Kanada

Dita e Kanadasë - Flamuj në gjysëm shtizë dhe thirrje për reflektim nga Kryeministri Trudeau

  • Published in Kanada

Teksa dje janë zbuluar 182 varre të tjerë anonimë fëmijësh autoktonë në British Columbia (ish-shkolla rezidenciale Saint Eugene), Kryeministri Justin Trudeau gjatë një komunikimi me mediat në Kanata të Ontarios, ka kujtuar sërish se është koha për reflektim dhe ka pranuar se jo të gjithë kanadezët do të kenë zemër të festojnë sot. Ndërkohë, flamuri në Kullën e Paqes të Parlamentit Kanadez do të vazhdojë të qëndrojë në gjysëm shtizë, sikurse edhe në të gjitha godinat shtetërore federale në rang vendi.

“Në prag të Ditës së Kanadasë”, deklaroi Trudeau, “zbulimet e tmerrshme të qindra varreve në territoret e ish-shkollave rezidenciale në British Columbia dhe Saskatchewan na nxisin të reflektojmë akoma më shumë mbi padrejtësitë me të cilat janë përballur apo përballen ende sot popujt autoktonë”.

Në të njëjtën kohë, ai ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Kanadasë, të përfitojnë nga 1 Korriku për të biseduar me të afërmit e tyre e për të menduar se si mund të bëhemi të gjithë aleatë akoma më të mirë të popujve autoktonë. “Ne duhet të përpiqemi të gjithë të kuptojmë dhimbjen dhe revoltën e tyre”, është shprehur Kryeministri, i cili qysh dje në mëngjes pat deklaruar që me kërkesën e tij, flamujt do vazhdojnë të qëndrojnë në gjysëm shtizë në shenjë respekti dhe homazhi për ato jetë të shuara kaq shpejt e në një kohë kur anembanë vendit po reflektohet mbi tragjedinë e ish-shkollave rezidenciale.

@Flasshqip.ca