Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 25 Korrik 2021

  • Published in Kanada

Grosse Island Quebec

British Columbia: Pritet rritje e qirave të banesave në Metropolitan Vancouver

Alberta: Negociata me Ottawa për financimin e kopshteve dhe çerdheve

Saskatchewan: Zhvillohet në Saskatoon festivali Foodtruck War

Manitoba: Fermerët ankohen për ndihmë të pamjaftueshme nga Ottawa

New Brunswick: Deri tani 1 milion doza anti-COVID të administruara

Nova Scotia: Masa parandaluese për mbidozat nga Shëndeti Publik

Prince Edward Island:  Shkurtim flokësh falas për personat në nevojë

Newfoundland-Labrador: Operacion për nxjerrje municionesh nga anije të mbytura gjatë LDB

Ontario: Sektori i turizmit në Toronto po rinis të gjallërohet

Québec: Skulpturë që përjetëson një ari mbi një trung 200 vjeçar në Dorval

 

British Columbia: Pritet rritje e qirave të banesave në Metropolitan Vancouver

Sipas analistëve të Entit Kanadez të Hipotekave dhe Banesave, hapja e kufijve dhe lehtësimi i masave kufizuese të përiudhës së pandemisë, pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e qirave të apartamenteve të banimit në zonën e Metropolitan Vancouver. Kjo jo vetëm për shkak të ardhjes së shpejti të një kontigjenti të konsiderueshëm studentësh të huaj, por edhe për shkak të emigrantëve që përfitojnë nga kuotat e emigracionit. Edhe pse çmimi mesatar i qirave mbetet ende më i ulët se në periudhën para pandemisë, aty këty po shihen tendencat në rritje dhe kjo konfirmohet edhe nga kompani që administrojnë godina banimi. Bazuar në shifrat e kohëve të fundit, numri i apartamenteve bosh në Vancouver pat arritur shifrën 2,6%, më e larta qysh nga viti 1999. Gjithsesi, sipas ekspertëve, rritja e paralajmëruar e qirave në periudhën post-pandemi do jetë graduale dhe do shtrihet në një periudhë disa vjeçare.

 

Alberta: Negociata me Ottawa për financimin e kopshteve dhe çerdheve

Qeveria provinciale e Alberta-s, ka nisur negociatat me Ottawa, lidhur me një marrëveshje bazuar në programin federal të shpallur në Prill 2021 (buxhet 30 miliardë dollarë i shtrirë në 5 vite) sipas të cilit, qeveria Trudeau, ofron një sistem me kosto të përballueshme kopshtesh dhe çerdhesh për fëmijët, me pagesë 10 dollarë në ditë. Nga ky program tashmë përfitojnë British Columbia, Youkon dhe Nova Scotia, që e kanë nënshkruar një marrëveshje të tillë. Ministrja albertane e Shërbimeve ndaj Fëmijëve, Rebecca Schulz, ka bërë të ditur të Premten (23 Korrik) që tashmë mbi tryezën e saj të punës ndodhet dhe lista e kushteve dhe kërkesave të qeverisë federale për të përfituar nga ky program, kushte mbi bazën e të cilave po zhvillohen dhe diskutimet. Megjithatë, burime nga Ministria e Financave të provincës kane pohuar që kërkesat e qeverisë federale nuk janë shumë fleksibël, çka mund të sjellë dhe dështimin e negociatave. Deri në një vendim përfundimtar, Alberta ka zgjatur edhe për një vit marrëveshjen ekzistuese me Ottawa. Sipas opozitës albertane (NDP), barrierat ideologjike mund ta pengojnë arritjen e marrëveshjes së re, e cila nëse arrihet, mund t’i kursejë çdo familjeje 800 dollarë për një fëmijë në muaj.

 

Saskatchewan: Zhvillohet në Saskatoon festivali Foodtruck War

Në datat 22-24 Korrik, është zhvilluar me sukses në Saskatoon, edicioni i 7-të i festivalit të kamionëve-restorante Foodtruck War, ose përndryshe i guzhinës së rrugës. Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, suksesi ka qenë i plotë dhe prezenca e qytetarëve i ka tejkaluar parashikimet. Të gjithë tregëtarët kanë thyer rekorde shitjeje sivjet. Për shkak të kufizimeve të pandemisë, ky festival nuk u zhvillua dot vitin e kaluar.

