Fatura e Trudeau për brezat e ardhshëm dhe zgjedhjet e 20 Shtatorit - Nga Taulant Dedja
- Published in Kanada
Pa asnjë shkak themelor, kanadezët u thirrën t’u drejtohen kutive të votimit nga kryeministri aktual më 20 Shtator, i cili nisur nga disa sondazhe të para disa javëve kërkoi shpërndarjen e parlamentit, në kërkim të një mazhorance që nuk arriti dot ta ketë para dy vitesh. Siç e kam përmendur dhe më parë, nga kontributi i taksapaguesve kanadezë enkas për këto zgjedhje të parakohshme do të shpenzohen për hiçgjë rreth 600 milionë dollarë.
Sigurisht çdo diskutim në rastin e zgjedhjeve nis nga financat. Shpjeguar në mënyrë fare bazike nga perspektiva e zgjedhësit, me paratë që i hyjnë në xhep çdo muaj, qytetarit i intereson të dijë se sa duhet të shpenzojë për koston e jetesës, sa duhet të kontribuojë për shtetin, dhe sa i mbeten në fund përsëri në xhep.
Nuk besojmë që dikush mund ta mohojë sot rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës, pa folur këtu për shpërthimin që kanë pësuar vitet e fundit çmimet në tregun e banesave, çka kurrsesi nuk mund të thuhet se kompensohet si ngarkesë për xhepin e qytetarit nga shkalla e ulët e përqindjes së interesit të kredive.
Sipas një artikulli të La Presse.ca (21 Janar, 2019) gati 50% e kanadezëve, pasi paguajnë të gjitha faturat e domosdoshme për të jetuar e shlyer borxhet, në fund të muajit nuk kanë më shumë se 200 dollarë në llogari. Kjo sigurisht nënkupton dhe një nivel të lartë të kreditimit.
Pra sot duhet të kuptojmë së pari bilancin buxhetor të qeverisë liberale të Justin Trudeau dhe sipas shifrave zyrtare, ky bilanc karakterizohet së pari nga një rritje e madhe e borxhit publik, çka do të thotë që janë brezat e ardhshëm ata që do të paguajnë pjesën më të madhe të faturës me taksat e tyre për dekada të tëra.
Deri në fund të vitit fiskal aktual, analistët e ekonomisë paralajmërojnë se borxhi federal pritet të arrijë në masën 1,234 miliardë dollarë, ose i pjestuar me numrin e shtetasve 32,362 dollarë për kokë. Kjo shifër është pothuajse dyfishi i borxhit federal prej 629 miliardë dollarë në periudhën 31 Mars 2015, gjatë kohës kur vendi qeverisej nga kryeministri konservator Stephen Harper.
I zgjedhur për herë të parë në Tetor 2015, pastaj për herë të dytë në Tetor 2019, Justin Trudeau i ka mbyllur sistematikisht të gjitha vitet financiare me deficit gjithnjë në rritje. Sigurisht, për një pjesë të vendimeve justifikimi mund të bazohet te kriza e shkaktuar nga COVID-19. Afërmendsh bizneset dhe qytetarët duheshin ndihmuar dhe në raste të tilla ka dhe sakrifica kolektive. Tashmë sërish në fushatë, premtimet e tij në shifra me miliarda (në disa raste përsëritje premtimesh të pambajtura) parathonë madje që rritja e borxhit publik ti tejkalojë parashikimet.
Por a mund të thuhet se kjo ishte mënyra më e mirë e menaxhimit të krizës? A mund të pranohet mungesa e transparencës për miliarda dollarë të shpenzuara me prokurim të drejtpërdrejtë? A mund të justifikohet sot mungesa e fuqisë punëtore në shumë sektorë, që ka vështirësuar në mënyrë zinxhir shumë procese? A e kupton kush sot stresin e shumë bizneseve të shkaktuar nga fakti që një kategori qytetarësh preferon të rrijë në shtëpi e kënaqur me çekun e dërguar çdo muaj nga Trudeau?
Dhe më në fund, çfarë arsyeje kishte qeveria ta çonte vendin në zgjedhje pikërisht kur sapo fillonte faza e katërt e pandemisë? A nuk duket ky vendim një padrejtësi të cilën nuk e meritonin taksapaguesit kanadezë, sidomos shtresa e mesme që mbetet përherë më e penalizuara?
Më e pakta që mund të thuhet është që Kanadaja nuk e meriton një qeveri në shumicë liberale. Koha sot kërkon konsensuse të përgjegjshme dhe bashkëpunim që kalon përtej interesave partizane. Në këndvështrimin tim, një qeveri në minorancë, qoftë liberale, qoftë konservatore është shumë e domosdoshme për Kanadanë dhe për ekulibrin e saj social-ekonomik.
Kujtoj që në Zvicër, vend me 20% të popullsisë emigrantë dhe shtet multietnik, një ndër ekonomitë më të konsoliduara në botë dhe vendet me nivel më të lartë jetese, prej vitit 1958 e majta dhe e djathta qeverisin bashkë me konsensus duke ndarë postet qeveritare në bazë të përqindjes së votave. Sigurisht kjo mund të duket ndoshta ëndërr për Kanadanë, por më e pakta që mund të kërkohet është një reformë elektorale që përputh mazhorancën e votës popullore me vendet reale në parlament si dhe zbatimi i rregullit ligjor të Kanadasë që egziston prej vitesh për zgjedhjet me datë fikse një herë në katër vjet, (ashtu si në Zvicër), duke mos i lejuar asnjë kryeministri ta shpërndajë parlamentin sa herë t’i teket.
©Taulant Dedja