Kanada

Kanada - Për opozitën qeveria “Trudeau 3” është kabineti i paaftësisë

  • Published in Kanada

“Kabineti i ri liberal është një shembull tjetër i preferencës së Justin Trudeau për stilin dhe jo thelbin”. Kështu është shprehur dje (26.10.21) lideri i opozitës Konservatore Erin O'Toole, në një deklaratë të publikuar pas ceremonisë së betimit të 38 ministrave të qeverisë në minorancë “Trudeau 3”, që shënoi dhe nisjen e legjislaturës së re pas zgjedhjeve të parakohshme të Shtatorit. Sipas kreut të Partisë Konservatore, Justin Trudeau ka emëruar një grup njerëzish pa përvojë dhe të motivuar ideologjikisht, emërime që ai i cilësoi madje si një rrezik real për prosperitetin ekonomik dhe kohezionin kombëtar të Kanadasë.

Për konservatorët, "nuk është koha, në mes të pandemisë, të emërohen ministra të cilëve u mungojnë aftësitë dhe lidershipi i nevojshëm për të përballuar sfidat e mëdha, veçanërisht ato ekonomike, që e presin vendin. Me normën e inflacionit praktikisht më të lartën në 20 vitet e fundit, që është konkretizuar me një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve të produkteve ushqimore, benzinës dhe banesave, dhe ndërsa bizneset vuajnë nga ndërprerje të mëdha të zinxhirit të furnizimit, është e qartë se me emërimet e sotme, qeveria Trudeau nuk është e përgatitur të përballet me këto sfida” - e ka përfundur deklaratën e tij Erin O’Toole.

Nga ana e tij, deputeti konservator i Québec-ut, Gérard Deltell ka pohuar se në Kabinetin e ri Trudeau, gjenden në fakt të njëjtët lojtarë, në të njëjtat pozicione vendimmarrëse ekonomike, në një kohë që situata kërkon lojtarë të rinj, ndërsa në planin diplomatik, ai kujtoi që Mélanie Joly, është ministrja e pestë që merr portofolin e Punëve të Jashtme në gjashtë vjet, çka sipas tij, është një mesazh i mungesës së seriozitetit që u përcillet partnerëve ndërkombëtarë nga Kryeministri.

Në të njëjtën linjë me Konservatorët kanë qenë dhe komentet e Neodemokratëve. Lideri i tyre, Jagmeet Singh, ka kritikuar ashpër faktin që ministrave të dështuar, si Harjit Sajjan tek Mbrojtja, apo Carolyn Bennett tek Autoktonët, u besohen sërish portofole të tjera, vetëm që të mbeten ministra. Sipas Singh, mbajtja e këtyre ministrave në kabinet do të thotë që Justin Trudeau miraton mënyrën se si ata kanë drejtuar ministritë e tyre përkatëse. “Personi që ishte në pushtet gjatë këtyre viteve ishte Justin Trudeau. Kjo do të thotë se ai ishte dakord me qasjen e injorimit të abuzimeve seksuale në Forcat Kanadeze. Kjo do të thotë se ai pajtohej me qasjen e vazhdimit të injorimit të padrejtësive me të cilat ende përballen komunitetet autoktone, pra kjo do të thotë se ai pajtohet me këto qasje të dështuara” - ka theksuar lideri Neodemokrat.

Nga ana Bloc Québécois, reagimet kanë qenë më të zbutura dhe me mesazhe bashkëpunimi për çështje konkrete, edhe pse është nënvizuar fakti që u humb shumë kohë më formimin e qeverisë së re. Sipas kreut të Grupit Parlamentar Alain Therrien, qeveria Trudeau tashmë duhet të dëshmojë vetëm një gjë: që është e aftë të arrijë rezultate. Therrien ka deklaruar që Bloc synon të bashkëpunojë me qeverinë për të promovuar interesat e Québec dhe veçanërisht për t'i dhënë fund mbështetjes federale për lëndët djegëse fosile, për tranzicionin ekologjik, modernizimin e ligjit të transmetimeve, taksimin e gjigandëve të Web, si dhe për transfertat e pakushtëzuara në fushën e shëndetësisë, që respektojnë kompetencat e Québec dhe provincave të tjera.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/CBC