Kanada - Krerët e Kishës Katolike kërkojnë zyrtarisht falje për shkollat rezidenciale autoktone
- Published in Aktualitet
Konferenca Kanadeze e Ipeshkëve Katolikë në deklaratën përmbyllëse të takimit të saj plenar vjetor, që u zhvillua virtualisht dhe kishte për fokus procesin e pajtimit, i kërkoi sot falje zyrtarisht komuniteteve autoktone të Kanadasë për abuzimet e ndodhura në shkollat rezidenciale për fëmijët autoktonë.
“Ne përfitojmë nga ky rast për t'u pohuar popujve autoktonë të këtij vendi se ne i pranojmë vuajtjet e përjetuara në shkollat rezidenciale në Kanada, ne i pranojmë abuzimet serioze që janë kryer nga disa anëtarë të komunitetit tonë, abuzime fizike, psikologjike, emocionale, shpirtërore, kulturore dhe seksuale”, thuhet në deklaratën e ipeshkëve katolikë.
Konferenca gjithashtu ka konfirmuar se një delegacion kanadez, në përbërje të të cilit do ketë edhe të mbijetuar nga shkollat rezidenciale, do takohet me Papa Françeskun në Romë Dhjetorin e ardhshëm. Sipas ipeshkëve, kjo vizitë do të shënojë kalimin në një stad të ri të marrëdhënieve midis Kishës dhe komuniteteve autoktone, më vështrim nga e ardhmja si dhe do synojë edhe krijimin e mundësisë për realizimin e një vizite të të Atit të Shenjtë në Kanada, si hapi më i rëndësishëm në këtë proces të gjatë dhe shpresëdhënës shërimi e pajtimi shpirtëror.
Krerët katolikë kanadezë janë angazhuar të mbledhin fonde në mbështetje të procesit si dhe për vënien në dispozicion të të gjithë dokumenteve që do të ndihmojnë identifikimin dhe përkujtimin e të gjithë atyre fëmijëve që janë varrosur në varre anonime brenda territoreve të ish-shkollave rezidenciale.
Falja e sotme zyrtare është një kthesë historike e rëndësishme, është i pari gjest i këtij niveli nga ana e Kishës Katolike në Kanada për sa i takon shkollave rezidenciale autoktone. Qershorin e kaluar, Kisha vetëm sa pat pohuar se përgjegjësia i takonte dioqezave dhe urdhrave fetarë që i administronin ato, dhe jo vetë institucionit në tërësi
Është i njohur fakti se Kisha Katolike ka qenë përgjegjëse për funksionimin e më shumë se 70% të shkollave rezidenciale për autoktonët dhe sipas Shoqatës së të Mbijetuarve të Shkollave Rezidenciale Autoktone, më shumë se 150.000 fëmijë Inuitë ose Metisë janë me detyruar forcë t’i ndjekin ato, në një perpjekje të paskrupullt asimiluese shtetërore qe ka zgjatur më shumë se 100 vjet.
Ndryshë nga Kisha Katolike, Kisha e Bashkuara Anglikane dhe Presbiteriane që gjithashtu pati administruar shkolla rezidenciale, kërkoi zyrtarisht falje për rolin e saj qysh në vitin 1998.
Nga ana e tij, edhe kryeministri Justin Trudeau, i mbështetur nga i gjithë spektri politik, insistoi qysh në Qershor të këtij viti (pas zbulimi të varrezave anonime në British Columbia) që Kisha Katolike të kërkonte zyrtarisht falje. “Në vend që të na detyrojnë t’i drejtohemi gjykatës, shpresoj që udhëheqësit fetarë katolikë ta kuptojnë se është më mirë ta bëjmë këtë në partneritet dhe marrëveshje”, pat deklaruar ai. Të njëjtën gjë e patën kërkuar dhe të mbijetuarit dhe krerët e komuniteteve autoktonë.
Zbulimi i varrezave anonime të femijëve në disa territore ish-shkollash rezidenciale autoktone në muajt Maj-Qershor të këtij viti, ngjalli një valë indinjate të papërshkruar në gjithë Kanadanë dhe jo vetëm. Deri tani pesëmbëdhjetë avokatë kanadezë i kanë kërkuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) që të hetojë për të përcaktuar nëse ka pasur krim kundër njerëzimit në këtë rast. Nga ana e tyre, organizata si Amnesty International dhe Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, kanë bërë thirrje për hetime gjithëpërfshirëse në të gjitha ish-shkollat rezidenciale në Kanada.
©Flasshqip.ca