Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 15 Gusht 2021

  • Published in Kanada

(Shtëpia e ndërtuar nga piktori Frederick James, pranë shkëmbit Percé në Gaspésie)

Në 20 Shtator qytetarët kanadezë do votojnë në zgjedhje të parakohshme

Mbyllet përkohësisht ambasada kanadeze në Kabul

Vazhdojnë zjarret në pyjet e British Columbia

Kanadaja do ofrojë strehim për 20.000 refugjatë nga Afganistani

Në vitin 2023 planifikohet krijimi i ligës profesioniste të futbollit për femra

 

Në 20 Shtator qytetarët kanadezë do votojnë në zgjedhje të parakohshme

Mary Simon duke firmosur shpërndarjen e parlamentit

Sot në mëngjes në ora 10:00, e diel 15 Gusht, kryeministri Justin Trudeau është paraqitur në zyrën e Guvernatores së Përgjithshme Mary Simon dhe i ka kërkuar asaj shpërndarjen e parlamentit. Kjo e fundit e ka firmosur dekretin dhe për pasojë në 20 Shtator, qytetarët kanadezë do t’u drejtohen kutive të votimit në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e fundit jane zhvilluar në Tetor të vitit 2019 dhe prej asaj periudhe Partia Liberale e Kryeministrit Trudeau ka qeverisur në minorancë, pasi nuk arriti të siguronte shumicën. Sipas Trudeau, i cili synon të rifitojë mazhorancën, motivi për këto zgjedhje është domosdoshmëria që qytetarët të vendosin se cila do të jetë menyra e daljes nga kriza e shkaktuar prej pandemisë COVID-19. Nga ana e opozitës, vendimi për zgjedhje të parakohshme është konsideruar i nxituar dhe i panevojshëm për kushtet kur Kanadaja mendohet se ka hyrë në valën e katërt të pandemisë të provokuar nga variani Delta. Fushata do të vazhdojë gjithsej 36 ditë dhe Liberalëve për të rifituar mazhorancën u duhen të paktën 170 deputetë nga 155 që kishin aktualisht.

 

Mbyllet përkohësisht ambasada kanadeze në Kabul

Marrja e kryeqytetit të Afganistanit Kabul nga Talebanët, e ka detyruar sot qeverine kanadeze të evakuojë të gjithë personelin e ambasadës që ndodhej atje. Në një deklaratë të përbashkët, Ministri i Jashtëm Marc Garneau sëbashku me ministrat e Mbrojtjes dhe Imigracionit, kanë njoftuar se në kushtet e sigurisë së plotë, personeli diplomatik kanadez është nisur drejt atdheut. Ministrat shpjeguan gjithashtu se situata që po degradon me shpejtësi në Afganistan paraqet sfida të rëndësishme dhe rrezikon aftësinë e qeverisë për të siguruar sigurinë e përfaqësuesve të saj. Ata pohuan që aktivitetet diplomatike në Afganistan do të rifillojnë sapo situata ta lejojë qeverinë të garantojë shërbime të përshtatshme dhe siguri të përshtatshme për personelin e saj.

 

Vazhdojnë zjarret në pyjet e British Columbia

Provinca e British Columbia vazhdon të mbetet e përfshirë nga zjarret në një pjesë të kondiderueshme të sipërfaqeve të saj pyjore. Aktualisht këtë fundjave numëroheshin ende 273 vatra të ndezura dhe situata vazhdon të jetë dramatike në kushtet kur erërat dhe temperaturat e larta ndikojnë në përhapjen e mëtejshme të zjarreve. 3965 zjarrfikës po përpiqen të kontrollojnë zonat e prekura nga të cilët 400 kanë ardhur nga provinca të tjera. Ndërkohë rreth 30 vatra zjarri përbejnë rrezik të lartë për sigurinë e banorëve përreth. Për këtë qëllim është dhënë urdhër evakuimi për 28,000 qytetarë në 112 sektorë që ndodhen në gjendje alarmi.

 

Kanadaja do ofrojë strehim për 20.000 refugjatë nga Afganistani

Pas zhvillimeve dramatike të ndodhura ditët e fundit në Afganistan, si pasojë e tërheqjes së forcave amerikane dhe marrjes nën kontroll të vendit nga Talebanët, qeveria kanadeze ka deklaruar se është e gatshme të oforjë strehim për rreth 20.000 refugjatë afganë. Sipas Ministrit të Imigracionit Marco Mendicino, në grupet prioritare bëjnë pjesë gra, gazetarë, militantë në favor të të drejtave të njeriut dhe të komunitetit LGBTQ si dhe familjarë të përkthyesve që kanë punuar me kontigjentin kanadez e që kanë ardhur tashmë në Kanada. Deri tani kanë mbërritur disa avionë me refugjatë por askush prej autoriteteve të qeverisë nuk është në gjendje të ofrojë një kalendar të përafërt për kohëzgjatjen e procesit.

 

Në vitin 2023 planifikohet krijimi i ligës profesioniste të futbollit për femra

Ekipi kombëtar kanadez

Pas fitores së medaljes së artë në Lojrat Olimpike të Tokios nga ekipi kanadez i femrave në futboll duket se ideja për nje lige profesioniste futbolli për femrat në Kanada ka marrë një nxitje të konsiderueshme. Diana Matheson, pjestare e këtij ekipi qe e ka lënë karrierën aktive para pak kohësh, i ka deklaruara Radio-Canada se ka rreth një vit që ajo po punon në Toronto mbi këtë dosje sëbashku me një grup të vogël dhe sipas parashikimeve, liga në fjalë mund t’ia nisë aktivitetit sipas gjasave në vitin 2023. Sipas saj, fitorja e Tokios do ndikojë në afrimin e më shumë investitorëve. Nga 10 ekipet e para në klasifikimin botëror të FIFA-s, vetëm Kanadaja, që renditet e 8-ta, nuk ka as ligë dhe as ekip profesionist në futbollin e femrave. Aktualisht, tiutullaret e ekipit të saj kombëtar, jashtë kohës së angazhimit me përfaqësuesen detyrohen të luajnë në SHBA, Angli, RFGJ etj.

Diana Matheson

 

©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada