Kanada

Zgjedhjet e 20 Shtatorit: cili program financiar është më i besueshëm? -  Nga Gérald Fillion

  • Published in Kanada

Gérald Fillion, është gazetari dhe kronisti kryesor i Radio-Canada në frengjisht, i specializuar për ekonominë dhe drejtues i programit Zona Ekonomike.

Mendoj se kanadezët nuk do ta bazojnë zgjedhjen e tyre nesër mbi premtimin për një kreditim takse apo një transfertë federale, ose sepse atyre u ofrohet të mos paguajnë një muaj GST apo u premtohet një stacion për karikimin e makinës që punon me energji elektrike. Të vendosësh për votën tende është pak më e thellë se kaq dhe kredibiliteti i një programi financiar është më kryesori për të vendosur se cili është projekti që përshtatet më shumë me bindjet dhe interesat tona.

Ndaj dhe për secilën forcë politike është e rëndësishme të paraqiten platforma të përllogaritura si duhet, realiste, konkrete dhe që kanë mundësi reale për t'u zbatuar.  Kujt do t’i shërbenin, më thoni, premtimet e parealizueshme, të hartuara jo si duhet dhe të pabazuara mbi një vlerësim financiar të besueshëm?

Që nga fillimi i fushatës elektorale, qindra propozime dhe premtime u shpallën nga partitë e ndryshme që synonin t’iu bindin ju si zgjedhës. Megjithatë, u desh kohë që secila prej palëve të përcaktonte saktë numrin e propozimeve dhe të paraqiste një program financiar në mbështetje të tyre.

Diku afër mesit të fushatës, Liberalët ishin të parët që publikuan shifrat e tyre. Më saktë në 1 Shtator. Block Québecois e publikoi programin e tij më 8 Shtator, para debatit në frëngjisht, ndërsa Konservatorët pritën deri në fillimin të mbrëmjes, dy orë para debatit, për të bërë publik të tyrin. NDP zgjodhi një të shtunë të bukur me diell për të shpallur programin e saj financiar, pikërisht më 11 Shtator. Partia e Gjelbër, nga ana e saj, është ende duke pritur kur të vijë koha për të publikuar këtë tekst. Zgjedhjet janë nesër!

Unë po ju ofroj një analizë të shkurtër të katër programeve financiare të publikuara gjatë fushatës.

NDP: shumë shpenzime, shumë të ardhura

Programi me më shumë shpenzime është ai i NDP-së: 214 miliardë dollarë shpenzime të reja. Thënë kështu, është gjithashtu NDP-ja ajo që premton rënien më të madhe të borxhit, që, sipas analizës së ekspertëve të partisë, do të ulet nga një vlerë prej 48% e PBB -së në 2021-2022 në 45.8% në 2025-2026.

NDP-ja propozon një plan ambicioz. Ka shumë shpenzime të reja për zbatimin e reformave të mëdha: një sistem pan-kanadez i kujdesit për fëmijët, një program universal për mbulimin e medikamenteve, mbulim të kujdesit dentar, të ardhura minimale të garantuara për personat me aftësi të kufizuara.

Për të financuar këto programe të reja, NDP kërkon 150 miliardë dollarë gjatë pesë viteve nga më të pasurit me një rritje të taksimit të fitimeve kapitale, një taksë pasurie, një rritje të kufirit më të lartë të taksave deri në 35% dhe deduktime shtesë të taksave për kompanitë.

NDP-ja po propozon nga 40 deri në 45 miliardë dollarë shpenzime të reja gjatë një viti dhe nga 30 miliardë dollarë deri në 35 miliardë dollarë të ardhura të reja. Ky është një propozim ambicioz, por zbatimi, krahasuar me shkallën e reformave të nevojshme, duket jo realist. Nuk do të jetë e lehtë të shmangësh zhvendosjen gjetkë të kapitaleve nga më të pasurit, të cilët i kanë të gjithë profesionistët e taksave që u duhen për të shmangur taksat shtesë mbi pasuritë e tyre.

Partia Liberale: parashikime të paqarta për të ardhurat

Qasja Liberale është më modeste, por Liberalët nuk po ndryshojnë agjendën e tyre: do të ketë më shumë shpenzime të reja sesa të ardhura të reja në pesë vitet e ardhshme.

Partia Liberale propozon nga 13 deri në 18 miliardë dollarë investime të reja gjatë një viti dhe deri 8 miliardë të ardhura të reja. Gjysma e të ardhurave të reja bazohen, ashtu si në rastin e NDP, në parashikime relativisht të paqarta: duke i dhënë më shumë kompetenca Canada Revenue Agency, Partia Liberale shpreson të mbyllë vrimat fiskale dhe të rrisë të ardhurat. Të synosh strategji fiskale që kanë si target më të pasurit është normale në rastin e saj, por mundësitë e rritjes së të ardhurave mbeten të pasigurta.

Nga ana tjetër, propozimi kryesor i programit Liberal mbetet sistemi i kopshteve për fëmijët në të gjithë vendin, një njoftim i bërë para zgjedhjeve. Liberalët po propozojnë gjithashtu një rritje të Suplementit të të Ardhurave të Garantuara, krijimin e një Llogarie Kursimi të pataksueshme imobiliare dhe një tjetre për blerjen e shtëpisë së parë. Në këtë rast Justin Trudeau ka kopjuar Stephen Harper, por nën një fasadë të re. Liberalët parashikojnë një rënie të borxhit, nga 48.5% në 46.5%, objektiv ky më modest se NDP-ja, por ata nuk kanë asnjë objektiv në horizont për të synuar deficitin zero.

Partia Konservatore: synimi deficit zero brenda 7 deri 10 vjetëve

Partia Konservatore është partia e vetme që flet për një buxhet të balancuar. Ajo dëshiron të arrijë këtë objektiv në 7 deri 10 vjet. Investimet e reja të planifikuara nga Konservatorët arrijnë në 51 miliardë dollarë, më shumë se gjysma për vitin aktual fiskal.

Konservatorët synojnë të përdorin disa programe të përkohshme për të stimuluar ekonominë dhe për të ulur gradualisht shpenzimet, çka do të zvogëloje gradualisht dhe deficitin. Në vitin e tretë të një qeverie konservatore, praktikisht parashikohet të mos ketë më shpenzime të reja në programin financiar. Konservatorët deklarojnë se do të tregohen të kujdesshëm duke mos kërkuar të ardhura shtesë për stimulimin e ekonomisë. Kjo është një gjë e arsyeshme, sepse nuk ka gjasa, sipas ekonomistit Serge Coulombe, që të ardhurat konservatore të dyfishojë papritur rritjen e PBB-së në Kanada.

Një pjesë e programit financiar të Konservatorëve mbështetet te anulimi i premtimit Liberal për krijimin e një sistemi federal kopshtesh për fëmijët në rang vendi, duke ekonomizuar në këtë rast më shumë se 27 miliardë dollarë gjatë pesë viteve. Konservatorët megjithatë, kanë premtuar 10 miliardë dollarë për të financuar programin e stabilizimit fiskal dhe marrëveshje të veçanta me provincat. Pikërisht nga kjo paketë, Erin O'Toole synon të shpenzojë një pjesë për të kompensuar Québec-un, për shkak se marrëveshja prej 6 miliardë dollarësh për kopshtet e fëmijëve e ofruar nga Trudeau pak para shpalljes së zgjedhjeve do të anulohet.

Block Québecois: një program financiar jo i plotë

Dy të tretat e programit financiar të Block Québécois synojnë rritjen e transfertave në fushën e shëndetësisë në favor të provincave: mesatarisht 30 miliardë dollarë në vit transferta shtesë drej tyre, një kërkesë kjo e Quebéc dhe e të gjithë kryeministrave të tjerë të provincave.

Problemi me programin financiar të Bllokut është se ai shtrihet në tre vjet në vend të pesë viteve. Deputeti i Block dhe profesor i ekonomisë Gabriel Sainte-Marie, deklaron se nuk është e mundshme, duke pasur parasysh pasiguritë aktuale, për të bërë parashikime për një periudhë më të gjatë. Megjithatë, Drejtori Parlamentar i Buxhetit dhe tre partitë e tjera i kanë bërë parashikimet pesë vjeçare.

Ekonomistët prej vitesh u kanë kërkuar qeverive të projektojnë mbi pesë vjet në mënyrë që të kenë një ide më të mirë të parashikimit të buxhetit. Ndërkohë Block arrin në më shumë se 50 miliardë shpenzime të reja në vitin e tij 3, që do të thotë dyfishi i të ardhurave të reja të identifikuara.

Ashtu si NDP, Block Québecois synon të tatojë më të pasurit me një taksë të njëhershme mbi pasuritë prej më shumë se 10 milion dollarë dhe një taksë prapavepruese mbi fitimet e jashtëzakonshme të regjistruara gjatë pandemisë nga kompani të caktuara. Block propozon gjithashtu të injektohen deri në 7 miliardë dollarë çdo viti për rritjen e pensioneve me 110 dollarë në muaj, e indeksuar kjo me koston e jetesës, për personat 65 vjeç e lart. Block Québecois në programin e tij financiar nuk ka dhënë parashikime mbi evolucionin e borxhit në raport me PBB-në.

Votim të mbarë!

Burimi: Radio-Canada