Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 22 Gusht

(Mont-Tremblant, Québec)

Fitore e papritur e Konservatorëve në zgjedhjet e parakohshme të Nova-Scotia

Doug Ford ndëshkon deputetin Rick Nicholls për shkak të refuzimit të vaksinës

Zgjedhjet federale, Maxime Bernier përjashtohet nga debati i shefave

François Legault i gatshëm të presë refugjatë afganë në Québec

Provincat e Atlantikut përgatiten për stuhinë tropikale Henri

 

Fitore e papritur e Konservatorëve në zgjedhjet e parakohshme të Nova-Scotia

Tim Houston

Partia Progresiste-Konservatore e Nova Scotia e drejtuar nga Tim Houston, ka realizuar një fitore krejt të paparashikuar në fillim të kësaj javë në zgjedhjet e parakohshme. Nga 55 vende në parlamentin provincial, Konservatorët arritën të fitojnë 31, 3 më shumë se minimumi i domosdoshëm për të patur mazhorancën. Kësisoj, kjo parti mundi të rikthehet sërish në pushtet për herë të parë qysh pas vitit 2009. E veçanta e ketyre zgjedhjeve ishte se rreth dy muaj më pare Konservatorët renditeshin me 28% diferencë më pak në sondazhe në raport me Liberalët që kësaj here morën vetëm 17 deputetë.

 

Doug Ford ndëshkon deputetin Rick Nicholls për shkak të refuzimit të vaksinës

Rick Nicholls

Kryeministri dhe lideri konservator i Ontarios Doug Ford, ka përjashtuar të Enjten më 19 Gusht nga grupi i tij parlamentar deputetin e Chatham-Kent-Leamington, Rick Nicholls, për shkak se ai dhe bashkëshortja e tij kane refuzuar të marrin vaksinën kundër COVID-19 dhe nuk kanë dhënë një arsye legjitime për këtë vendim. Na ana e tij deputeti i ndëshkuar, ka deklaruar se ai nuk është kundër vaksinës në parim por ka gjykuar mbi bazën e të drejtës individuale për të mos e marrë atë personalisht. Nicholls ishte një nga dy deputetët konservatorë që u përballën me një ultimatum për të paraqitur provën e vaksinimit ose për të siguruar një justifikim mjekësor para mbrëmjes të së Enjtes. E dyta, deputetja Christina Mitas, nuk u përjashtua sepse ajo paraqiti një letër nga një mjek dhe premtoi se do të marrë masat e nevojshme të kujdesit gjatë kryerjes së detyrës.

 

Zgjedhjet federale, Maxime Bernier përjashtohet nga debati i shefave

Maxime Bernier

Sipas Komisionit për debatin e shefave pranë Radio-Canada, kryetari i Partisë Popullore Kanadeze, ish-Ministri i Jashtëm Maxime Bernier, nuk i plotëson kriteret për të qenë prezent në një eveniment të tillë. Komisioni e ka bërë këtë njoftim dje më 21 Gusht, duke argumentuar se partia e Bernier nuk ka asnjë deputet në Dhomën e Komunave, nuk ka marrë 4% të votave në zgjedhjet e fundit dhe në sondazhet 5 ditë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme nuk e arrin ketë shifër. Nga ana e tij Bernier është shprehur i zhgënjyer duke mos kritikuar komisionin në fjalë, por “establishmentin e kartelit të politikanëve”, që sipas tij kanë bërë gjithçka për ta margjinalizuar Partinë Popullore Kanadeze. Në vitin 2019 Bernier ishte pjesë e debatit të shefave, por qysh prej asaj kohe rregullat e pjesëmarrjes u shtrënguan.

 

François Legault i gatshëm të presë refugjatë afganë në Québec

François Legault

Kryeministri i Québec, François Legault, ka përsëritur dje më 21 Gusht, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, gadishmërinë e qeverisë që ai drejton për të marrë përsipër sa të jetë e mundur strehimin e refugjatëve afganë në territorin e provincës, në veçanti gra “viktima të persekutimit”. Gjithsesi ende nuk njoftohet ndonjë shifër e saktë lidhur me kapacitetin pritës të Québec. Legault në mesazhin e tij ka përmendur edhe ushtarakët nga Québec të cilët kanë marrë pjesë në misionin e Afganistanit, duke theksuar se për ata nuk është e lehtë të shikojnë një përmbysje të tillë të situatës por gjithsesi sipas tij, askush nuk duhet të mendojë se përpjekjet dhe sakrifica shkuan dëm.

 

Provincat e Atlantikut përgatiten për stuhinë tropikale Henri

Provincat Prince Edward Island dhe Nova Scotia po nxisin qytetarët e tyre që të përgatiten për Stuhinë Tropikale Henri që pritet t'i afrohet Kanadasë Atlantike në ditët e ardhshme. Me mbërritjen e saj mendohet që shpejtesia e erës mund të shkojë deri në 100 km në orë. “Uraganet dhe stuhitë tropikale janë sisteme që mund të ndryshojnë drejtim në një periudhë të shkurtër kohe. Edhe një sistem i dobësuar ndjeshëm mund të sjellë ende erëra të forta, shira të dendur dhe shkaktojë përmbytje dhe shkatërrime”, deklaroi përmes një komunikate të Premten, 20 Gusht, qeveria provinciale e Prince Edward Island. Provincat e Atlantikut u kane kërkuar gjithashtu qytetarëve të marrin masa të veçanta si për shembull futja brenda ose lidhja me litarë e objekteve apo pajisjeve që mund t’i marrin përpara erërat e forta.  Gjithashtu është kërkuar verifikimi i pajisjeve të urgjencës, mbajtja rezervë e benzinës ​​së mjaftueshme si dhe zëvendësimi nëse duhet i baterive të detektorëve të tymit dhe monoksidit të karbonit. Janë dhënë edhe disa këshilla të tjera si: parkoni makinën larg pemëve; merrni ushqim dhe ujë të mjaftueshëm për 72 orë; mbyllni portat, dyert dhe dritaret në mënyrë të sigurt; mbani kafshët shtëpiake brenda; dëgjoni mediat lokale për përditësime.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio Canada