Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 3 Tetor

(Foto Tourism Prince Edward Island/John Sylvester)

British Columbia, një qytetare dënohet me 60 mijë dollarë gjobë pse ushqente arinjtë

Alberta, provinca me 45% të rasteve të reja të COVID-19

New Brunswick, 20 mijë banesa pa energji elektrike për shkak të një defekti

Sfida e strehimit për refugjatët afganë në London-Ontario

Montréal, rrëzohet një avion i vogël në një nga parqet e qytetit

 

British Columbia, një qytetare dënohet me 60 mijë dollarë gjobë pse ushqente arinjtë

Një grua do gjobitet me 60,000 dollarë pse ka ushqyer rregullisht arinjtë e zinj në Whistler, British Columbia. Kjo është gjoba më e lartë e vendosur ndonjëherë bazuar në ligjin provincial mbi Faunën. Shërbimi i Inspektimit të kafshëve të egra e pat marrë informacionin që një banore e lagjes Kadenwood në Whistler, ishte duke ushqyer arinjtë qysh në Korrik 2018. Ky shërbim pasi investigoi, konstatoi që Zuzana Stevikova blente rregullisht çdo javë 10 arka mollë, 20 kilogramë karrota dhe 15 duzina vezë për arinjtë dhe i linte ato jo shumë larg zonë së banuar. Më pas, inspektorët u detyruan të asgjësonin tre arinj që ishin mësuar aq shumë me këtë lloj ushqyerje dhe me praninë njerëzore, saqë nuk kishin më frikë nga njerëzit. Kafshët shpesh frekuentonin zonën ku lihej ushqimi dhe shkaktonin edhe dëme në pronat e banorëve. Dënimi me gjobë për Zuzana Stevikova u dha nga Gjykata Provinciale në North Vancouver në fillim të kësaj jave. Ky vendim ka krijuar një precendent për provincën e British Columbia.

 

Alberta, provinca me 45% të rasteve të reja të COVID-19

Ndërsa rastet e COVID-19 duket se po stabilizohen në Ontario dhe Québec, Alberta dhe Saskatchewan kanë pasur një tjetër javë të vështirë. Në të dy provincat janë tejkaluar të gjitha parashikimet sa i takon numrit të të pranuarve në spitale, situatë që e ka çuar gati në prag të kolapsit sistemin. Më shumë se 30,000 qytetarë kanadezë janë infektuar javën e kaluar, nga të cilët 11,000 në Alberta, 5,100 në British Columbia, 4,300 në Québec, 4,100 në Ontario dhe 3,400 në Saskatchewan. Aktualisht pra, 45% e rasteve aktive janë në Alberta, 15% në British Columbia, 13% në Quebéc, 11% në Ontario dhe 11% në Saskatchewan. Krahasuar me popullsinë e secilës krahinë dhe territor, Alberta, Saskatchewan dhe Nortwest Territories kanë shkallë aktive të rasteve rreth 10 herë më të larta se Ontario dhe gjashtë herë më të larta se Quebéc. Ndërsa dikur ishte Québec provinca me rastet më të shumta për 100,000 banorë, tani kjo listë kryesohet nga Alberta dhe Saskatchewan.

 

New Brunswick, 20 mijë banesa pa energji elektrike për shkak të një defekti

Më shumë se 20,000 banesa dhe biznese në rajonin Saint-Jean të New Brunswick u privuan nga energjia elektrike dje, e Shtunë 2 Tetor, në mëngjes. Nga difekti u prek vetëm lugina Kenybecasis Fundy ku shtrihet dhe territori i qytetit Saint-Jean. Në faqen e internetit të kompanisë energjetike provinciale NB Power u deklarua se ndërprerja e energjisë ndodhi për një shkak të paparashikuar. Situata u normalizua plotësisht rreth orës 4 të pasdites së djeshme.

 

Sfida e strehimit për refugjatët afganë në London-Ontario

Qyteti i London që ndodhet në pjesën jugperëndimore të Ontarios, ka pritur deri tani 125 refugjatë afganë, por siç citohet nga Radio-Canada, më pak se gjysma e tyre kanë strehim të përhershëm. Sipas Maria Franco, menaxhere e marketingut dhe komunikimit në London Cross Cultural Learner Centre (CCLC), deri tani vetëm 53 persona kanë gjetur strehim të përhershëm në qytet, ndërsa 72 të tjerët jetojnë në rezidenca të përkohshme ose hotele ku u ofrohet fjetje dhe ushqim. CCLC vlerëson nevojat e tyre, u ofron atyre seanca orientimi për jetën në Kanada dhe i ndihmon ata të gjejnë strehim të përhershëm, por një nga problemet aktuale është mungesa e strehimit me çmim të përballueshëm. Këta të sapoardhur marrin mbështetje financiare nga qeveria për strehim, por në jo pak raste kostot e strehimit e tejkalojnë buxhetin e tyre. Po kështu, pronarët e shtëpive shpesh kërkojnë një sërë dokumentesh dhe referenca krediti, kërkesa që mund të jenë problematike për të sapoardhurit. Ndërkohë më shumë refugjatë afganë pritet të mbërrijnë në London së shpejti. Qeveria federale u deklarua se do të mirëpresë dhe strehojë deri në 40,000 afganë, dyfishi i asaj që ishte planifikuar fillimisht.

 

Montréal, rrëzohet një avion i vogël në një nga parqet e qytetit

Dje në mbrëmje, e Shtunë 2 Tetor, një aeroplan i vogël u rrëzua në Montréal, në Dieppe Park, pranë Habitat 67, pak metra nga ura Concorde, në kohën kur aty pranë në ishullin Sainte-Hélène, po zhvillohej festivali muzikor Osheaga. Shërbimi i policisë së Bashkisë konfirmoi se një person ka vdekur ndërsa piloti u dërgua në spital. Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 6 pasdite. Avioni, një Cessna 172 M, prodhim i vitit 1974, në pronësi të Aerogram Company, e cila është e specializuar për reklamat ajrore, po tërhiqte një banderolë ku lexohej një propozim martese. Policia dhe zjarrfikëset u dërguan në vendngjarje ndërsa Bordi i Sigurisë së Transportit nisi hetimet mbi rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canda