Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 19 Shtator

  • Published in Kanada

(Qu'Appelle River, Saskatchewan)

Rikthehen para publikut Orkestra sinfonike dhe Opera e Vancouver

Në Alberta gjendet një targë automjeti mbi 100 vjeçare

E Shtunë me temperatura rekord në Saskatchewan

Në veri të Manitoba uji i pijshëm mbetet ende produkt luksi për autoktonët

Nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale në provincën e Québec

Kërkohet pezullimi i një vendimi për të pastrehët në Halifax

Newfoundland përballet me një ciklon tropikal

50 të shtëna me armë zjarri mbrëmë në një zonë të Torontos

 

Rikthehen para publikut Orkestra sinfonike dhe Opera e Vancouver

Pas një viti koncertesh virtuale, këtë fundjavë iu rikthyen skenës Orkestra sinfonike dhe Opera e Vancouver në British Columbia. Më entuziastët kanë qenë vetë artistët të cilët kanë rigjetur nga afër publikun e tyre. Të Shtunën në mbrëmje, 18 Shtator, Orkestra sinfonike, nën drejtimin e dirigjentit Otto Tausk, zhvilloi një koncert në Teatrin Orpheum, ku morën pjesë 1200 spektatorë, numër ky që përbën 50% të kapacitetit të sallës. Përjashto instrumentistët e veglave frymore, të gjithë muzikantët e tjerë kanë mbajtur maskë gjatë koncertit. Opera e Vancouver gjithashtu realizoi rikthimin e saj të Shtunën pasdite me një shfaqje falas në natyrë. Kjo ishte e para shfaqje që mbahej para një audience që nga Shkurti i vitit 2020 dhe në Dhjetor shpresohet që trupa t’i zhvillojë sërish shfaqjet në Teatrin Queen Elizabeth.

 

Në Alberta gjendet një targë automjeti mbi 100 vjeçare

Teksa gërmonin në brigjet e lumit Bow, punëtorët e Bashkisë Calgary zbuluan këtë javë një targë të Alberta-s që i përket vitit 1913. Zbulimi u bë në qendër të qytetit pranë Bridge Street, e cila lidh Riverfront Avenue me Memorial Drive. Jeff Baird, inxhinier i Bashkisë Calgary, i cituar nga Radio-Canada, ka pohuar se targa u gjet ndërsa ekipi po punonte për të ndërtuar një barrierë kundër përmbytjeve pranë një ure që është ndërtuar në vitin 1916. Bashkia po bashkëpunon me një arkeolog si dhe me provincën për të kataloguar këtë gjetje dhe për të patur më shumë detaje rreth këtij artefakti.

 

E Shtunë me temperatura rekord në Saskatchewan

Shtatëmbëdhjetë rekorde të nxehtësisë u thyen në Saskatchewan të Shtunën 18 Shtator, disa prej të cilëve ekzistonin prej 80 e më shumë vjetësh. Sipas Environment Canada, temperaturat u rritën deri në rreth 34 gradë Celsius në disa pjesë të provincës. Tre rajone thyen rekordet e nxehtësisë që datojnë të paktën 80 vjet më parë. Nipawin arriti 30.5 gradë Celsius ndërsa rekordi i mëparshëm ishte në 1940, 29.4 gradë Celsius. Dy zonat e tjera Broadview dhe Indian Head thyen rekorde që datojnë që nga viti 1941. Në rajonin Coronach, temperatura shkoi 34 gradë Celsius. Rekordi i vjetër për 18 Shtatorin pat qenë vendosur në 1981 dhe ishte 31 gradë Celsius. Në zonat Weyburn dhe Assiniboia, mërkuri u ngrit ndjeshëm deri në 33.5 gradë Celsius. Në Regina, ku rekordi i vjetër prej 31.8 gradë Celsius ish vendosur në 1980, temperatura arriti 33.3 gradë Celsius. Rajoni Yorkton regjistroi gjithashtu një nga rekordet më të mëdha, duke u rritur nga 28.2 (1994) në 30.3 gradë Celsius sivjet.

 

Në veri të Manitoba uji i pijshëm mbetet ende produkt luksi për autoktonët

Dy komunitete autoktone në Manitoba-n veriore janë gjobitur për parametrat e ujit të pijshëm prej disa vitesh dhe duket se janë ende larg zgjidhjes. Komuniteti Shamattawa është gjobitur që nga viti 2018 dhe ai Tataskweyak Cree që nga viti 2017. Të dy komunitetet kanë impiante të trajtimit të ujit të pijshëm, por asnjëri nuk mund të furnizojë ujë të pijshëm konform parametrave ligjorë. Sipas faqes së internetit të qeverisë federale, janë bërë ndërhyrje në këto impiante, por përfaqësues lokalë mohojnë që këto ndërhyrje të kenë sjellë ndonjë përmirësim. Impiantet janë ndërtuar në vitet 1980, por uji i tyre aktualisht përdoret vetëm për aktivitete shtëpiake si larja e rrobave dhe nuk është i përshtatshëm për t’u pirë. Këto dy komunitete që jetojnë rreth 700 kilometra në verilindje të Winnipeg, për nevojat e tyre ushqimore përdorin ujin që tregëtohet me shishe. Sipas disa studiuesve të Universitetit të Calgary, shpesh problemet me ujin e pijshëm të autoktonëve kanë ardhur për shkak të financimit të pamjaftueshëm për mirëmbajtjen e impianteve, problem që kërkon më shumë mbështetje nga niveli federal për të fituar kohën e humbur.

