Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 24 Tetor

  • Published in Kanada

(Kingston-Ontario)

British Columbia, zjarr në një anije transporti detar plot me kontejnerë

Tre të vrarë dhe tre të plagosur këtë fundjavë në Toronto

Në Saskatchewan do përdoret ushtria për përballimin e pandemisë

Kthehen në Manitoba ushtarakët që shërbyen pranë Mbretëreshës Elisabeth

Pianisti kanadez Bruce Liu fiton konkursin prestigjoz Frederik Chopin

 

British Columbia, zjarr në një anije transporti detar plot me kontejnerë

Rojet Bregdetare Kanadeze dje në mbrëmje (23.10.21) evakuuan anëtarët e ekuipazhit nga një anije tregtare prej të cilës një ditë më parë 40 nga kontejnerët e saj përfunduan në det në hyrje të ngushticës Juan de Fuca, në brigjet e British Columbia. Një zonë emergjence u krijuar në Constance Bank në një distance rreth 1.6 kilometra nga anija që kish marrë zjarr. Sipas Qendrës së Përbashkët të Koordinim-Shpëtimit, 16 anëtarë të ekuipazhit u evakuuan në portin Ogden Point në Victoria, ndërsa pesë të tjerë mbetën në bord. Anija transportonte më shumë se 52,000 kg xantat, përfshirë amilksantat kaliumi, të vendosur në dy nga kontejnerët e djegur në bordin e saj. Kjo substancë klasifikohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara si substance që mund të ndizet spontanisht. Amilksantati i kaliumit është gjithashtu toksik. Sipas një mesazhi në Twitter të Rojeve Bregdetare të SHBA, anija me kontejnerë u përball me një det shumë të trazuar të Premten (22.10.21) dhe humbi një pjesë të ngarkesës së saj rreth 70 km nga Ishulli i Vancouver dhe shteti i Washington-it.

 

Tre të vrarë dhe tre të plagosur këtë fundjavë në Toronto

Policia e Torontos i ka raportuar mediave tre vrasje dhe tre plagosje me armë zjarri nga e Premtja deri të Dielën (24.10.21). Pas dy vrasjeve të Premten gjatë natës, të Shtunën, një person tjetër u gjet i vdekur në automjetin e tij pasi u qëllua në një parking pranë Weston Road dhe Highway 401. Më pas kanë vijuar tre raste plagosjesh të rënda, Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit në Autostradën 427 pranë Eglinton Street, në Veriperëndim të Torontos. Viktima ka qenë një adoleshent i cili u qëllua ndërsa ndodhej në makinën e tij. Ai u dërgua në spital me plagë të rënda. Më pas, rreth orës 5 të mëngjesit një grua e plagosur me armë zjarri, por jashtë rrezikut për jetën, është paraqitur vetë në një spital të qytetit. Pë këtë rast, grupi hetimor po mbledh ende informacion për të përcaktuar vendndodhjen dhe rrethanat e të shtënave. Ndërsa pak para orës 8 të mëngjesit, policia u thirr pranë rrugëve Eglinton West dhe Oakwood ku konstatoi një person të tretë të plagosur me armë zjarri. Të shtënat sipas policisë ndodhën pranë një restoranti. Ende nuk dihet nëse vrasjet dhe plagosjet kanë lidhje me njera tjetrën

 

Në Saskatchewan do përdoret ushtria për përballimin e pandemisë

Personel mjekësor i specializuar i Forcave të Armatosura Kanadeze do të dërgohet në Saskatchewan për të ndihmuar përballimin e valës së katërt të COVID-19, njoftoi të Premten (22.10.21) Ministri i Rendit Publik dhe Mbrojtjes Civile, Bill Blair. Në Twitter, ministri deklaroi që qeveria federale ka miratuar një kërkesë për ndihmë për të mbështetur popullatën e Saskatchewan. Përveç kësaj, bisedime janë duke u zhvilluar edhe me Kryqin e Kuq Kanadez për të siguruar akoma më shumë mbështetje. Sipas një komunikate të ushtrisë, gjashtë infermierë të specializuar do të dërgohen në pavionet e kujdesit intensiv dhe gjithashtu do të ofrohet transport ajror për pacientët që mund të lindë nevoja të dërgohen për trajtim në provincat e tjera. Ushtria parashikohet të qëndrojë në Saskatchewan deri më 17 nëntor.

 

Kthehen në Manitoba ushtarakët që shërbyen pranë Mbretëreshës Elisabeth

Pas një dislokimi në Angli, ku ata ishin përgjegjës për ruajtjen e Mbretëreshës dhe katër rezidencave mbretërore në Londër, anëtarët e Regjimentit Mbretëror të Artilerisë Kanadeze do të kthehen në Kanada të Martën 26 Tetor. Në total, rreth 130 pjestarë të regjimentit u vendosën nga 4 deri më 22 tetor në kryeqytetin anglez. Midis tyre ishin 90 ushtarakë dhe 36 anëtarë të Bandës Muzikore të Artilerisë. Eksperiencë e jashtëzakonshme, e ka konsideruar misionin Majori Michael Crosier, anëtar i Regjimentit të Parë të Artilerisë Mbretërore Kanadeze, me qendër në Shilo, pranë Brandon në Manitoba, i cituar nga Radio-Canada. Sipas tij, përvoja të tilla ndodhin vetëm një herë në jetë apo gjatë karrierës. Kontigjenti i dërguar në Angli përfshinte trupa nga e gjithë Kanadaja. Në total, ushtarakët kaluan gjashtë javë jashtë vendit, nga të cilat tre javë në shërbim të Mbretëreshës. Detyra e tyre ishte trajnimi i Gardës së Mbretëreshës në Pallatin Buckingham, Pallatin St James, Kështjellën Windsor dhe Kullën e Londrës. Qershia mbi tortë për ushtarakët kanadezë ka qenë takimi me Mbretëreshën Elizabeth II.

 

Pianisti kanadez Bruce Liu fiton konkursin prestigjoz Frederik Chopin

Kanadezi 24 vjeçar Bruce Xiaoyu Liu, fitoi çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar prestigjoz të pianos Chopin, i cili mbahet çdo pesë vjet dhe organizohet qysh prej vitit 1927. Shpallja e fituesit nga juria u bë në Filarmoninë e Varshavës, kryeqyteti i Polonisë, të Mërkurën (20.20.21) në mbrëmje. I lindur në Paris dhe i diplomuar në Konservatorin e Montréal-it, Bruce Xiaoyu Liu ka performuar me Orkestrën e Cleveland, Filarmoninë e Izraelit, Orkestrën Simfonike Montréal dhe orkestra të tjera të njohura. Tetëdhjetë e shtatë pianistë nga e gjithë bota, nga më shumë se 500 që kishin paraqitur aplikimin e tyre, ishin përzgjedhur nga juria për të marrë pjesë në konkurs. Rreth gjysma erdhi nga Azia, ku Frederik Chopin (1810-1849), një kompozitor dhe pianist i madh franko-polak i periudhës romantike, është veçanërisht i preferuar. Konkursi i sivjetëm, duhej të ishte mbajtur në vitin 2020, por u shty për shkak të pandemisë.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada