Kanada

Kanadaja rihap kufijtë për të gjithë udhëtarët e huaj që kanë marrë dy doza vaksine

  • Published in Kanada

Duke filluar nga nesër, 7 Shtator, të gjithë udhëtarët e huaj të vaksinuar dy herë do lejohen të udhëtojnë drejt Kanadasë për arsye jo esenciale siç është turizmi, përfshirë dhe ata persona që do arrijnë nga vendet ku virusi po përhapet më shpejt.

Kjo zbutje e kufizimeve bazohet në të dhënat më të fundit në dispozicion, provat shkencore dhe situatën epidemiologjike si në Kanada ashtu edhe jashtë saj, ka deklaruar qeveria federale në një deklaratë për shtyp që citohet prej Radio-Canada. Qeveria gjithashtu ka pohuar se ndërsa aktualisht ka një rritje të rasteve ditore me COVID-19, efektet e sëmundjes dhe normat e shtrimit në spital mbeten të menaxhueshme, pasi kuota e vaksinimit në Kanada vazhdon të rritet.

Sidoqoftë, studiuesit dhe ekspertët po vënë në pikëpyetje këtë lehtësim të ri federal, i cili nuk merr parasysh nivelin e qarkullimit të virusit jashtë vendit, përveç Indisë dhe Marokut, vende fluturimet e drejtpërdrejta me të cilët janë pezulluar përkohësisht nga Ottawa. Ndryshe nga Evropa, për shembull, ku një klasifikim i vendeve është krijuar në bazë të treguesve shëndetësorë për udhëtimet, Kanadaja do të bëhet e aksesueshme nga cilido me dy doza vaksine pa kontroll gjeografik.

Qasja evropiane ndaj parimit të parandalimit do kish qenë e duhura për Kanadanë, i ka deklaruar Radio-Canada Prof. Marie-Pascale Pomey, profesoreshë në Shkollën e Shëndetit Publik, Departamenti i Menaxhimit, Vlerësimit dhe Politikës Shëndetësore në Universitetin e Montrealit. “Unë mendoj se kjo është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme për t'u marrë parasysh”, - pohoi ajo sot në mikrofonin e emisionit “Tout un matin”, “veçanërisht kur varianti Delta filloi të rritet”. Prof. Pomey mbështet një vlerësim të riskut që do të identifikonte më mirë mundësinë që një udhëtar të jetë bartës i virusit pas mbërritjes në Kanada duke marrë informacion për shembull për itinerarin e tij.

Duket që qeveria federale, tashmë në fushatë elektorale në kërkim të rikonfirmimit, po justifikohet ndërkohë me efektivitetin e politikave të saj shëndetësore për të legjitimuar lehtësimin e kufizimeve, duke përmendur si argument shkallën shumë të ulët të personave të testuar pozitivë në mbërritje. Midis 9 Gushtit dhe 26 Gushtit, për shembull, shkalla e personave të testuar pozitivë plotësisht të vaksinuar të zgjedhur rastësisht në testimin kufitar ishte 0.19% (ose 112 teste pozitive nga 58.878 teste të kryera). Por a mund te jetë ky një argument i mjaftueshëm?

I cituar nga i njejti burim, imunologu i Institutit të Kërkimeve Klinike të Montrealit, André Veillette, për shembull, e merr me rezervë efektivitetin e këtyre testeve. Sipas tij, edhe nëse dikush rezulton negativ tre ditë para se të arrijë, sepse është i vaksinuar, ky person mund ta marrë virusin pas testimit dhe ta bartë me vete në Kanada. Dr. Veillette ka rekomanduar teste me kohëzgjatje nën 48 orë dhe gjithashtu ka kujtuar faktin që tek udhëtarët që i kanë marrë dy dozat para 5-6 muajsh, tashmë mund të ketë rënë imuniteti.

Në thelb, lehtësimi i vendosur nga Ottawa (që nuk përjashtohet të jetë ndikuar edhe nga fushata elektorale për shkak se lehtëson edhe kushtet e vizitave për arsye familjare) nënkupton që nuk do të jetë më e nevojshme të provohet një arsye esenciale për të fluturuar drejt Kanadasë, ashtu siç kanë përfituar prej 9 Gushtit edhe shtetasit e SHBA.

Udhëtarët e huaj do të duhet të paraqesin një provë zyrtare të vaksinimit në kufi dhe vaksinat e licencuara në Kanada mbeten të vetmet të pranuara nga zyrtarët doganorë, përkatësisht Johnson&Johnson, AstraZeneca, Moderna dhe Pfizer-BioNTech. Udhëtarët gjithashtu do të duhet të paraqesin një test me rezultat negativ për COVID-19, të kryer jo më vonë se 72 orë para fluturimit ose mbërritjes së planifikuar në pikën kufitare tokësore kanadeze.

Të gjithëve do t’u kërkohet gjithashtu të paraqesin dëshmi të vaksinimit përmes aplikacionit ArriveCAN ose portalit në internet. Dëshmia e dytë e vaksinimit duhet të datojë të paktën 14 ditë para mbërritjes në Kanada. Së fundi, udhëtarët do t’u duhet të konfirmojnë se nuk vuajnë nga simptomat e COVID-19.

©Flasshhqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Foto: Maud Cucchi/Radio-Canada, Jack Guez/Agence France-Presse