Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 11 Korrik 2021

(Western Brook Pond, Gros Morne National Park - Newfounland & Labrador)

 

British Columbia-Objekte nga Muzeu Mbretëror u kthehen autoktonëve

Saskatchewan-Marrëveshje historike me komunitetin autokton Cowessess

Fillon projekti i linjës hekurudhore me shpejtësi dhe frekuencë të lartë Québec-Toronto

Québec-Nesër distancimi fizik prej pandemisë kalon nga dy në një metër

Newfoundland-Kujdes dhe shpresë për specien në zhdukje të kuajve të vegjël

 

British Columbia-Objekte nga Muzeu Mbretëror u kthehen autoktonëve

Komuniteti autokton Huu-ay-aht në British Columbia, sapo ka nisur procedurat për rimarrjen në zotërim të disa objekteve (artefakteve) kulturore të cilat prej vitesh janë të ekspozuar në Muzeun Mbretëror të provincës. Në kuadrin e një programi të financuar nga qeveria e British Columbia dhe Shoqata Provinciale e Muzeumeve, komuniteti Huu-ay-aht mori në muajin Maj 2021 një subvencion prej 35,000 dollarësh me qëllim rikuperimin e objekteve që dikur kanë qenë pronë e tij dhe aktualisht gjenden të ekspozuar në vende të ndryshme. Ndërkohë, ky komunitet është në fazën fillestare të ndërtimit të një qendre kulturore, ku këto objekte, sëbashku me të tjerë, do të ekspozohen si dëshmi e trashëgimisë kulturore auotoktone.

 

Saskatchewan-Marrëveshje historike me komunitetin autokton Cowessess

Justin Trudeau dhe Cadmus Delorme

Kryeministri Justin Trudeau dhe ai i provincës Saskatchewan Scott Moe, kanë nënshkruar gjatë javës që sapo u mbyll një marreveshje historike në fushën e mbrojtjes së femijëve me komunitetit autokton Cowessess të drejtuar nga Cadmus Delorme. Kjo marrëveshje synon të vendosë nën përgjegjësinë e komunitetit, fëmijët dhe familjet në nevojë, bazuar në Ligjin Miyo Pimatisowin. Ky ligj, i pari i këtij lloji në vend, u miratua nga Komuniteti Cowessess dhe hyri në fuqi në Prill 2021, duke siguruar kësisoj një kornizë ligjore për mbrojtjen e fëmijëve në territorin e tij. Kjo u bë e mundur pas miratimin të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve të komuniteteve autoktone Inuit dhe Métis (C-92) që u riktheu Autoktonëve disa kompetencë të caktuara në menaxhimin e shërbimeve për fëmijët dhe familjet. Në bazë të marrëveshjes tripalëshe të nënshkruar më 6 Korrik 2021, qeveria federale angazhohet të investojë 38.7 milionë dollarë për të bërë funskional sistemin e shërbimeve të fëmijëve dhe familjeve në komunitetit autokton Cowessess.

 

Fillon projekti i linjës hekurudhore me shpejtësi dhe frekuencë të lartë Québec-Toronto

Përmes ndërtimit të një linje hekurudhore krejt të re, qeveria Trudeau premtoi të Martën e kaluar, 6 Korrik 2021, një tren me shpejtësi (deri në 200 km në orë) dhe frekuencë më të lartë që do lidhë qytetet Québec, Montréal dhe Toronto. Projekti parashikohet të përfundojë derin në vitin 2030. Ministri Federal i Transporteve Omar Alghabra, njoftoi nisjen e konsultimeve dhe procesit për kërkimin e ofertave. Si fillim në dispozicion janë vënë 500 milionë dollarë nga buxheti federal. Qeveria federale gjithashtu do të fillojë konsultimet këtë verë me 36 komunitete autoktone, territori i të cilave do të përshkohet nga linja hekurudhore e planifikuar e projektit. Një vlerësim mjedisor do të kryhet gjithashtu. Qeveria do konsultohet edhe me sektorin privat si dhe me kompanitë hekurudhore që zotërojnë binarët në stacionet e qendrave të qyteteve që do të shërbehen nga treni me frekuencë të lartë.

 

Québec-Nesër distancimi fizik prej pandemisë kalon nga dy në një metër

Në Québec, nga nesër 12 Korrik 2021, distanca fizike e detyrueshme për shkak të pandemisë midis dy personave jo nga e njejta familje, zvogëlohet nga dy në një metër, madje edhe në ambientet e mbyllura. Sidoqoftë, kjo masë nuk vlen për vendet ku njerëzit merren me aktivitet fizik ose artistik. Po kështu, nuk do të do të aplikohet më numri i kufizuar i klientëve për dyqanet, ndërsa platformat sportive me vende në tribuna do kenë lejen të akomodojnë 50 spektatorë brenda ose 100 spektatorë jashtë. Në sallat e kinemave apo aktiviteteve të tjera, spektatorët duhet të mbajnë vetëm një vend të zbrazët midis tyre. Sipas ministrisë provinciale të Shëndetësisë, kjo zbutje e masave u bë e mundur për shkak të situatës së favorshme epidemiologjike dhe numrit gjithnjë në rritje të të vaksinuarve. Aktualisht në Québec mbi 81% e kategorive që parashikohet të vaksinohen e kanë marrë nga një dozë, ndërsa 44% e kanë marrë edhe dozën e dytë. Ndërkohë, mbajtja e maskës mbetet e detyrueshme në vendet publike.

 

Newfoundland-Kujdes dhe shpresë për specien në zhdukje të kuajve të vegjël

Poney Opal

Lindur në fund të Qershorit, në Parson's Pond, gadishulli verior i Newfoundland, këlyshi Opal është një simbol i shpresës për racën e tij të rrezikuar. Kali i vogël (poney) i Newfoundland është i mbrojtur nga një ligj veçantë në provincën Newfoundland dhe Labrador, Heritage Animals Act. Sidoqoftë, kjo racë mbetet e rrezikuar të zhduket. Gjysmë shekulli më parë, rreth 12,000 poney lëronin fushat dhe tërhiqnin rrjetat e peshkimit, por progresi teknologjik e ndryshoi këtë realitet me kalimin e kohës. Administratorja e regjistrit të Shoqatës Poney të Newfoundland Kelly Power-Kean, i ka pohuar Radio-Canada që sot në Botë nuk kanë mbetur më shumë se 400 deri në 500 kuaj nga kjo racë. Sipas saj, lindja e çdo këlyshi ka rëndësi për jetëgjatësinë e species. Pasi Opal të rritet pak, një mostër flokësh do të dërgohet për testimin e ADN-së, për të konfirmuar që Opal është vërtet një poney me origjinë nga Newfoundland dhe Labrador.

St. John's - Kryeqendra e Newfounland & Labrador

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio Canada, Newfoundland & Labrador Tourism Page Facebook