Kanada

Kanada - Për herë të parë një grua në krye të Asamblesë së Popujve Autoktonë

  • Published in Kanada

Në përfundim të 5 raundeve votimi, RoseAnne Archibald, është zgjedhur dje më 8 Korrik, kryetare e Asamblesë së Popujve Autoktonë të Kanadasë. Archibald, pjestare e fisit Taykwa Tagamour në Ontario, është e para grua në gjithë historinë e Kanadasë që arrin të zgjidhet në këtë funksion shumë të rëndësishëm politik. Ajo ka një eksperiencë politike mbi 30 vjeçare dhe ka mbajtur poste drejtuese në asambletë autoktone të disa niveleve, përfshi dhe atë të kryetares së Asamblesë të Popujve Autoktonë të Ontarios gjatë tre viteve të fundit. Njëkohësisht është e para nga komuniteti i saj e diplomuar në nivel Master në shkenca humanitare.

Në garë fillimisht ishin 7 kandidatë. Për t'u zgjedhur kryetares së re i duheshin 244 vota, por pasi ajo mori 209 vota në raundin e 5-të, i dyti në garë pas saj, Reginald Bellerose nga Saskatchewan me 129 vota, e njohu atë përfundimisht si fituese. Kësisoj prej sot, RoseAnne Archibald do jetë interlokutorja kryesore politike e autoktonëve përballë Kryeministrit Trudeau dhe Ministrit të Shërbimeve Autoktone Marc Miller.

Në fjalimin e saj pas fitores ajo ka ftuar të gjithe konkurentët e tjerë për bashkëpunim, duke theksuar njëkohësisht dhe karakterin historik të zgjedhjes së saj si e para grua në krye të Asamblesë së Popujve Autoktonë të Kanadasë. Sigurisht një nga dosjet e para më të rëndësishme për Zonjën Archibald do jetë ajo e ish-shkollave rezidenciale autoktone. Lidhur me këtë temë delikate ajo ka pohuar gjatë fjalës së saj që “më e rëndësishmja që të gjithë duhet të kuptojnë, është se kolonët përfituan nga ky sistem i praktikave koloniale dhe se ne, popujt indigjenë, ishim viktima të gjenocidit”.

Paraardhësi i RoseAnne Archibald dhe i 11-ti në këtë post që nga krijimi Asamblesë së Popujve Autoktonë ishte Perry Bellegarde, i cili pat vendosur të mos rikandidonte sërish. Gjatë mandatit të këtij të fundit, arritjet më të rëndësishme vlerësohen sidomos miratimi i Ligjit për Gjuhët Autoktone në vitin 2019. Po kështu, gjatë këtij viti u miratuan edhe Ligji mbi ratifikimin e Deklaratës së OKB për Popujt Autoktonë si dhe Ligji për caktimin e Ditës Zyrtare Federale të Pajtimit.

Asambleja e Popujve Autoktonë të Kanadasë, përfaqëson më shumë se 900,000 qytetarë kanadezë, pjestarë të 634 komunitete të ndryshme autoktone. Këta të fundit përfaqësohen në këtë forum politik nga shefat e tyre. Asambleja siguron përfaqësimin e komuniteteve autoktone përballë instancave shtetërore dhe synon të mbrojë të drejtat e tyre bazuar në traktatet e nënshkruara me qeverinë e Kanadasë. Veprimtaria dhe funksionimi i Asamblesë rregullohen nga Karta e Asamblesë së Popujve Autoktonë e hartuar më 1985. Kujtojmë që zgjedhja historike e Zonjës Archibald pason gjithashtu një tjetër emërim historik për Kanadanë që ndodhi para dy ditësh, kur Kryeministri Justin Trudeau njoftoi caktimin e autoktones Mary Simon në postin e Guvernatores së Përgjithshme të Kanadasë. 

https://www.afn.ca/Home/

©Flasshqip.ca