 

Manitoba: Fermerët ankohen për ndihmë të pamjaftueshme nga Ottawa

Të Enjten e kaluar, 22 Korrik, nga Winnipeg, Marie-Claude Bibeau, ministre federale e Bujqësisë, ka njoftuar disa masa të veçanta në ndihmë të fermerëve, aktiviteti i të cilëve është vështirësuar nga kushtet e thatësirës gjë që ndikon direkt në koston e prodhimeve të tyre. Megjithatë, nga fermerë që merren me rritjen e gjedhit për konsum mishi, ndihma është konsideruar e pamjaftueshme, pasi sipas tyre, situata e thatësirës është katastrofike dhe ata konstatojnë që më shumë se një ndihme e posaçme në kushte situate të jashtëzakonshme, njoftimi i ministres Bibeau ka qenë thjesht një axhustim i programeve ekzistuese (tax credits), të cilat nuk parashikojnë dot të gjitha situatat konkrete, si p.sh. blerja e ushqimit për gjedhin, të cilin një pjesë e fermerëve janë të detyruar ta blejnë jashtë Saskatchewan, që gjithashtu është prekur nga thatësira. Kësisoj, për momentin, një pjese të fermerëve nuk u mbetet veçse të luten që të bjerë shi një orë e më parë.

 

New Brunswick: Deri tani 1 milion doza anti-COVID të administruara

Ashtu si në gjithë Kanadanë edhe në provincat e Atlantikut po vazhdon vaksinimi masiv i popullatës kundër virusit COVID-19. Me një ritëm rreth 4600 doza në ditë, provinca e New Brunswick e ka tejkaluar tashmë numrin e 1 milion dozave të administruara dhe 63.2% e banorëve mbi 12 vjeç janë komplet të vaksinuar. Ndërkohe, të Shtunën 24 Korrik nuk u njoftua asnjë rast me COVID nga autoritetet e Shëndetit Publik. Në provincë vazhdojnë të jenë të hapura qendrat e depistimit ku mund të shkohet për t’u testuar pa pasur nevojë të rezervohet takim paraprakisht. Katër qendrave aktuale do t’u shtohen së shpejti dhe katër të tjera.

 

Nova Scotia: Masa parandaluese për mbidozat nga Shëndeti Publik

Ministria e Shëndetit Publik të Nova Scotia, ka njoftuat vënien në dispozicion të fondit prej gjysëm milioni dollarë për ngritjen e dy qendrave të reja për parandalimin e mbidozave dhe për këtë qëllim ka kërkuar dhe propozime konkrete nga specialistët. Dy qendrat parashikohet të ngrihen në bashkitë Halifax dhe Cap-Breton. Teknikisht këto instalacione konsiderohen si qendra reduktimi të dozave, ku persona përdorues droge, mund t’i konsumojnë ato me personel mbikqyrës dhe me materiale të sterilizuara. Deri tani ekziston vetëm një qendër e tillë në Halifax. Sipas statistikave, gjatë vitit 2020 ndodhën 95 vdekje të shkaktuara nga mbidoza në provincë, ndërsa për këtë vit deri tani numërohen 44 raste. Mathew Bonn, koordinator në Darmouth i Shoqatës Kanadeze të Konsumatorëve të Drogave i ka deklaruar Radio-Canada që 500,000 dollarët e deklaruar nga qeveria janë të pamjaftueshëm për financimin e dy qendrave që autoritetet e Shëndetit Publike kanë vendosur të hapin, çka nuk përputhet dhe me nevojat e komunitetit.

 

Prince Edward Island:  Shkurtim flokësh falas për personat në nevojë

Qendra Komunitare Outreach në Charlottetown, ka ndërmarrë ditët e fundit një iniciativë të veçantë, falë edhe kontributit të parukieres Lynn Smith si dhe partneritetit me John Howard Society. Kësisoj, javën e kaluar Smith ofroi shkurtim flokësh falas për 25 persona në nevojë, kryesisht të pastrehë apo me probleme financiare e shëndeti mendor. Bamirësja e ka konsideruar tejet interesante eksperiencën. Sipas saj, dikujt një prerje flokësh mund t’i duket një gjë fare e thjeshtë dhe rutinë, ndërsa për disa kategori njerëzish, kjo mund të ndryshojë dhe imazhin për vetveten. Pas procesit të shkurtimit, ajo ka vërejtur që sjellja e personit që ulej në karrike ishte krejt e ndryshme në raport me fillimin. Një pjesë e personave i kanë drejtuar Lynn Smith kërkesa specifike, ndërsa të tjerë ia kanë lënë në dorë asaj ta vendosë modelin e qethjes.

