Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 18 Korrik 2021

  • Published in Kanada

  

Québec City

Ish-Shefi i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë kanadeze nën akuzë

Yukon-British Columbia, marshim 2000 km në kujtim të fëmijëve të zhdukur

Një albertan po pedalon 3800 km për të vizituar 164 parqe

Refuzimet ndaj kërkesave për emigracion humanitar në rritje

17 Gusht 2021, zgjedhje parlamentare në Nova Scotia

Ottawa premton ndihmë ndaj ish-bashkëpunëtorëve afganë në rrezik

 

Ish-Shefi i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë kanadeze J. Vance nën akuzë

Gjenerali Jonathan Vance

Shërbimi Kombëtar i Hetimit të Forcave Ushtarake Kanadeze ka zyrtarizuar të Enjten, 15 Korrik 2021, akuzën për pengimin e drejtësisë ndaj gjeneralit në pension Jonathan Vance, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm. Shkelja e pretenduar dyshohet se lindi gjatë hetimit të filluar Shkurtin e kaluar, kur Vance ishte subjekt akuzash për sjellje të pahijshme gjatë ushtrimit të detyrës, ndaj personave të seksit femër në varësi direkte të tij. Ish-shefi i shtabit i pat mohuar këto akuza. Ndërkohë, Shërbimi Hetimor i Ushtrisë ka deklaruar që nuk do të japë më shumë informacion për shkeljen për të cilën akuzohet Jonathan Vance, që i referohet Nenit 139 të Kodit Penal. Shërbimi i lartpërmendur është një njësi e specializuar e Policisë Ushtarake të Forcave Ushtarake Kanadeze. Mandati i saj kryesor është të hetojë raste të një natyre serioze e me ndjeshmëri të lartë. Nga informacione të Radio-Canada mësohet gjithashtu se gjenerali Vance do paraqitet në gjykatën provinciale në 17 Shtator. Akuza e re ndaj tij arrin në një sfond krize për Forcat e Armatosura Kanadeze, kur një numër i drejtuesve të saj të lartë janë objekt akuzash për sjellje të pahijshme.

 

Yukon-British Columbia, marshim 2000 km në kujtim të fëmijëve të zhdukur

Jacqueline Shorty dhe James Henyu

Warriors Walk for Healing Nations, kështu quhet marshimi prej 2000 km nga Yukon në British Columbia, i ideuar dhe realizuar nga Jacqueline Shorty et James Henyu, në kujtim të fëmijëvë autoktonë të zhdukur në ish-shkollat rezidenciale. Grupi që tashmë është rritur gjatë rrugës duke arritur në 14 vetë, është nisur nga Whitehorse (kryeqendra e Yukon) më 27 Qershor dhe shpreson të arrijë në Kamloops (aty ku u zbuluan për herë të parë varret pa emër) në datën 10 Gusht. Gjatë rrugës, pjesëmarrësit në marshim ndalen sidomos në qendra komunitetesh autoktone ku organizojnë edhe seanca lutjesh. “Vendosa ta bëj këtë marshim edhe në respekt të nënës time, e cila kur ishte nxënëse në një shkollë rezidenciale, i duhej të ecte më shumë se 150 km nëse donte të takonte prindërit”, i ka deklaruar CBC Jacqueline Shorty.

 

Një albertan po pedalon 3800 km për të vizituar 164 parqe

 

Sean Nichols

Një banor i Calgary-t në Alberta në emër të një pasioni, ka vendosur të pedalojë mbi biçikletë rreth 3800 km për të vizituar 164 parqe. Iniciativa e pazakontë e Sean Nichols ka për qëllim sensibilizimin dhe nxitjen e banorëve të provincës për të vizituar këto parqe që rrezikonin të humbisnin statusin e infrastrukturës provinciale. Nëse qeveria e Alberta-s nuk do kish hequr dorë si rezultat i presionit qytetar, nga plani “për optimizimin e parqeve”, i gjithi ky territor do kthehej në territor të Kurorës Mbretërore, jo i mbrojtur dhe sipas rastit objekt për shitje. Nichols e ka nisur udhëtimin e tij më 5 Korrik nga Highwood River në Jug-Lindje të Calgary dhe synon ta përfundojë atë rreth fundit të këtij muaji në parkun Strathcona Science pranë Edmonton. Gjatë udhëtimit, ai publikon vazhdimisht foto me komente në Instagram dhe në websit-in www.strava.com. https://www.instagram.com/seanni.on.the.road

