Kanada

Mbi raportet e Kanadasë me Kosovën - Nga Fazli Mazreku

  • Published in Discovery

Kanadaja është ndër shtetet e para që e ka njohur shpalljen e pavarësisë të Republikës së Kosovës dhe njëherit, është ndër vendet e para që në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, ka hapur vijë ajrore dhe me aeroplanë ushtarakë ka sjellë mbi 6 mijë refugjatë, të cilët i ka strehuar dhe akomoduar në provinca dhe qytete të ndryshme, brenda territorit të saj gjigand.

Cila është Kanadaja?

Kanadaja është një ndër vendet e zhvilluara në familjen e G-7, me sipërfaqe prej afër 10 milionë kilometra katrorë, me popullatë mbi 38 milionë, me prodhim të brendshëm bruto (GDP) 1.979 trilionë dollare dhe me të ardhura për frymë (per capita) 51.713 dollarë.

Është një ndër vendet e para në botë për burime natyrore. Ka qarkullim ditor të mallrave dhe shërbimeve me SHBA 1.7 milionë dollarë dhe me kufi tokësor me SHBA 8.881 km.

Kanadaja është vend me demokraci parlamentare dhe monarki kushtetuese. Njihet si vend me qeverisje transparente dhe për pjesëmarrje aktive në misione paqeruajtëse.

Ka marrë pjesë në aksionet e NATO-s në bombardimet e objekteve ushtarake të ish-Jugosllavisë gjatë luftës në Kosovë dhe më vonë ishte aktive në kuadër të KFOR-it.

Komuniteti shqiptaro-kanadez është numerikisht mjaft i madh kur merren parasysh vendet respektive prej nga kanë emigruar apo kanë qenë të detyruar nga lufta të strehohen në Kanada. Kosovarët janë numerikisht komunitet i madh dhe pjesa dërrmuese e tyre kanë ardhur si refugjatë lufte dhe kryesisht janë vendosur në provincat e Ontario-s dhe Québec-ut. Ka edhe në provinca të tjera në numër më të vogel.

Komuniteti është i organizuar në shoqata dhe forma të tjera. Është integruar shumë mirë në jetën ekonomike dhe shoqërore dhe mund të themi me plot gojën se brenda 20 vitesh, ka arritur suksese si ekonomikisht, ashtu edhe në perfshirjen në institucione publike dhe në kompani që janë brande botërore. Është formuar Rrjeti i bizneseve shqiptaro-kanadeze, që ndihmon shumë me këshilla e shërbime të tjera për bizneset e reja.

Kosova ka hapur Ambasadën në Ottawa dhe Konsullatën në Toronto, çka është mundësi e mirë që përmes punës intensive të diplomatëve tanë, Kanadaja të njihet me Kosoven dhe mundesitë per investime kanadeze në Kosovë. Të dy vendet kanë nëshkruar dhe ratifikuar tashmë Marrëveshjen dypalëshe për mbrojtjen e investimeve të huaja.

Kanadaja, vështruar objektivisht, di fare pak për Kosovën dhe rreth Kosovës, sepse Kosova është vend i vogël, me shkallë shumë të ulët të zhvillimit të përgjithshëm, ende i pakonsoliduar në planin ndërkombëtar.

Kane ndikuar edhe shumë faktorë të tjerë, të cilët Kosovën e mbajnë jashtë interesimit të politikës zyrtare kanadeze. Ka zyrtarë të lartë federalë që akoma nuk dinë për Kosovën se është shtet i pavarur, sepse komuniteti serb është prezent në një shkallë të konsiderueshme në institucionet kanadeze dhe ka potencial që t’i furnizojë institucionet kanadeze me dezinformata. Edhe mosangazhimi sa duhet i Kosovës në 10 vjetëshin e fundit e paguan haraçin për këtë.

Çfarë duhet të bëjë Kosova?

Duke patur parasysh potencialin ekonomik të Kanadasë dhe nevojën e Kosovës për investime të huaja, është e domosdoshme që qeveria e Kosovës të bëjë më shumë për hulumtimin e mundësive të dërgimit të informacionit kredibël për kushtet dhe sigurinë juridike për investime të korporatave kanadeze në Kosovë.

Këtë mund ta bëjë shumë më mirë se deri tani:

-nëse hap një desk për Kanadanë në Ministrinë e Jashtme;

-nëse ministritë respektive shtojnë aktivitetin;

-nëpërmjet forcimit të lidhjeve me ministritë federale dhe të provincave;

-nëse Kosova bashkëpunon si duhet me Rrjetin e Bizneseve Shqiptaro-Kanadeze;

-nëse Ambasada e Kosovës në Ottawa forcohet me staf profesional dhe me njohje adekuate të jetës institucionale dhe ekonomike të Kanadasë.

©Fazli Mazreku