Kanada

Kanada - 30 Shtatori, Dita Kombëtare e të Vërtetës dhe Pajtimit me Autoktonët

  • Published in Discovery

30 Shtatori 2021, nesër do të shënohet për herë të parë në historine e Kanadasë si Dita Kombëtare e të Vërtetës dhe Pajtimit me popujt autoktonë.

Në Website-in e qeverisë kanadeze shkruhet ndër të tjera, që kjo ditë “do të jetë një mundësi për të përkujtuar dhe nderuar kujtimin e fëmijëve të humbur dhe të mbijetuarve të ish-shkollave rezidenciale për autoktonët, familjet dhe komunitetet e tyre. Përkujtimi publik i historisë tragjike dhe të dhimbshme të ish-shkollave rezidenciale është një pjesë thelbësore e procesit të pajtimit.”

Caktimi i kësaj dite zyrtare u bë me ligj këtë vit, pikërisht në datën 3 Qershor 2021, kur Bill C-5 mori dhe sanksionimin mbretëror përmes firmës së Guvernatorit të Përgjithshëm.

Dita Kombëtare e të Vërtetës dhe Pajtimit tashmë përkon me Orange Shirt Day, që prej vitesh ka qenë një ditë përkujtimi e organizuar nga komunitetet autoktone për të nderuar fëmijët që mbijetuan në shkollat ​​rezidenciale dhe për të kujtuar ata që nuk mundën të mbijetonin. Kjo ditë është frymëzuar nga historia e jetuar e Phyllis Webstad (në foton kryesore në hyrje), një pjestare e fisit autokton Xgat'tem Stswecem'c (British Columbia), e cila në ditën e saj të parë të shkollës mbërriti e veshur me një triko të re portokalli, triko të cilën ia hoqi me detyrim personeli i shkollës rezidenciale që frekuentonte.

Më 30 shtator, ne inkurajojmë të gjithë kanadezët të veshin rroba ngjyrë portokalli, për të rritur ndërgjegjësimin për trashëgiminë tragjike të shkollave rezidenciale dhe për të nderuar mijëra të mbijetuarit, ka bërë thirrje nga ana e saj qeveria kanadeze.

Murray Sinclair

Në prag të kesaj dite përkujtimore, ish-senatori autokton dhe drejtuesi i parë i Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit, historiani dhe juristi Murray Sinclair, ka deklaruar se ka ende shumë punë për të bërë drejt pajtimit dhe kjo së pari arrihet përmes edukimit në shkollë. Duke e krahasuar me Remembrance Day, ai shpreson që kjo ditë do t’u vlejë të gjithë qytetarëve kanadezë për të mos harruar kurrë dëmin e jashtëzakonshëm që shkollat rezidenciale u shkaktuan fëmijëve autoktonë dhe familjeve të tyre.

Kujtojmë në pranverën e sivjetme, qindra varre anonime fëmijësh autoktonë u zbuluan në disa territore të ish-shkollave rezidenciale në të gjithë Kanadanë.

Aktualisht, 30 Shtatori është një ditë pushimi zyrtar që nesër do vlejë vetëm për punonjësit që operojnë nën autoritetin e institucioneve dhe ligjeve federale. Ndërkohë, provinca e Manitoba-s gjithashtu do ta respektojë këtë ditë duke akorduar pushim për punonjësit dhe nxënësit e shkollave. Në British Columbia gjithashtu shkollat do të kenë pushim zyrtar, ndërsa disa institucione provinciale do punojnë me orar të reduktuar.

©Flasshqip.ca