 

Newfoundland-Labrador: Operacion për nxjerrje municionesh nga anije të mbytura gjatë LDB

Në disa zona nënujore të Newfoundland dhe Labrador, ka nisur ditët e fundit një operacion për nxjerrjen e municioneve nga mbetjet e anijeve luftarake të mbytura gjatë periudhës të Luftës së Dytë Botërore. Ky është operacioni i dytë pas atij të vitit 2019. 20 zhytës profesionistë të Ushtrisë Kanadeze po ndërhyjnë këto ditë në thellësi, në zonat e ishullit Bell dhe gjirit Conception, ku ndodhen 4 anije të mbytyra, të goditura gjatë Luftës nga nëndetëset gjermane, që synonin të pengonin furnizimin e forcave aleate në Europë. Brenda anijeve ndodhen ende municione të paprekura. Nëse kushtet e motit do vazhdojnë të jenë të mira, operacioni pritet të përfundojë brenda 30 Korrikut. Sipas ekspertëve, manipulimi i këtyre municioneve duhet bërë më kujdes maksimal, pasi nën ujë është tejet e vështirë të vlerësohet nëse rreziku i eksplodimit eshtë i lartë apo jo. Pasi të nxirren, predhat do asgjësohen në një vend të posaçëm. Vendimi për të mos e realizuar shpërthimin nën ujë u mor për dy arsye. Së pari, për mbrojtjen e ekosistemit dhe së dyti, për të mos dëmtuar më tej anijet e mbytura, që jane objekt vizitash të rregullta nga të pasionuarit pas zhytjeve.

 

Ontario: Sektori i turizmit në Toronto po rinis të gjallërohet

Më në fund, pas shumë muajsh mbylljeje, ka rinisur jeta turistike në Toronto, metropolin e Kanadasë që quhet ndryshe dhe “La Ville Reine” (qyteti mbretëror). Gjithsesi, për ekspertët e sektorit të turizmit, kësaj industrie më shumë rëndësi për qytetin do t’i duhet ende kohë për ta marrë veten. Deri tani mendohet që humbjet për shkak të pandemisë në këtë sektor kapin shifrën 10 miliardë dollarë dhe do duhen të paktën 4 vjet që situata të rikthehet në parametrat e kohës para pandemisë. Megjithatë, pozitiv mbetet fakti që së shpejti do hapet dhe kufiri me SHBA (para pandemisë 70% e turistëve në Toronto vinin nga SHBA) ndërsa tashmë ndihet një rigjallërim i konsiderueshëm i lëvizjes së turistëve nga brenda provincës apo nga provinca të tjera kanadeze. Po kështu, pritet dhe rigjallërimi i atij që quhet turizëm miqsh apo familjarësh, po të kihet parasysh që Toronto është shumë multikulturor dhe 50% e njerëzve që jetojnë aty kanë lindur jashtë Kanadasë. Ndërkohë, pas rihapjes me ceremoni të kulles së famshme CN, të Shtunën (24 Korrik) u rihap edhe Akuariumi Ripley që qëndroi i mbyllur për 8 muaj. Këto dy objekte janë dy nga atraksionet më të rëndësishëm turistikë të metropolit kanadez.

 

Québec: Skulpturë që përjetëson një ari mbi një trung 200 vjeçar në Dorval

Në Dorval, pikërisht aty ku ndodhet dhe aeroporti i Montréal-it, Dale Ruff, me origjinë nga Rigaud, sapo ka realizuar një projekt krejt original, duke e shndërruar një trung peme 200 vjeçare gati në dekompozim, në skulpturë druri dhe mbi trung ai ka gdhendur një ari. Skulptura në dru u realizua në kujtim të arushit të vogël me ngjyrë të zezë që u kap në 23 Maj të këtij viti pas 6 orësh kërkimi në territorin e Dorval. Më pas ndaj kafshës autoritetet kompetente vendosën pas disa ditësh të përdornin eutanazinë. Kjo histori e preku shumë një nga banoret e qytetit, Joanne Ewasew, e cila vendosi t’i drejtohej Dale Ruff, që e njihte personalisht. Dhe kështu ky i fundit, e shndërroi trungun e oborrit të saj në vepër arti, duke përjetësuar kësisoj dhe arushin e vogël. Artistit i jane dashur rreth dy ditë për të realizuar veprën që do lyhet edhe me vernik special në mënyrë që t’i rezistojë kohës.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada