Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 5 Shtator

Mijëra studentë të huaj peng i Immigration Canada

Kanadaja kampion Bote në Hockey për femra

British Columbia, reduktohet intensiteti i zjarreve në pyje

Alberta rekruton infermierë nga provincat e tjera

Kelvin Goertzen betohet si kryeministër par Interim i Manitoba

Sezon turistik i kënaqshëm për bizneset e Montréal

Hap dyert Universiteti Frankofon në Ontario

 

Mijëra studentë të huaj peng i Immigration Canada

Shumica e universiteteve dhe kolegjeve kanadeze fillojnë sesionin e Vjeshtës javën e ardhshme, por ndërkohë mijëra studentë në të katër anët e Botës kanë mbetur peng i procedurave të ngadalësuara nga intitucioni përgjegjës për pajisjen me vizë hyrje dhe leje qëndrimi, Immigration Canada. “Pandemia ka patur ndikim të konsiderueshëm mbi procesin e emigrimit në vend dhe ne e mirëkuptojmë ndjenjën e frustrimin në këto momente të atyre që kanë aplikuar”, i ka deklaruar Radio-Canada, zëdhënësi i IRCC (Immigration, Refugees, Citizenship Canada) Rémi Larivière. Institucioni përkatës e ka justifikuar vonesën me faktin që një pjesë e studentëve të huaj nuk kanë mundur të aplikojnë në afatin e vendosur, që ka qenë data 15 Maj 2021, kjo kryesisht për shkak të situatave specifike të pandemisë COVID-19 në vendet përkatëse. Duket se ndikim ka patur dhe kriza në Afganistan dhe dosjet e saj të trajtuara me prioritet. Kjo vonesë ka ngjallur jo pak pakënaqësi në universitetet dhe kolegjet kanadeze. Aktualisht vetëm Universiteti i Torontos dhe ai McGill në Montréal sipas statistikave kanë në proces studimesh apo të regjistruar për të filluar studimet rreth 36,000 studentë të huaj.

 

Kanadaja kampion Bote në Hockey për femra

Të Martën e kaluar, 31 Gusht, në Calgary të Alberta-s përfundoi Kampionati Botëror i Hockey për femra. Në finale ekipi kanadez triumfoi me rezultatin 3-2 në kohën shtesë, përballë ekipit të SHBA, duke fituar kësisoj kupën dhe medaljet e arta. Amerikanet ndërkohë ishin fituese të trofeut në 5 herët e fundit për këtë kompeticion, ndërsa Kanadaja e rifitoi titullin pas 9 vjetësh. Për vendin e tretë dhe të katërt u përballën Finlanda dhe Zvicra. Finlandezet arritën të fitojnë me rezultatin 3-1 duke marrë dhe medaljet e bronzit.

 

British Columbia, reduktohet intensiteti i zjarreve në pyje

Edhe pse ka ende më shumë se 200 zjarre aktive në pyjet e British Columbia, kushtet e motit janë përmirësuar duke e reduktuar ndjeshëm intensitetin e tyre. Në këtë situatë të re, Ushtria Kanadeze që ndihmoi në terren do të tërhiqet prej andej nga dita e sotme. Burimet lokale janë të mjaftueshme tashmë për përballimin e situatës, sipas qeverisë provinciale, sepse temperaturat janë më të ulëta dhe thatësira është zvogëluar ndjeshëm pas reshjeve që kanë rënë në disa zona. Si rezultat i zjarreve më pak të forta, ekipet tokësore kanë arritur të ndërhyjnë në kushte më pak të rrezikuara dhe me metoda më të drejtpërdrejta afër vatrave të zjarreve. Numri i zjarreve aktivë mbetet ende i lartë, 212, por para 10 ditëve kjo shifër ishte 250.

 

Alberta rekruton infermierë nga provincat e tjera

Alberta po komunikon me agjenci rekrutimi jashtë provincës për të punësuar infermierë me kontratë. Ndërkohë që provinca po përballet me valën e katërt të COVID-19, në një tentativë emergjente, Alberta Public Health synon t’i japë zgjidhje situatës në kushtet e pamjaftueshmërisë së shtretërve dhe stafit në spitale. Unioni i Infermierëve të Alberta-s deklaroi për Radio-Canada që tentativat për sigurimin e stafit shtesë me kontratë po realizohen përmes kompanive private Greenstaff Medical Canada në Toronto, Brylu Staffing në Vancouver dhe Northern Nursing Solutions në Airdrie. Rritja e numrit të shtrimeve në spital po i detyron Shërbimet Shëndetësore të shtyjnë shumë operacione, përfshirë gjysmën e atyre të planifikuara për zonën e Edmonton. Zona më e prekur është Veriu i provincës, ku javën e ardhshme pritet një reduktim i operacioneve në masën 60%.

 

Kelvin Goertzen betohet si kryeministër par Interim i Manitoba

Kelvin Goertzen

Nga 1 Shtatori, zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështjet Legjislative dhe Publike të provincës Manitoba, Kelvin Goertzen, ka bërë betimin dhe ka marrë detyrën e kryeministrit par Interim, duke zëvendësuar në këtë post Brian Pallister, i cili dha dorëheqjen para një jave. Deputet i zonës elektorale Steinbach prej vitit 2003, Goertzen u miratua të marrë drejtimin e qeverisë nga grupi i deputetëve dhe organet vendim-marrëse të Partisë Progresiste-Konservatore të Manitoba-s. Ai do të drejtojë gjithashtu partinë deri më 30 Tetor, dita e caktuar për zgjedhjen përfundimtare të një lideri të ri. Më parë, Kelvin Goertzen ka drejtuar dhe ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit. Tashmë ai është kryministri i 23-të i provincës ku Konservatorët kanë 36 deputetë në një parlament me 57 vende. 18 deputetë janë të NDP, ndërsa 3 janë të Partisë Liberale.  

 

Sezon turistik i kënaqshëm për bizneset e Montréal

Koha e bukur gjatë Gushtit, por edhe fundjava e gjatë për shkak të Festës zyrtare të Punës, ka rritur jo pak optimizmin këto ditë tek tregëtarët dhe pronarët e hoteleve dhe restoranteve në Montréal. Duket se sezoni turistik i sivjetëm ka qenë më produktiv se ai i vitit të kaluar. Edhe pse ende ka shumë pak turistë amerikanë, për shkak të masave anti-pandemi, nuk kanë munguar të tillë nga provinca e Ontario-s dhe provincat e tjera të Perëndimit. Sidomos të shumtë kanë qenë qytetarët nga Toronto që kanë frekuentuar metropolin frankofon këto javët e fundit. Një turiste nga Toronto i ka pohuar Radio-Canada që të vish në Montréal, qytet i veçantë, është njëlloj sikur të shkosh në Europë pa patur nevojë të marrësh avionin, aq më tepër që shkalla e vaksinimit në provincën e Québec është më e lartë se në Ontario. Aktualisht, numri i rezervimeve në hotele ka kaluar 50% të kapacitetit. Nëse në Vjeshtë vala e katërt e pandemisë nuk do godasë fort, pritet që ardhja në masë e turistëve nga SHBA t’i përmirësojë akoma më shumë shifrat.

 

Hap dyert Universiteti Frankofon në Ontario

Më ne fund pas shumë vite përpjekjesh të komunitetit franko-ontarian, në Toronto do hapë dyert këtë Shtator Universiteti Publik Frankofon i Ontario-s, i garantuar tashmë edhe nga legjislacioni provincial. Përpjekjet për realizimin e këtij projekti kanë nisur qysh në fund të viteve 60-të, kur nisi reduktimi i numrit të studentëve frankofonë në Universitetin e Ottawa-s (dygjuhësh) dhe për shkak të kufizimeve që iu vune Laurentian University, sa i takon numrit të programeve në gjuhën frënge. Nxitjen më të madhe gjatë viteve të fundit realizimit të këtij projekti në Ontario, ia dhanë dy organizma, Rrjeti i Studentëve Franko-Ontarianë dhe Asambleja Frankofone e Ontario-s. Ligji përkatës për krijimin e këtij universiteti u miratua nga Parlamenti Provincial në vitin 2017 dhe institucioni u themelua ligjërisht më 2018. Ardhja e Doug Ford në pushtet e pat frenuar disi avancimin e projektit, por pas presionit të vazhdueshëm të komunitetit frankofon , që në Ontario e kalon shifrën 1 milion, u arrit një marrëveshje tri-palëshe me qeverinë federale dhe provinciale, për financimin e projektit për një periudhë 8 vjeçare. UOF (Université de l’Ontario Français) është vendosur në një godinë të re, në pjesën e poshtme të rrugës Jarvis, në Downtown jo shumë larg Lakeshore. Tashmë sfida kryesore mbetet sigurimi i kapacitetit financiar në një periudhë afatgjatë. Aktualisht programet që ofrohen në nivel Bachelor i specializuar por edhe Çertifikata, janë në shkenca humane, edukim, administrim, teknologji numerike, urbanistikë dhe ambient.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada