kanadasë kanë replikuar me njeri-tjetrin në lidhje me temën e të drejtave të njeriut. Teksa përfaqësuesja kanadeze, e mbështetur nga rreth 40 shtete denoncoi Kinën për situatën në provincën autonome ujgure Xinjiang, nga ana e tij, si kundërpërgjigje përfaqësuesi i Pekinit ka kërkuar të hetohet mbi shkeljen e të drejtave të autoktonëve kanadezë. Sipas Leslie Norton, ambasadore e Kanada pranë OKB, që i referohej raporteve informative të besueshme, numri i personave që mbahen në kampe internimi (sipas autoriteteve kineze “qendra formimi professional” për të luftuar “ekstremizmin fetar”) e kalon shifrën një milion.

 

Trudeau parimisht në favor të një hetimi penal për varrezat anonime autoktone

Të Premten, 26 Qershor, gjatë një konferencë për shtyp, Kryeministri Trudeau komentoi dhe zbulimin e varrezës anonime me mbi 700 trupa fëmijësh në territorin e ish-shkollës rezidenciale në Marieval të Saskatchewan. Duke e cilësuar zbulimin si “të tmerrshëm” dhe “tronditës”, kreu i qeverisë kanadeze i është përgjigjur insistimit të gazetarëve duke pohuar se Ottawa do të jetë “e gatshme të marrë çdo lloj mase që i shërben zbardhjes së të vërtetës” e “që mund të sjellë pasoja edhe te individë”, duke mos përjashtuar kësisoj hapjen e një hetimi penal. Sipas Trudeau, “ka patur dhe akte kriminale që sot e meritojnë të ndëshkohen”.

 

Kupa Stanley në Hockey: Finale Canadiens Montréal - Lightning Tampa Bay

Në finalen e Kupës Stanley në Hockey, kundërshtari i Canadiens të Montréal do jetë ekipi mbajtës i titullit, Lightning i Tampa Bay. Ekipi nga Florida arriti në finale pasi eliminoi Islanders të New York. Për shkak të ndryshimit të rregullave që solli periudha e pandemisë dy ekipet nuk janë ndeshur qysh nga Marsi 2020. Fisha e tyre e rezultateve është krejt e ndryshme por kjo nuk do të thotë shumë, sepse morali i Canadiens dhe vetëbesimi është rritur në mënyre konstante duke arritur të realizonin dhe suprizën e daljes në finale pas 28 vitesh teksa eliminuan me rezultatin 3-2 Knights të Las Vegas, pas fitoreve në eliminatore me Toronton dhe Winnipeg. Në total, Canadiens e kanë fituar 24 herë kupën Stanley dhe fitorja e fundit përkon edhe me daljen e fundit në finale në vitin 1993.

 

Shefat autoktonë kërkojnë doreheqjen e Ministres Carolyn Bennett

Carolyn Bennet dhe Jody Wilson-Raybould

Asambletë e shefave të komuniteteve autoktone të Manitoba dhe British Columbia, kanë kërkuar sëbashku dorëheqjen e Ministres Federale për Marrëdhëniet me Autoktonët, Carolyn Bennett. Shkaku sipas tyre, është një mesazh-tekst “racist dhe degradues”, që kjo e fundit i ka dërguar ish-Ministres së Drejtësisë, deputetes (e deklaruar e pavarur pasi dha dorëheqje nga qeveria Trudeau si rezultat i presionit që i ishte bërë në dosjen SNC-Lavalin)) Jody Wilson-Raybould me origjinë nga British Columbia. Raybould e publikoi në Twitter mesazhin privat të marrë nga Bennett. Përmes mesazhit në fjalë, në një kontekst të mundshëm zgjedhjesh të parakohshme, Bennett i ka lenë të kuptohet Raybould që ajo po e shfrytëzon temën e çështjeve autoktone për interesa personale me qëllim që të përfitojë pension. Ndërkohë bëhet e ditur se Carolyn Bennet i ka kërkuara asaj falje, ndërsa Kryeministri Trudeau, edhe pse e ka konsideruar mesazhin si të papërshtatshëm dhe lendues, ka rikonfirmuar besimin e tij ndaj Carolyn Bennett. Jody Wilson-Raybould, me profesion avokate dhe pjestare e komunitetit autokton We We Kai, është e para autoktone në Kanada që ka ushtruar detyrën e Ministrit të Drejtësisë si anëtare e kabinetit Trudeau (2015-2019).

 

Kanadaja shton tre organizata dhe një individ në “Listën e zezë” të terrorizmit

Ministri i Rendit Publik Bill Blair

Ministri kanadez i Rendit Publik, Bill Blair, ka komunikuar të Premten 26 Qershor disa ndryshime në listën e Kanadasë për individët dhe organizatat e konsideruara si terroriste. Në listën e entiteteve dhe individëve teorristë janë shtuar dy grupe ekstremiste me karakter ideologjik, ndër të cilët edhe grupi “Three Percenters” (pjesëmarrës ndër të tjera edhe në sulmin mbi Kapitol në SHBA) që është prezent në Québec dhe në Perëndimin kanadez si dhe grupi “Aryan Strikeforce” (grup neonazist i themeluar në Britaninë Madhe) gjithashtu prezent në Kanada. Ndërkohë lista do të përfshije dhe organizatën “Shteti Islamik-Republika Demokratike e Kongos (e lidhur me Grupin e armatosur Shteti Islamik) si dhe ideologun neonazist amerikan James Mason. Aktualisht lista kanadeze e terrorizmit, me shtesat e fundit, përmban në total 75 organizata dhe 2 individë. Përveç James Mason, individi dytë i listës është Gulbuddin Hekmatyar, shefi i grupit radikal islamista afgan Hezb-e Islami Gulbuddin (HIG).

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada