Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 4 Korrik

  • Published in Kanada

*Në foton kryesore lart, Shefi i Asamblesë së Popujve Autoktonë Perry Bellegarde (majtas), Shefi Inuit Tapiriit Kanatami Natan Obed (në qendër) dhe Shefi i Federatës Métis të Manitoba David Chartrand, në një konferencë shtypi në Parlament në vitin 2016. (Foto: The Canadian Press/Fymi Adrian)

(Cape Breton Island - Nova Scotia)

Kanada - Në 2035 nuk do shiten më vetura me benzinë

Dhjetor 2021, takim i shefave autoktonë me Papa Françeskun në Vatikan

Montréali metropolitan, masa lehtësuese në transportin publik

Ushtria e gatshme në ndihmë të shuarjes së zjarreve në British Columbia

Halifax, një fokë gjendet duke shëtitur në park

 

Kanada - Në 2035 nuk do shiten më vetura me benzinë

Ministri i Transportit Omar Alghabra

Në kuadrin e programit të saj ambientalist, qeveria federale ka njoftuar të Martën 29 Qershor se ka vendosur të afrojë me 5 vjet ndalimin e shitjes nga konçensionarët të veturave me benzinë në Kanada. Ndryshe nga sa ishte parashikuar për në 2040, përfundimisht kjo masë do të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2035 dhe gjithashtu do shoqërohet me masa mbështetëse dhe nxitëse ndaj konsumatorëve për blerjen e automjeteve me energji elektrike ose me hidrogjen. Subvencionet do vazhdojnë deri në momentin kur çmimi i automjeteve karboneutrale do barazohet me atë të automjeteve me benzinë. Sipas Ministrit të Transportit Omar Alghabra, që nga Maji i vitit 2019, gati 600 milionë dollarë janë shpenzuar nga Ottawa për të inkurajuar kanadezët të blejnë automjete karboneutrale. Këto subvencione u kanë mundësuar gati 90,000 konsumatorëve të marrin ndihmë financiare direkte, ka pohuar ministri. Gjithsesi buxheti publik do të duhet të parashikojë një shumë astronomike për mbështetjen e këtij synimi të qeverisë. Sipas Statistics Canada, më shumë se 23 milionë automjete të lehta u regjistruan në vend në vitin 2019. Një shumë prej 5,000 dollarësh ofrohet nga qeveria federale për blerësit e një automjeti elektrik ose me hidrogjen. Kompanive që zgjedhin këto automjete u ofrohet deduktim nga taksat gjithashtu. Lehtësira fiskale do t’u ofrohen edhe prodhuesve të automjeteve.

 

Dhjetor 2021, takim i shefave autoktonë me Papa Françeskun në Vatikan

Papa Françesku

Përmes një komunikate të bërë publike të Martën 29 Qershor, Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Kanadasë ka bërë të ditur se në datat 17 dhe 20 Dhjetor të këtij viti do të zhvillohen tre takime zyrtare mes Papa Françeskut dhe shefave autoktonë kanadezë. Subjekti i takimeve do jetë roli që ka luajtur Kisha Katolike në administrimin e shkollave rezidenciale autoktone. Papa do të takojë në fillim Metisët e më pas Inuitët, ndërsa takimi i tretë zyrtar do jetë i përbashkët. Është e sigurt që përfaqësuesit autoktonë do të kërkojnë që Vatikani të paraqesë falje zyrtare, por mbi të gjitha, shefat indigjenë synojnë t'i kërkojnë Papës që të urdhërojë Kishën të dorëzojë të gjithë dokumentet në lidhje me shkollat rezidenciale si dhe çdo objekt indigjen të marrë në Kanada, që Vatikani mund ta ketë në inventarin e vet. Udhëtimi ishte planifikuar para pandemisë, por për shkak të saj u shty për më vonë.

 

Montréali metropolitan, masa lehtësuese në transportin publik

Në kuadër të rishikimit të tarifave të transportit publik, Autoriteti Metropolitan i Transportit në Montréal ka ofruar prej ditës së Enjte 1 Korrik, transportin falas për fëmijët 11 vjeç e poshtë, nëse janë të shoqëruar nga një person mbi 14 vjeç. Udhëtimi falas do jetë i vlefshëm për të tre mjetet e transportit publik, autobusin, metronë dhe trenat e periferisë. Nga rishikimi i tarifave do përfitojnë dhe studentët 18 vjeç e lart që do paguajnë vetëm 40% të çmimit aktual të abonesë mujore. Po kështu, nga fillimi i vitit 2022, për të udhëtuar në Montréal, Laval dhe Longueuil, përdoruesit e transportit publik ndryshe nga tani, do kenë mundësinë të përdorin vetëm një lloj bilete për të udhëtuar.

 

Ushtria e gatshme në ndihmë të shuarjes së zjarreve në British Columbia

Rreth 350 forca ushtarake janë vendosur në Edmonton, të gatshme për të shkuar në ndihmë të provincës British Columbia që po përballet sërish me një valë të madhe zjarrësh në pjesën qëndrore të saj. Bashkë me trupat, në dispozicion është edhe një avion-kargo Herkules dhe tre helikopterë që mund të përdoren për transportin e ushtarakëve, zjarrfikësve, për furnizim apo për evakuimin e banorëve të zonave të prekura nga zjarret. Sipas Ministrit të Mbrojtjes Harjit Sajjan, ky grup ushtarakësh nuk do marrë pjesë për momentin në operacionet e shuarjes së zjarreve por do të qëndrojë në dispozicion për t’iu përgjigjur kërkesave të qeverisë provinciale. Ndërkohë, qeveria federale ka ofruar gjithashtu një ndihmë të menjëhershme prej 500 dollarësh në javë për të dëmtuarit.

 

Halifax, një fokë gjendet duke shëtitur në park

Një fokë është parë dje duke shëtitur në parkun Shubie në Dartmouth të Halifax. Menjëherë sapo është konstatuar fakti, janë lajmëruar zjarrfikësit dhe policët, të cilët kanë rrethuar vendin për ta mbajtur atë në distance nga kalimtarët dhe qentë që shetisnin atypari në shoqëri të kalimtarëve. U thirr gjithashtu një veteriner i cili injektoi një qetësues përpara se foka të transportohej sërish drejt brigjeve të Atlantikut. Askush nuk ishte në gjendje të shpjegonte se si gjitari ka mundur të përshkojë kilometrat që ndanin parkun nga bregu i oqeanit.

@Flasshqip.ca

Fotot: Radio Canada/The Canadian Press