Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 29 Gusht

  • Published in Kanada

Ontario, provinca që do përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve të 20 Shtatorit

Manifestime në mbështetje të popullit afgan në qytetet kryesore kanadeze

British Columbia, delja e Amerikës e rrezikuar prej epidemisë Bluetongue

Saskatchewan, sipas infermierëve situata në spitale është kritike

New-Brunswick, vendimi për pasaportën vaksinale brenda tri javësh

Newfounland-Labrador, tragetet i rikthehen funksionimit normal

 

Ontario, provinca që do përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve të 20 Shtatorit

Bastioni ku është drejtuar vëmendja e gjithë shefave të partive kryesore federale në ballafaqimin zgjedhor të 20 Shtatorit është provinca e Ontarios, më e populluara në Kanada, që me 121 zonat e saj elektorale përcakton më shumë se një të tretën e deputetëve të parlamentit. Gjatë javës që sapo u mbyll, Trudeau, O’Toole dhe Singh, u këmbyen sipas radhës në Hamilton, qytetin me 5 zona elektorale nga të cilat, 3 e kanë vakant vendin e deputetit. Sipas gazetarit të pavarur Joey Coleman, të cituar nga Radio-Canada, rezultati në çdo rast mund të shkojë në favor të asaj partie që do jetë në gjendje të krijojë më shumë besueshmëri tek votuesit. Po kështu, sipas politologes së Universitetit të Windsor, Emmanuelle Richez, në zona të tilla si këto të Hamiltonit, përjashto rastet e ndonjë kandidati “star”, ajo që përcakton rezultatin është performanca e shefit të partisë.  

 

Manifestime në mbështetje të popullit afgan në qytetet kryesore kanadeze

Gjatë kësaj fundjave jane zhvilluar disa manifestime solidariteti me popullin afgan në qytetet kryesore kanadeze si Toronto, Montréal, Ottawa apo Vancouver. Qëllimi kryesor i këtyre veprimtarive ka qenë rritja e presionit ndaj qeverisë federale për të përshpejtuar procesin e sjelljes së refugjatëve, jeta e të cilëve rrezikohet për shkak të bashkëpunimit me Misionin kanadez që ishte prezent në Afganistan nga viti 2001 deri në vitin 2014. Sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë kanadeze, gjeneralit Wayne Eire, evakuimi nga Kabuli drejt Kanadasë u mbyll të Enjten që kaloi, 26 Gusht dhe në total rreth 3700 persona mundën të largohen prej andej. Më parë, vetë kryeministri Tudeau, i kritikuar prej opozitës për mënyrën e administrimit të kësaj krize, pat deklaruar që do të jetë thuajse e pamundur të realizohet evakuimi i të gjithë personave të rrezikuar nga kthimi në pushtet i Talebanëve.

 

British Columbia, delja e Amerikës e rrezikuar prej epidemisë Bluetongue

Përhapja e epidemisë së quajtur “Bluetongue” ka asgjësuar të paktën 20 dele të racës Bighorn (që jeton në Amerikën e Veriut) në zonën Grand Forks, në Jug të provincës British Columbia. Në këtë rajon, numri i kësaj specieje llogaritet në 230 dhe sipas organizatës që kujdeset për të, rrezikohet që numri i prekur prej epidemisë në fjalë të rritet. Kjo epidemi transmetohet nga pickimi i një lloj insekti dhe sipas Dr. Caeley Thacker, veterinere e qeverisë provinciale e cituar nga Radio-Canada, ajo mund të prekë edhe specie të tjera si për shembull drerin e Virginia. Shkaku, sipas specialistes, është që si rezultat i kushteve klimatike dhe erërave të forta, insekti pickues ka ardhur prej territorit amerikan në atë kanadez. Këto insekte mund t’i asgjësojë vetëm një periudhë e gjatë moti të ftohtë.

 

Saskatchewan, sipas infermierëve situata në spitale është kritike

Në kushtet e një vale të re të përhapjes së COVID-19, Presidentja e Unionit të Infermierëve të Saskatchewan, Tracy Zambory, në një komunikim me Radio-Canada ka dhëne alarmin për gjendjen e sistemit spitalor dhe stafit të tij. Zambory, e cila përfaqëson më shumë se 10 mijë infermierë në Saskatchewan, deklaroi se situata në spitale po bëhet shumë e komplikuar dhe ajo vetë është e shqetësuar për fatin e pacientëve. Sipas saj, infermierët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor nuk do jenë në gjendje ta mbajnë sistemin në funksionim normal për një kohë të gjatë. Në veçanti, ajo është ankuar për mungesë stafi, sepse për shkak të COVID-19, ndodh shpesh që disa punonjës nuk mund të paraqiten në punë. Infermierët në detyrë duhet të punojnë vazhdimisht jashtë orarit dhe kjo i ka afektuar pa masë. Në dhomën e urgjencës në Saskatoon, për shembull, kur 15 infermierë janë caktuar për një turn, ka patur raste që prezent kanë qenë vetëm 7, të cilëve u është dashur të punojnë për më shumë se 12 orë pa pushim.

 

New-Brunswick, vendimi për pasaportën vaksinale brenda tri javësh

Blaine Higgs

Kryeministri konservator i New-Brunswick, Blaine Higgs, ka deklaruar dje më 28 Gusht, që qeveria e tij do të vendosë brenda tre javësh nëse do ta bëjë të detyrueshme apo jo pasaportën për vaksinën e COVID-19 dhe nëse do të rivendosë masën për të mbajtur detyrimisht një maskë në vendet publike. “Ne kemi kërkuar shqyrtim nga specialistët për këtë çështje dhe do t’i kemi përgjigjet gati pas dy javësh”, pohoi Higgs për mediat. New-Brunswick ka patur një rritje të rasteve të COVID-19 gjatë muajit të kaluar. Përfshirë dhe 16 raste të reja të konfirmuara të Premten 27 Gusht, numri i rasteve aktive në provincë llogaritet gjithsej 160. Nga ana e saj, numri dy i Shëndetit Publik në New-Brunswick, Cristin Muecke, pat rekomanduar në mes të javës mbajtjen sërssh të maskave ​​në hapësirat publike të mbyllura. Megjithatë, edhe pse disa juridiksione të tjera kanë ri-imponuar mbajtjen e maskave, sipas kreyministrit Blaine Higgs, situata në New-Brunswick nuk e justifikon një masë të tillë. “Nëse shikoni në Manitoba, British Columbia, Quebec apo Ontario, situata vazhdon të jetë shumë e ndryshme nga e jona. Ne nuk kemi pasur asnjë shtrim në spital. Ne nuk kemi pasur asnjë pacient në gjendje të rëndë”, shpjegoi ai. Higgs gjithashtu konfirmoi që gati 75% e banorëve të provinces, të moshës 12 vjeç e lart, tani janë plotësisht të vaksinuar me dy doza, ndërsa mbi 84% kanë marrë të paktën një dozë.

 

Newfounland-Labrador, tragetet i rikthehen funksionimit normal

Pas miratimit nga Komiteti Këshillues Kanadez i Marinës, qeveria e provincës Newfoundland dhe Labrador ka njoftuar të Premten 27 Gusht se tragetet e transportit të pasagjerëve mund t’i rikthehen kapacitetit maksimal që pas fillimit të pandemisë u zvogëlua me 50%. Më pas kufiri i lejuar u vendos në 80% në Gusht 2020 e më vonë  u rrit në 85% në Maj 2021. Komiteti Këshillues i Marinës Kanadeze ka miratuar gjithashtu rifillimin e shërbimit të hotelerisë në të gjitha tragetet e provincës. Para marrjes së këtij vendimi, agjencia federale mori parasysh rekomandimet e autoriteteve të Shëndetit Publik në Newfoundland dhe Labrador.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio Canada

Foto: Radio-Canada