 

Refuzimet ndaj kërkesave për emigracion humanitar në rritje

Sipas të dhënave të organizatës së quajtur Rrjeti për të drejtat e personave migrantë, që u referohen informacioneve të ministrisë që mbulon imigracionin, gjatë situatës së pandemisë në Kanada është ulur ndjeshëm pranimi i kërkesave për statusin e rezidentit permanent për arsye humanitare. Kësisoj, rezulton që shkalla e refuzimit nga 35% që ka qenë në vitin 2019, ka arritur në gati 70% në tremujorin e parë të vitit 2021. Organizata në fjalë e ka konsideruar këtë si një ndryshim “arbitrar” politikash, duke i kërkuar njëherazi autoriteteve federale t’u japin veçanërisht zgjidhje situatave të migrantëve pa status, që aktualisht ndodhen në territorin kanadez. Gjatë vitit 2020, vetëm 184,000 persona mundën ta marrin statusin e rezidentit permanent, gjë që konsiderohet si rënie historike në shifra. Për vitin 2021, objektivi qeveritar është 401,000 dhe ndërsa për punëtorët me status të përkohshëm e studentët e huaj janë parashikuar disa programe lehtësuese, për personat pa dokumenta shanset për marrjen e statusit të rezidentit permanent sa vijnë e vështirësohen.

 

17 Gusht 2021, zgjedhje parlamentare në Nova Scotia

Iain Rankin, kryeministri i Nova Scotia

Me kërkesën e kryeministrit provincial Iain Rankin, Lejtënant-Guvernatori i Nova Scotia Arthur LeBlanc, ka shpërndarë dje, 17 Korrik 2021, Asamblenë Legjislative. Kësisoj, fiks pas një muaji, më 17 Gusht, qytetarët me të drejtë vote të provincës së Atlantikut do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 51 deputetë, e për të përcaktuar cila forcë politike do ketë shumicën për të qeverisur për katër vitet e ardhshme. Sipas kryeministrit liberal Rankin, këto zgjedhje janë të domosdoshme për të berë të mundur ringritjen ekonomike të provincës pas goditjes që mori nga pandemia. Për Liberalët e Nova Scotia, kjo sprovë është tentativa për një mandat të tretë radhazi. Rankin, 38 vjeç dhe deputet i Halifax, e mori drejtimin e qeverisë në Shkurt të këtij viti, pas dorëheqjes së kryeministrit Stephen McNeil. Dorëheqja e këtij të fundit si deputet dhe e një deputeteje tjetër, bëri që Liberalët të humbasin shumicën parlamentare. Sipas analistëve, fitorja e Liberalëve duket e vështirë, jo vetëm për faktin se qysh nga viti 1980 asnjë parti nuk ka marrë 3 mandate radhazi, por edhe sepse dy mandatet e McNeil janë karakterizuar nga një konflikt i vazhdueshëm mes qeverisë dhe sindikatave, veçanërisht atyre të sektorit publik.

 

Ottawa premton ndihmë ndaj ish-bashkëpunëtorëve afganë në rrezik

Ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten për të evakuuar afganët që kanë bashkëpunuar me forcat amerikane në fund të këtij muaji, Ottawa ka deklaruar se po punon për një plan për evakuimin e atyre që kanë bashkëpunuar me ushtrinë kanadeze dhe që mund të rrezikohen nga hakmarrja e Talebanëve pas tërheqjes përfundimtare të ushtrisë amerikane nga Afganistani. Ka qenë Ministri Federal i Imigracionit Marco Mendicino, i cili njoftoi të Premten, 16 Korrik 2021, se qeveria po përgatit një plan për të reaguar ndaj kësaj situate. Duke u shprehur i vetëdijshëm për urgjencën, Ministri Mendicino nuk dha informacion të detajuar mbi masat që Kanadaja synon të marrë për të garantuar sigurinë e ish-përkthyesve dhe ish-këshilltarëve kulturorë që kontribuan në misionin kanadez në Afganistan nga viti 2001 deri më 2014. Presioni në raport me këtë çeshtje delikate ndaj qeverisë Trudeau ka ardhur në rritje ditët e fundit, sidomos nga veteranët kanadezë që kanë shërbyer në Afganistan, të cilët kanë dhënë alarmin në lidhje me fatin e rrezikuar të ish-bashkëpunëtorëve të tyre, nëse Talebanët rrëzojnë qeverinë pro-perëndimore të vendosur në Kabul.

©Flasshqip

Me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada