Alberta - Jyoti Gondek dhe Amarjeet Sohi zgjidhen në krye të bashkive Calgary dhe Edmonton
- Published in Aktualitet
Rezultati i zgjedhjeve lokale që u zhvilluan dje në Alberta, veçanërisht në dy qytetet kryesore Calgary dhe Edmonton, është konsideruar si historik. Kjo jo vetëm për faktin se përbërja e këshillave bashkiakë tashmë përfaqëson më mirë diversitetin kulturor dhe etnik që karakterizon Kanadanë, por edhe sepse ka patur një rritje të konsiderueshmë të kandidateve femra që kanë arritur të mandatohen. Po kështu, edhe dy kryetarët e rinj të zgjedhur në Calgary dhe Edmonton, janë nga radhët e emigrantëve.
Calgary, për herë të parë në drejtimin e Bashkisë do ketë një grua. Ajo quhet Jyoti Gondek, ka qenë në 4 vitet e kaluara anëtare e këshillit bashkiak të qytetit dhe e ka siguruar fitoren në konkurim me më shumë se 20 kandidatë të tjerë. Gondek është vajza e dy prinderve indianë dhe ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1969. Në fillim të viteve 70-të familja e saj imigroi në Kanada dhe u vendos fillimisht në Manitoba. Kryetarja e re e Calgary është PhD në Sociologji Urbane (University of Calgary) dhe para angazhimit në politikën lokale ka drejtuar zyrën e saj të konsulencës.
Në Edmonton, kryeqyteti provincial i Alberta-s, kryetar i ri i Bashkisë është zgjedhur Amarjeet Sohi. Ai ka lindur në shtetin Pendjab në Indi në vitin 1964 dhe më pas ka imigruar bashkë me prindërit në Kanada në moshën 18 vjeçare, duke u vendosur prej fillimit në Edmonton. Pas dy mandateve si këshilltar bashkiak, në legjislaturën 2015-2019 Sohi u zgjodh deputet federal i Partisë Liberale dhe ka mbajtur gjithashtu postet e Ministrit të Infrastrukturës dhe Komuniteteve e më pas Ministrit të Burimeve Natyrore në qeverinë Trudeau 1. Përpara angazhimit në politikë, Amarjeet Sohi ka punuar shofer taksie e shofer autobusi në rrjetin e transportit publik të qytetit, si dhe ka qenë aktivist komunitar.
©Flasshqip.ca
Foto: Radio-Canada/The Canadian Press