 

Nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale në provincën e Québec

Të Premten 17 Shtator, ka nisur zyrtarisht në 1100 bashkitë e Québec fushata për zgjedhjet lokale. Fushata do të zgjasë 52 ditë, ose pak më shumë se shtatë javë dhe do të përfundojë të Dielën, 7 Nëntor, data në të cilën qytetarët e provincës do të ushtrojnë të drejtën e votës. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 9:30 e mëngjesit deri në 20:00 në mbrëmje. Këtë vit, zgjedhjet lokale do të mbivendosen edhe me ato në bordet e shkollave anglofone, të cilat do të mbahen të Dielën, më 26 Shtator. Për zgjedhjet lokale votimi paraprak do të jetë i mundur të Dielën, 31 Tetor, nga ora 9:30 e mëngjesit deri në 20:00 në mbrëmje. Megjithatë, sipas nevojës bashkitë janë te lejuara të shtojnë edhe ditë të tjera nëse gjykohet e nevojshme.

 

Kërkohet pezullimi i një vendimi për të pastrehët në Halifax

Më shumë se 100 qytetarë u mblodhën të Shtunën 18 Shtator, para godinës së Bashkisë Halifax, për të protestuar ndaj mënyrës se si kjo bashki e trajton problemin e të pastrehëve në territorin e saj. Më 18 Gusht të këtij viti, Bashkia Rajonale Halifax urdhëroi dëbimin e të pastrehëve të detyruar të jetojnë në territorin e disa parqeve të qytetit. Çmontimi i kampeve të tyre të improvizuara pat tërhequr protestuesit në qendër të qytetit dhe policia ndërhyri për t'i larguar ata. “Kriza e strehimit vazhdon në Halifax dhe ka pak banesa me çmime të përballueshme në dispozicion. Ekziston një ndjenjë e fortë frike dhe ankthi mes njerëzve të pastrehë, të cilët besojnë se pavarësisht se ku shkojnë, ata gjithmonë do të dëbohen”, ka deklaruar për Radio-Canada Drew Moore, zëdhënës i organizatës P.A.D.S. që kujdeset për të pastrehët. Në fund të Gushtit, Këshilli i Bashkisë Halifax miratoi shumën prej 500.000 dollarësh për ndërtimin e disa strehimoreve emergjente dhe votoi për të shpenzuar një pjesë të fondeve nga një program federal për ndërtimin e 85 apartamenteve të reja me kosto të përballueshme.

 

Newfoundland përballet me një ciklon tropikal

Shirat e dendur dhe erëra e forta prekën gadishujt Avalon dhe Burin në Newfoundland gjatë ditë së sotme. Sipas Environment Canada, priteshin deri 90 mm reshje në disa zona si dhe erëra të forta me shpejtësi deri 120 km/orë përgjatë bregdetit. Këto shira të dendur mund të shkaktojnë përmbytje të shpejta dhe akumulim të konsiderueshëm të ujit në rrugë. Në veri të ishullit, priteshin gjithashtu erëra të forta me shpejtësi 80 deri në 100 km/orë.

 

50 të shtëna me armë zjarri mbrëmë në një zonë të Torontos

Tre persona rreth moshës 20 vjeç kanë qenë shënjestër e një breshërie të shtënash në lagjen Regent Park, në lindje të qendrës së Torontos, të shtunën 18 Shtator në mbrëmje. Njëri prej tyre humbi jetën. Policia mbërriti pranë Oak dhe Sumach Street pak para orës 21:00 dhe sipas Inspektorit të Policisë së Torontos Michael Williams, i cituar nga Radio-Canada, me mbërritjen e patrullës së policisë në vendgjarje u konstatuan tre persona të goditur me armë zjarri, njëri prej të cilëve u deklarua i vdekur. Dy të tjerët u dërguan në spital, ku njeri prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike. Sipas hetimeve paraprake, mendohet se katër persona kane hapur zjarr ndaj tre viktimave. Sipas policisë, nuk ka asnjë indikacion që tre viktimat të kenë përdorur armë. Skena e ngjarjes duket se ka qenë e gjerë dhe sipas policisë ka patur rreth 50 të shtëna, një sasi kjo shumë shqetësuese për një zonë kaq të populluar. Ngjarja ndodhi pranë një sheshi lojrash dhe disa komplekseve apartamentesh.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada