Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 8 Gusht 2021

  • Published in Kanada

(Nga e majta në të djathtë: Maude Charron, Laurence Vincent Lapointe, Penny Oleksiak, Andre De Grasse dhe Damian Warner)

Ekipi olimpik kanadez kthehet me 24 medalje nga Tokio

British Columbia, mungesë fuqie punëtore për tragetet e pasagjerëve

Alberta, qeveria federale refuzon vazhdimin e projektit për një miniere qymyri

Në Saskatchewan ndryshohet sistemi i vaksinimit

Ottawa projekton ndërtimin e një parku kombëtar në afërsi të Halifax

Ndahet nga jeta ish-kryeministri i Ontarios Bill Davis

 

Ekipi olimpik kanadez kthehet me 24 medalje nga Tokio

Më në fund u mbyllën dhe Lojrat Olimpike të Tokios, të cilat megjithë problemet për shkak të pandemisë i dhuruan gjithë publikut sportdashës momente të paharrueshme. Sërish në një stadium pa spektatorë, rreth 4000 atletë (nga 11,000 që morën pjesë në ceremoninë e hapjes) parakaluan duke mbajtur në duar flamujt kombëtarë apo medaljet e fituara. Flamurin e Kanadasë e mbajti kampioni olimpik i saposhpallur i dhjetëgarëshit Damian Warner. Si ekip, Kanadaja u rendit në vendin e 11-të me gjithsej 24 medalje nga të cilat 7 ari, 6 argjendi dhe 11 bronzi. Ekipi që u rendit i pari ishte SHBA me 113 medalje (39 ari, 41 argjendi dhe 33 bronzi).

 

British Columbia, mungesë fuqie punëtore për tragetet e pasagjerëve

Kompania e trageteve BC Ferries aktualisht është në kërkim të rreth 100 personave për t’i punësuar në anijet e saj, nga të cilët 60 oficerë dhe 50 të tjerë për poste të tjera të rëndësishme për çdo ekuipazh. Përveç faktit që shumë specialistë kanë dalë tashmë në pension, për fat të keq, si kudo tjetër, pandemia e ka goditur edhe këtë sektor dhe për momentin nuk është e lehtë të rekrutohen marinarë të kualifikuar. Madje për këtë arsye të mërkurën e kaluar, 4 Gusht 2021, u anuluan dy udhëtime në linjën Victoria-Vancouver. Në një raport të botuar në vitin 2019 edhe Sindikata Botërore e Marinarëve e pat parlajmëruar një situatë të tillë, ndërsa në një raport të kohëve të fundit theksohet se në vitin 2026 ky sektor do ketë nevojë për rreth 89,500 oficerë shtesë në gjithë botën, ndërkohë që aktualisht mungojnë rreth 26,200 të tillë.

 

Alberta, qeveria federale refuzon vazhdimin e projektit për një miniere qymyri

Qeveria federale njoftoi këto ditë që projekti i minierës së qymyrit Grassy Mountain në Jugperëndim të Albertës nuk mund të vazhdojë më. Ministri i Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike Jonathan Wilkinson, ka deklaruar se ndërsa minierat janë të rëndësishme për ekonominë, qymyri mund të ketë një ndikim shumë të madh negativ në mjedis. Qeveria ka theksuar, ndër të tjera, rrezikun për cilësinë e ujërave sipërfaqësore, për specie të tilla si trofta dhe pishat e bardha, por në rastin konkret edhe për trashëgiminë natyrore dhe kulturore të komuniteteve autoktone Kainai, Piikani dhe Siksika. Nga ana e saj, kompania australiane Benga Mining Limited deklaroi se miniera e propozuar e qymyrit metalurgjik në zonën Crowsnest Pass, mund të krijojë rreth 400 vende pune dhe të gjenerojë 1.7 miliardë dollarë të ardhura nga taksat. Po kështu mund të prodhojë deri në 4.5 milion ton qymyr në vit gjatë një periudhe 23 vjeçare.

 

Në Saskatchewan ndryshohet sistemi i vaksinimit

Nga dita e sotme, 8 Gusht 2021, autoritetet e Shendetit Publik të provincës Saskatchewan e kanë ndryshuar strategjinë e vaksinimit anti-COVID duke e orientuar atë drejt klinikave të lëvizshme nëpër vende publike. Në të njejtën kohë, doza do vazhdojnë të jepen edhe pranë farmacive duke e konfirmuar takimin paraprakisht. Kjo qasje ka për qëllim ta ofrojë shërbimin e vaksinimit sa më afër komuniteteve në nevojë. Për qytetarët që nuk kanë farmaci pranë territorit të tyre, do vazhdojnë të jenë ne dispozicion disa qendra të posaçme vaksinimi ku rezervimi mund të behët me telefon përmes HealthLine 811.

 

Ottawa projekton ndërtimin e një parku kombëtar në afërsi të Halifax

Aktualisht qeveria federale është duke përgatitur një program mbi krijimin e parqeve kombëtare urbane dhe ka miratuar për këtë qëllim një buxhet paraprak 130,9 milionë dollarë. Në këtë kuadër, është futur në listën e territoreve të identifikuara edhe zona Blue Mountain-Birch Cove Lakes që ndodhet rreth 20 minuta larg qendrës së Halifax. Bashkia rajonale Halifax dhe autoritetet federale përkatëse kanë nënshkruar tashmë një marrëveshje bashkëpunimi. Zona në fjalë eshtë rreth 38 km katror dhe aty ndodhen 22 liqene.

 

Ndahet nga jeta ish-kryeministri i Ontarios Bill Davis

Njoftohet se sot, më 8 Gusht 2021, në qytetin e tij të lindjes Brampton, është ndarë nga jeta në moshën 92 vjeçare ish-kryeministri i Ontarios Bill Davis. Karriera politike e Davis ka zgjatur 3 dekada. Fillimisht deputet progresist-konservator e më pas Ministër i Arsimit, nga viti 1971 e deri më 1985, për katër mandate radhazi, ai ushtroi funksionin e kryeministrit në provincën më të madhe për nga popullsia të Kanadasë. Ai kujtohet për projektet që ndikuan në përmirësimin e shërbimit të edukimit dhe atij shëndetësor në Ontario, për vendimin në favor të financimit publik të shkollave katolike si dhe si një nga kundërshtarët më të flaktë të pavarësisë së Québec. Pas dorëheqjes si kryeministër, Davis vazhdoi të ushtronte profesionin e avokatit. Një ndër paraqitjet e tij të fundit në publik ishte dhe ceremonia e betimit të Kryetari të Bashkisë së Torontos, John Tory, që ishte dikur ndihmësi i tij kryesor.

Jean Chrétien, Bill Davis dhe Pierre Elliott Trudeau, 5 Nëntor 1981

 

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canda

Fotot: Radio-Canada/The Canadian Press