Kanada

Kanada: Funksionarëve federalë që nuk vaksinohen deri më 29 Tetor do t’u ndërpritet paga

Më shumë se 265,000 punonjësve të shërbimit publik federal do t’u duhet të vaksinohen në mënyrë adekuate kundër COVID-19 deri në fund të muajit Tetor, konfirmoi sot qeveria federale kanadeze. Ky vendim, i bërë publik nga Kryeministri Justin Trudeau dhe Zëvendëskryeministrja Chrystia Freeland, përfshin të gjithë punonjësit në departamentet dhe agjencitë federale (edhe ata që punojnë nga shtëpia) si dhe oficerët e Policisë Mbretërore Federale.

Konkretisht, të gjithë këta punonjës do të duhet të deklarojnë statusin e tyre të vaksinimit deri më 29 Tetor përmes platformës në internet të Sekretariatit të Bordit të Thesarit. Personave që nuk i nënshtrohen këtij vendimi, do t’u ndërpritet paga nga data 15 Nëntor, ndërsa ata të cilët bëjnë deklarim të rremë do të ekspozohen ndaj masave më të ashpra, deri në largim nga puna.

Personat që tashmë kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës COVID-19 deri në afatin e fundit, do të kenë në dispozicion një periudhë 10 javore për të marrë dozën e dytë. Rregullat e njoftuara sot vlejnë edhe për punonjësit e qeverisë federale me kontrata të përkohshme, shkencëtarët dhe studjuesit që punojnë në laboratorët e qeverisë, kadetët e Policisë Mbretërore Federale dhe studentët.

Ndërkohë, edhe pse deklarohet në favor të një politike vaksinimi, Aleanca e Shërbimit Publik të Kanadasë (PSAC), e ka kritikuar mugesën e konsultimeve me aktorët kryesorë sindikalë nga ana e qeverisë para marrjes së një vendimi të tillë, madje siç ka deklaruar Chris Aylvard, Presidenti i PSAC (i cituar nga Radio-Canada), asnjë prej sugjerimeve sindikale nuk është marrë në konsideratë.

©Flasshqip.ca

Foto: La Presse Canadienne/Sean Kilpatrick