Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 17 Tetor

  • Published in Kanada

 

(Akullnaja Saskatchewan - Parku Kombëtar Banff, Alberta)

Në 26 Tetor betohet Kabineti Trudeau 3, në 22 Nëntor mblidhet parlamenti

Një akullnajë në Alberta pëson shkrirje rekord

Mbi 90% e personelit të ushtrisë kanadeze ka marrë dy doza vaksine

Kanabis, 3 vite pas legalizimit ende ka persona të dënuar thjesht për posedim

Quebéc rrezikon të vuajë akoma më shumë mungesën e mjekëve për shkak të daljeve në pension

 

Në 26 Tetor betohet Kabineti Trudeau 3, në 22 Nëntor mblidhet parlamenti

Edhe pse nxitoi ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme për shkak të urgjencës, sipas tij, që diktonin vendimmarrjet mbi pandeminë, kryeminstri Trudeau duket se e ka marrë me nge formimin e qeverisë së re. Deri tani ai ka konfirmuar në të njëjtat funksione vetëm zëvendëskryeministren dhe ministren e Financave Chrystia Freeland. Emrat e tjerë të ministrave do bëhen të njohur në datën 26 Tetor, ditë në të cilën qeveria e re do bëjë betimin. Në deklaratën e tij për mediat të publikuar të Premten (15.10.21) kryeministri konfirmoi që pariteti femra-meshkuj do të vazhdojë edhe në kabinetin e tij të ri. Ndërkohë, sesioni i ri parlamentar do të nisë më 22 Nëntor.  

 

Një akullnajë në Alberta pëson shkrirje rekord

Sipas disa studiuesve në Universitetin e North British Columbia, akullnaja Saskatchewan në Parkun Kombëtar Banff në Alberta, ka pësuar më shumë se 10 metra tërheqje sivjet. Ky masiv akullnajor, që shtrihet në kufirin midis Alberta dhe British Columbia, është një nga 400 akullnajat e Kanadasë Perëndimore që observohen dy herë në vit që nga viti 2017. Studiuesit verifikojnë trashësinë dhe lartësinë e tyre duke përdorur lazer të emetuar nga aeroplanë që fluturojnë mbi to. Këtë verë duket se shkrirja e akullnajës ka thyer rekorde dhe u përshpejtua sidomos nga temperaturat e larta të Qershorit dhe solsticit veror që kapën shifrat mbi 40 gradë Celsius. Ndikim duket se ka patur po ashtu bloza dhe tymi i zjarreve që përfshinë sipërfaqe të mëdha pyjore pranë saj. Sipas studiuesve, kjo akullnajë pothuajse do të jetë zhdukur deri në fund të shekullit. Akullnaja Saskatchewan është një nga burimet kryesore të lumit Saskatchewan të Veriut që kalon nëpër Alberta. Ky lumë furnizon me ujë të pijshëm shumë komunitete, përfshirë qytetin Edmonton.

 

Mbi 90% e personelit të ushtrisë kanadeze ka marrë dy doza vaksine

Siç ka raportuar sot (17.10.21) Radio-Canada, Bill Fletcher, oficer i lartë i Forcave të Armatosura Kanadeze ka deklaruar se nuk ekziston asnjë shqetësim në radhët e ushtrisë, nëse një pakicë e vogël kundërshton vaksinimin anti-COVID. Gjeneral brigade Bill Fletcher, është komandant i Divizionit të 3-të Kanadez dhe Task Forcës së Përbashkët Perëndimore. Ai mbikëqyr operacionet ushtarake dhe trajnimin nga Oqeani Paqësor në Thunder Bay, Ontario. Sipas pohimeve të tij, mbi 90% e personelit të ushtrisë i ka marrë dy doza të vaksinës. Ndërkohë, Ottawa ka urdhëruar që të gjithë punonjësit federalë, përfshirë personelin ushtarak, të imunizohen në mënyrë adekuate deri më 29 Tetor. Sipas Fletcher, direktiva është e qartë dhe vaksinimi i detyrueshëm do të imponohet edhe në ushtrinë kanadeze, sepse edhe në të kaluarën, për misione në shtete të tjera ku nevojitej vaksinim i detyruar, ka patur ushtarakë që kanë qenë të detyruar të bëjnë zgjedhje, vaksinim ose mospjesëmarrje në mision. Në deklarimin e tij, gjenerali Fletcher nuk ka bërë asnjë koment për pasojat me të cilat mund të përballen ushtarakët që do vazhdojnë të refuzojnë të vaksinohen edhe pse sipas vendimit të qeverisë, pas 29 Tetorit, parashikohet ndërprerja e pagesës për ata që nuk do i binden urdhërit qeveritar.

 

Kanabis, 3 vite pas legalizimit ende ka persona të dënuar thjesht për posedim

Saktësisht tre vjet pas legalizimit të kanabisit rekreativ në Kanada dhe më shumë se dy vjet pas hyrjes në fuqi të programit të faljeve ndaj personave të dënuar më parë për posedim, një pjesë e kësaj kategoria dhe avokatët e tyre mbrojtës u kanë deklaruar mediave që ende ka persona që vuajnë dënime apo janë nën akuzë, edhe pse në vitin 2019 qeveria e thjeshtoi dhe e bëri falas procesin e pezullimit të dosjes penale thjesht për posedim të kanabisit, fiks 9 muaj pas legalizimit. Në vitin e parë të programit, Komisioni i faljeve dhe lirimit me kusht i Kanadasë, që është autoriteti përgjegjës, mori 436 kërkesa dhe pranoi 240, sipas raportit për vitin 2019-2020 të paraqitur në parlament. Nga këto, 238 ishin pezullime dhe në dy raste dosja penale u mbyll. Sipas komisionit në fjalë, mendohet që numri i personave që mund të përfitojnë nga programi i sipërpërmendur shkon deri në 10.000 vetë, por për shkak të pandemisë COVID-19, në faqen e tij zyrtare në internet paralajmërohen vonesa, pasi institucioni ka kapacitet të kufizuar për të përpunuar kërkesat.

 

Quebéc rrezikon të vuajë akoma më shumë mungesën e mjekëve për shkak të daljeve në pension

Radio-Canada ka raportuar së fundi që rreth 4000 mjekë të provincës së Québec përgatiten së shpejti të ndërrojnë stetoskopin me shkopin e golfit, për shkak të daljes në pension. Eksodi i parashikuar i mjekëve të moshuar tashmë ka filluar dhe do të rritet akoma në muajt dhe vitet në vijim. Kjo do ta bëjë aksesin e qytetarëve tek një mjek familjeje akoma edhe më të pasigurt, po të kihet parasysh që 20% e popullatës në provincë është ende e privuar nga nje mjek i tillë. Ky fakt konfirmon që angazhimi i kryeministrit François Legault, i marrë më 2018, sipas të cilit brenda 4 vitesh të gjithë në Québec do kishin mjekun e tyre të familjes, do mbetet një premtim i bukur, por i parealizuar, sepse shifrat janë të pamëshirshme. Në Québec, një në katër mjekë është mbi 60 vjeç. Janë saktësisht 2,322 mjekë aktivë të moshës midis 60 dhe 65 vjeç, pa llogaritur 3,147 të tjerë mbi 65 vjeç dhe në tre vjet, në vend që të zvogëlohej, numri i pacientëve të privuar nga mjeku i familjes u dyfishua nga 400,000 në 2018 në 800,000 aktualisht. Mungesa e mjekëve të familjes duket se do mbetet e pazgjidhshme veçanërisht në Montreal dhe Québec city, ku mosha mesatare e mjekëve është edhe më e lartë se në rajonet e tjera.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/The Canadian Press