Java Kanadeze - Lajme shkurt 26 Shtator
- Published in Aktualitet
(Kelowna-British Columbia)
Konfirmohet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve federale të 20 Shtatorit
Merr fund “Saga diplomatike” e dy pengjeve kanadeze të burgosur në Kinë
Ish-përkthyesi nazist Helmut Oberlander vdes në Kanada dhe i shpëton ekstradimit
Anglia i ofron ndihmë Kanadasë për mbrojtjen e zones së Arktikut
Konfirmohet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve federale të 20 Shtatorit
Ka përfunduar dje (25 Shtator) numërimi i votave për zgjedhjet e parakohshme federale të 20 Shtatorit në zonën e fundit që nuk ishte mbyllur akoma, Nanaimo-Ladysmith në British Columbia, që u fitua nga Neodemokratët. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë rreth 62.3%, me e ulët se ajo e zgjedhjeve të viti 2019 ku votuan mbi 67% e zgjedhësve të regjistruar. Partia Liberale me 32.6% (5 556 491 vota) siguroi 159 deputetë si dhe të drejtën për formuar sërish një qeveri në minorancë. Partia Konservatore me 33.7% (5 742 605 vota) arriti të marrë 119 deputetë. Block Québecois me 7.6% (1 301 831 vota) mori 33 deputetë. Neodemokratët me 17.8% (3 036 030 vota) morën 25 deputetë, ndërsa Partia e Gjelbër me 2.3% (398 775 vota) arriti të fitojë 2 deputetë. Ndërkohë, Partia Popullore e Kanadasë, edhe pse mori 5% (844 122) nuk arriti të marrë asnjë deputet. Kjo për faktin se sistemi i zgjedhjes në Kanada është mazhoritar më një tur dhe arrin të zgjidhet deputet kandidati që merr numrin më të madh të votave. Në këto zgjedhje u arrit dhe numri më i lartë deri më sot në historinë e Kanadasë i deputeteve femra. Në legjislaturën e re do të ulen në Dhomën e Komunave gjithsej 102 femra nga 338 deputetë gjithsej. Në vitin 1972 kanë qenë 5 të tilla, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2019 u zgjodhën 98, pra 4 më pak se në zgjedhjet e sivjetme.
Merr fund “Saga diplomatike” e dy pengjeve kanadeze të burgosur në Kinë
Të burgosur për gati tre vjet, me akuzën e spiunazhit, dy kanadezët Michael Kovrig dhe Michael Spavor u kthyen më në fund në atdhe, pasi shefja e financave e kompanisë kineze Huawei, Meng Wanzhou, realizoi një marrëveshje me drejtësinë amerikane dhe u lirua nga arresti shtëpiak në kushte luksi në British Columbia. Edhe kjo e fundit fluturoi dje me avion drejt Kinës, ku më pas u prit në aeroportin e Shenzhenit si heroinë. Të shoqëruar nga ambasadori kanadez në Kinë, Dominic Barton, Kovrig dhe Spavor, të cilët kaluan plot 1020 ditë pas hekurave të burgjeve kineze, mundën të shkelnin tokën kanadeze pasi avioni Challenger i Forcave Ajrore Mbretërore mbërriti pak para orës 6 në mëngjes, dje më 25 Shtator, në Aeroportin Ndërkombëtar të Calgary-t, ku kish dale edhe vetë Kryeministri Justin Trudeau t’i priste, i shoqëruar nga ministri Jashtëm Marc Garneau. Michael Spavor dhe Michael Kovrig u arrestuan në Kinë më 13 Dhjetor 2018, menjëherë pas arrestimit të numrit një të financave të gjigandit të telekomunikacionit Huawei, Meng Wanzhou, në Vancouver me kërkesën e Shteteve të Bashkuara.
Ish-përkthyesi nazist Helmut Oberlander vdes në Kanada dhe i shpëton ekstradimit
Helmut Oberlander
Helmut Oberlander, 97 vjeç, një ish anëtar i "skuadrave të vdekjes" të regjimit nazist, vdiq në Kanada këtë javë që sapo u mbyll, ndërsa një betejë ligjore për ekstradimin e tij në Gjermani me qeverinë federale vazhdonte prej 10 vjetësh, histori kjo që pat ngjallur shumë reagime tek organizatat e komunitetit hebre. Qeveria federale ia pat hequr atij shtetësinë katër herë, vendime të cilat ai i kishte apeluar vazhdimisht në gjykata. Në fillim të Shtatorit madje, Bordi i Imigrimit dhe Refugjatëve i Kanadasë hapi një hetim për të përcaktuar nëse ai mund të qëndrojë në Kanada në vend që të deportohej në Gjermani. Avokati i tij pat kërkuar shtyrjen e procedurave, veçanërisht për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij fizik dhe mendor. Edhe familja e tij donte që ai të qëndronte në Kanada deri sa të vdiste. Oberlander, i cili jetonte në Waterloo, Ontario, shërbeu nga 1941 deri më 1943 si përkthyes në Njësinë Ek 10a, e cila ishte pjesë e një grupi më të madh skuadrash të vdekjes, përgjegjëse për shfarosjen e më shumë se 2 milion njerëzve, kryesisht hebrenj. Ai gjithmonë kishte pohuar se ishte rekrutuar me forcë në këtë shërbim, ishte kërcënuar me vdekje si adoleshent dhe se nuk kishte marrë pjesë në asnjë ekzekutim. Ai mbërriti në Kanada në 1954 dhe u bë qytetar kanadez gjashtë vjet më vonë. Ndërkohë ai kurrë nuk ua deklaroi prejardhjen e tij ushtarake autoriteteve kanadeze para fitimi të shtetësisë.
Anglia i ofron ndihmë Kanadasë për mbrojtjen e zones së Arktikut
Mbretëria e Bashkuar ka shfaqur së fundi interesin e saj për mbrojtjen e Arktikut dhe i ka ofruar mbështetje Forcave të Armatosura Kanadeze përmes pjesëmarrjes në stërvitje ushtarake në zona të ftohta si dhe duke ofruar ndihmë teknologjike për një mbikëqyrje më adekuate të këtij rajoni. Në një intervistë për CBC, gjenerali Nick Carter, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Britanike, ka deklaruar se vendi i tij është gati të bashkëpunojë dhe të marrë më shumë eksperiencë sa i takon mbijetesës dhe luftimit në zonat e ftohta. Sipas mediave, kjo ofertë ka qarkulluar prej muajsh në nivelet më të larta të qeverisë, por Kanadaja, edhe në rastin e një aleati të ngushtë, i ka qëndruar larg idesë për arsye sovraniteti. Kanadaja "është e shqetësuar se kjo lloj përfshirjeje e anëtarëve të NATO -s do të minojë sovranitetin e saj," citohet nga Radio-Canada eksperti i mbrojtjes së arktikut i Universitetit të Calgary, Rob Huebert. Ai gjithashtu ka pohuar se as Shtetet e Bashkuara dhe as Mbretëria e Bashkuar nuk e njohin sovranitetin kanadez mbi Kalimin Veriperëndimor të Arktikut, zonë që po kthehet në një shqetësim të veçantë për vendet anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Rreziku që paraqet interesimi i Rusisë apo Kinës, ka qenë në zemër të diskutimeve në samitin e organizatës në Qershor. Kjo temë ka qenë gjithashtu element themelor i strategjisë ushtarake të qeverisë konservatore të Stephen Harper, që investoi në ndërtimin e një baze furnizimi dhe një flote prej gjashtë anijesh për patrullim në Arktik. Ndër mjetet në dispozicion të Mbretërisë së Bashkuar që flotës kanadeze i mungojnë janë nëndetëset që funksionojnë me energji bërthamore.
©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada