Kanada

Kanada - Ottawa dhe Québec investojnë 693 milionë dollarë për industrinë ajrore

  • Published in Kanada

Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau dhe ai i Québec François Legault, deklaruan dje (15 Korrik 2021) vendimin e përbashkët për të investuar 693 milionë dollarë në mbështetje të projekteve novatore të industrisë ajrore kanadeze, veçanërisht për ato projekte që synojnë përdorimin e energjisë elektrike në transportin ajror.

Njoftimi u bë publik gjatë një konference për shtyp të organizuar në Pallatin e Kongreseve të Montréal-it, ku Trudeau dhe Legault shoqëroheshin nga disa ministra si dhe nga presidentët e kompanive Bell Textron Canada, CAE Électronique dhe Pratt & Whitney Canada. Duke llogaritur edhe pjesën e investimeve private, shuma e investuar në favor të industrisë ajrore (që u trondit ndjeshëm gjatë 16 muajve të krizës së shkaktuar nga COVID-19) do të kapë shifrën totale 2 miliardë dollarë. Nga kjo shumë, 1.6 miliard dollarë do investohen në rajonin e Montréal, që konsiderohet si një ndër polet kryesore të aeronautikës në botë.

Motori hibri i konceptuar nga Pratt & Whitney Canada

Ky investim i konsiderueshëm do mundësojë krijimin e 1000 vendeve të reja të punës në sektorin aeronautik si dhe ofrimin e stazheve të perfeksionimit për 6200 studentë të fushave që lidhen direkt me këtë industri. Pjesa e financimit nga qeveria federale do jetë 440 milionë dollarë, ndërsa ajo nga qeveria e Québec 253 milionë. Financimi do mbështesë projekte inovative tashmë të nisura nga Bell Textron Canada, CAE Électronique dhe Pratt & Whitney Canada.

Objektivi me orientim ambientalist i ndjekur sot nga Ottawa dhe Québec, synon të hedhë bazat e një industrie ajrore të përqëndruar në projektimin dhe prodhimin e avionëve, helikopterëve dhe teknologjive aeronautike hibride ose plotësisht të bazuara në përdorimin e energjisë elektrike. Kësisoj, Pratt & Whitney në bashkëpunim me De Havilland Aircraft parashikon që brenda 4 viteve të konceptojë dhe prodhojë avionin e parë me propulsion hibrid elektrik. Ky lloj avioni do ketë një motor tashmë të projektuar, që parashikohet të shpenzojë mesatarisht 30% më pak karburant.

Po kështu, prodhuesi i helikopterëve Bell Textron, i vendosur prej shumë vitesh në Mirabel pranë Montréal, do përfitojë 200 milionë dollarë nga qeveria federale dhe një kredi prej 75 milionë dollarë nga ajo e Quebéc, për të prodhuar dhe tregëtuar helikopterë më pak ndotës në kuadrin e një projekti të emërtuar Viridis.

©Flasshqip

Foto: Radio-Canada/Ivanoh Demers; La Presse Canadienne/Graham Hughes