Kanada

Thanksgiving - Historia e Ditës së Falenderimeve në Kanada

  • Published in Discovery

Kanadezët e festojnë Ditën e Falenderimeve të Hënën e dytë të muajit Tetor. Në Kanada, fundjava e Falenderimeve (Thanksgiving) përkon me periudhën e fillimit të Vjeshtës. Në të gjithë vendin, njerëzit i sheh duke grumbulluar gjethe, duke korrur të mbjellat, duke u përgatitur për Dimrin dhe duke pritur çastin të hanë një vakt të bollshëm e të shijshëm me familjen dhe miqtë. Por nga vjen kjo traditë?

Në vitin 1621, pelegrinët e plantacionit Plymouth në Masaçusets kryen ceremoninë e parë të Thanksgiving në Amerikën e Veriut për të falënderuar Zotin, për përfundimin e thatësirës dhe korrjet e bollshme. Pa ndihmën e tribusë indigjene të Wampanoag-ëve, që u transmetoi atyre aftësitë dhe njohuritë për gjuetinë, peshkimin dhe bujqësinë, pelegrinët nuk do të kishin mbijetuar. Disa dokumente tregojnë se Thanksgiving i parë zyrtar u zhvillua rreth 14 vjet para kësaj ngjarjeje.

Por në fakt, kjo është historia e fqinjëve të Kanadasë në Jug...

Dita e Falenderimeve në Kanada, ose ajo që më vonë do të bëhej Kanada, ka historinë e vet, të dallueshme nga ajo e fqinjëve amerikanë. Tradita e falënderimit ekziston që shumë kohë para ardhjes së kolonëve evropianë në Amerikën e Veriut. Popujt autoktonë të Turtle Island falenderonin për mbijetesën e Dimrit, për të korrat dhe gjuetitë e tyre, fryt i përpjekjeve të tyre. Këto tradita shpreheshin me festime, lutje, valle, gatime të posaçme dhe ceremoni të tjera, që varionin nga një fis në tjetrin.

Ndërsa kur bëhet fjalë për Ditën e Falënderimeve të evropianëve në Kanada, janë disa histori për t’u treguar. Me sa dihet, në 1578 eksploruesi anglez Martin Frobisher dhe ekuipazhi i tij falënderonin dhe praktikonin komunionin, sipas rastit ose në tokë, në Gjirin Frobisher, tani Nunavut, ose mbi bordin e anijes të ankoruar në gji. Eksploruesit hanin mish të kripur lope, biskota, pure bizelesh dhe falënderonin Zotin që kishin mbërritur shëndoshë e mirë në atë që sot quhet Newfoundland. Është pikërisht kjo ceremoni falenderimi, që konsiderohet si “Thanksgiving” i parë kanadez, 43 vjet para "Thanksgiving" të parë amerikan.

Dyzet e tetë vjet më vonë, më 14 Nëntor 1606, banorët e Nouvelle France, të qeverisur nga Samuel de Champlain, organizonin festime të mëdha në të cilat ftoheshin edhe indigjenët Mi'kmaq bashkë me kolonët francezë. Edhe pse nuk ua dinin vlerën ushqimore në atë kohë, kolonët e shmangën skorbutin falë boronicave që përmbanin vitaminë C. Francezët u njohën për herë të pare me boronicat pikërisht nga Mi'kmaq-ët. Boronicat francezët në atë kohë filluan t’i quanin mollë të vogla të kuqe.

Festimet që organizonte Samuel de Champlain organizoheshin më shumë se një herë në vit. Për të shmangur epidemitë e skorbutit që shkatërruan koloninë e Ishullit Sainte-Croix gjatë periudhës së Dimrit, Champlain themeloi edhe Urdhrin e Kohëve të Mira, me qëllim shërbimin rregullisht të ushqimeve festive. Për të luftuar skorbutin, traktatet mjekësore të kohës rekomandonin ushqim më të mirë (në sasi më të madhe) dhe argëtime.

Sidoqoftë, përkundër historisë së Falënderimeve sipas traditës kanadeze, perceptimi dhe vizioni modern për këtë festë ndikohet shumë nga tradita e fqinjëve amerikanë.

Ushqimet që lidhen zakonisht me Ditën tradicionale të Falenderimeve, të tilla si gjeldeti i Amerikës së Veriut apo llojet e kungujve (sidomos Pumpkins), u përhapën në Halifax në vitet 1750, nga Luajalistët e Perandorisë së Bashkuar, të cilët ndikuan në përhapjen e kësaj tradite edhe në pjesë të tjera të vendit.

Sot, Dita e Falenderimeve Kanadeze mbahet të Hënën e dytë të Tetorit, çdo vit, të paktën që kur Parlamenti Kanadez e shpalli atë më 31 Janar 1957. Para asaj date, Festa e Falenderimeve në Kanada festohej në mënyrë sporadike, shpesh në të njëjtën kohë me ngjarjet e tjera të rëndësishme dhe ditëlindjet. Në 1879, Dita e Falenderimeve do të shpallej zyrtarisht si një festë kombëtare, duke u mbajtur më 6 Nëntor.

Ndryshimi më i fundit i datës, të Hënën e dytë të Tetorit, i atribuohet kryesisht Luftës së Parë dhe asaj të Dytë Botërore, të cilat Kanadaja i përkujton zyrtarisht çdo vit më 11 Nëntor, në Ditën e Përkujtimit (Remembrance Day). Ky ndryshim evitoi që të dy ngjarjet të ndodhnin në të njëjtën fundjavë.

Për shkak se Dita e Falenderimeve të Kanadasë është festuar në data të ndryshme, dhe megjithëse zakonisht festohet të Hënave, familjet gjithashtu mblidhen për të falënderuar e festuar të Shtunave ose të Dielave.

Shumica e kanadezëve e paten mirëpritur ndryshimin e dates dhe caktimin e Thanksgiving në Tetor, pasi kjo përkon më mirë me përfundimin real të të korrave.

Parlamenti pat deklaruar zyrtarisht që Thanksgiving është dita e "falënderimit të Zotit të Plotfuqishëm për korrjet e bollshme që falë tij përfiton Kanadaja".

Edhe pse kjo mbase nuk është e vërtetë për të gjithë, ideja për të falënderuar, për të kaluar kohë me familjen dhe për të shijuar një vakt të shijshëm e të bollshëm mbetet e përjetshme.

Burimi: www.histoirecanada.ca