Kanada

Kanada - Mbërrin grupi i parë i refugjatëve nga Afganistani

  • Published in Kanada

Ka mbërritur dje në aeroportin e Torontos avioni i parë me refugjatë afganë, pjesë e kontigjentit që mbështetën misionin ushtarak kanadez në Afganistan. Ky mision ishte prezent në Afganistan nga viti 2001 deri më 2014 dhe gjatë 13 vjetëve, atje shërbyen rreth 40,000 ushtarakë kanadezë.

Në një konferencë shtypi Ministri i Imigracionit Marco Mendicino nuk pranoi të japë numrin e saktë të refugjatëve që priten të arrijnë gjatë ditëve në vazhdim duke e arsyetuar refuzimin me arsye sigurie. Gjithsesi, pritet që ky numër të jetë disa mijëra.

Ky vendim i qeverisë kanadeze u mor për faktin se pas tërheqjes përfundimtare të trupave amerikane talebanët po rifitojnë terren në Afganistan dhe shumë afganë që kontribuan në shërbim të misionin kanadez janë tashmë në rrezik për jetën. Ndërkohë, sipas burimeve qeveritare, rreth 800 vetë nga ky kontigjent janë strehuar nga Kanadaja gjatë dhjetë viteve të fundit.

Në një deklaratë të përbashkët me shkrim, Ministri Mendicino, Ministri i Jashtëm Marc Garneau dhe Ministri i Mbrojtjes Harjit Sajjan deklaruan se qeveria po punon intensivisht për të përcaktuar listën e atyre që plotësojnë kriteret.

Ministri Mendicino e priti personalisht në aeroport grupin e parë prej 12 vetësh që mbërriti dje, i shoqëruar nga ministrja e Gruas, Barazisë Gjinore dhe Zhvillimit Ekonomik Rural në kabinetin Trudeau, Maryam Monsef, e cila është me origjinë nga Afganistani dhe e para muslimane në historinë e Kanadasë që është emëruar në funksionin e ministrit.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Foto: Forcat Ushtarake Kanadeze/Rachael Allen