Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 12 Shtator

  • Published in Kanada

(Churchill-Manitoba)

E ardhmja e rezervave kanadeze të naftës në pikëpyetje

British Columbia, pronari ndërpret aktivitetin që të shplodhen punonjësit

Manitoba, fëmijët e lumtur të shkollës së pyllit

New Brunswick, evakuohet Universiteti pas një alarmi për vendosje bombe

Nova Scotia, gjendet pa jetë buzë oqeanit një balenë blu 25 metra e gjatë

 

E ardhmja e rezervave kanadeze të naftës në pikëpyetje

Sipas një raporti të një grupi studiuesish britanikë të University College London (UCL), shumica dërrmuese e rezervave të naftës dhe gazit të Kanadasë do duhet të mbeten të pashfrytëzuara, që planeti të ketë të paktën një në dy shanse për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius. Sasia në fjalë, përfshin 84% të 49 miliardë fuçive të rezervave të naftës të gjendura në rërën bitumimoze. Kjo përqindje është një nga më të lartat në botë, sipas autorëve të studimit të botuar këtë javë në revistën shkencore Nature dhe në total, rreth 60% e rezervave botërore të naftës dhe gazit dhe 90% e rezervave të qymyrit duhet të mbeten nën tokë për të përmbushur objektivat klimatike të Marrëveshjeve të Parisit.

 

British Columbia, pronari ndërpret aktivitetin që të shplodhen punonjësit

I ndërgjegjshëm për sfidat me të cilat përballen punonjësit e sektorit të restoranteve muajt e fundit, një sipërmarrës në Kamloops, British Columbia, ka vendosur të ndërpresë aktivitetit për t’i dhënë kohë personelit të tij prej 40 vetësh të shplodhet. Rob Stodola, pronar i dy restoranteve me kuzhinë meksikane Senor Froggy, u ka ofruar punonjësve një javë suplementare pushim të paguar, duke filluar nga 13 Shtatori. Sipas Stodola, disa ngjarje kanë ndikuar në rritjen e nivelit të stresit tek personeli i tij që nga pranvera e vitit 2020. Sipërmarrësi jo vetëm që i është referuar COVID-19, por edhe zbulimit të varreve pa emër në territorin e ish-Shkollës Rezidenciale autoktone të Kamloops, valës së të nxehtit vdekjeprurëse në provincë si dhe zjarreve që përfshinë shumë sipërfaqe pyjore. Dy restorantet do të rihapin dyert më 21 Shtator.

 

Manitoba, fëmijët e lumtur të shkollës së pyllit

Një dokumentar i realizuar kohët e fundit në Winnipeg, përshkruan se si edhe gjatë dimrit në Manitoba klasat e mësimit në shkollë mund të zhvendosen në pyll. Dokumentari eksploron programin e Shkollës së Pyllit në FortWhyte Alive Winnipeg, si dhe nisma të ngjashme shkollore që u krijojnë mundësinë fëmijëve të zhvillojnë mësimin në në natyrë gjatë gjithë vitit shkollor. Nga Shtatori deri në Qershor, mësuesit dhe nxënësit qëndrojnë jashtë, edhe në dimrin e ftohtë, përveç ditëve shumë të ftohta. Ky program duket se është frymëzuar nga një qasje evropiane që ka ekzistuar për më shumë se 50 vjet. Dokumentari Shkolla e Pyllit, eksploron gjithashtu aspekte të ndryshme të konceptit duke u fokusuar tek mësuesit, fëmijët dhe prindërit e tyre.

 

New Brunswick, evakuohet Universiteti pas një alarmi për vendosje bombe

Ka qenë një alarm për vendosje bombe që provokoi të Premten 10 Shtator evakuimin e kampuseve të Universitetit të New Brunswick (UNB) në Fredericton, Saint John dhe Moncton. Sipas policisë, kur u mor kërcënimi me telefon, nuk u specifikua se për cilin kampus bëhej fjalë dhe më pas ato u mbajtën të mbyllura deri në mesnatën e së Premtes. Çdo gjë u kthye në normalitet të Shtunën në mëngjes. Urdhëri për evakuim u zbatua gjithashtu nga kampuset e Universitetit Saint-Thomas dhe Kolegjit të Komunitetit New Brunswick (NBCC) në Fredericton, të cilat ndodhen pranë Universitetit të New Brusnswick. Ndërkohë policia po vazhdon hetimet.

 

Nova Scotia, gjendet pa jetë buzë oqeanit një balenë blu 25 metra e gjatë

Një balenë blu rreth 25 metra e gjatë është gjendur pa jetë këtë javë në plazhin Crystal Crescent Beach buzë Atlantikut pranë Halifax. Kjo është një specie që konsiderohet e rrezikuar të zhduket, ndaj dhe specialistët ambientalistë janë përpjekur të zbulojnë shkaqet pse balena përfundoi në breg, pasi ishte deklaruar e zhdukur qysh të Mërkurën në mbremje nga Roja Bregdetare Kanadeze. Andrew Ride, punonjës i Marine Animal Response Society, i cituar nga Radio-Canada, ka pohuar se për faktin që mbi trupin e balenës nuk kishte asnjë shenjë lëndimi të jashtëm, një nekropsi do jetë e domosdoshme të kryhet për të përcaktuar shkakun pse cetaceja ka përfunduar pa jetë në breg. I njejti burim ka deklaruar se ky është rasti i tretë i ngjashëm në katër vitet e fundit në Nova Scotia. Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës e klasifikon balenën blu si një specie e rrezikuar, megjithëse numri saj është rritur dhe aktualisht vlerësohet se ekzistojnë nga 5,000 deri në 15,000 balena blu në moshë të rritur në të gjithë botën.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada, Travel Manitoba

Tagged under Flasshqip.ca