Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 7 Nëntor

  • Published in Kanada

(Edmonton - Alberta)

British Columbia, mungesë kritike personeli në shërbimin 911

Alberta synon të bëhet eksportuese botërore hidrogjeni

Saskatchewan, raportohen 6500 vende pune më pak gjatë Tetorit

New Brunswick, greva e sektorit publik dhe urdhëri i qeverisë shkaktojnë kaos në sektorin shëndetësor

Bashkia Toronto dhe sektori shkollor pezullojnë punonjësit e pavaksinuar

Ministri kanadez i Ambientit Steven Guilbeault paralajmëron investime në parqet kombëtare

 

British Columbia, mungesë kritike personeli në shërbimin 911

Sindikata që përfaqëson dispeçerët e shërbimeve të urgjencës E-Comm 911 (shërbim përgjegjës prej 20 vitesh për telefonatat e urgjencës në British Columbia), ka denoncuar mungesën "e madhe" të personelit në këtë sektor, çka kompromenton funksionimin normal të këtij shërbimi jetik. Sipas sindikatës në fjalë, një person që telefonon 911 duhet normalisht të lidhet me një dispeçer në jo më shumë se 5 sekonda. Për thirrjet urgjente në shërbimet e policisë, vonesa normale është 10 sekonda dhe 3 minuta për thirrjet jo urgjente. Aktualisht, koha e pritjes për linjat telefonike të urgjencës ndodh të kalojë 20 minuta. “Kur dikush telefonon 911 në rast urgjence, çdo sekondë mund të jetë çështje jete a vdekjeje”, ka deklaruar presidenti i sindikatës Donald Grant, i cituar nga Radio-Canada. Sipas tij, “gjendja aktuale krijon një rreth vicioz të rrezikshëm, sepse punonjësit, të cilët i përgjigjen 99% të thirrjeve 911 në të gjithë provincën, janë nën presionin e një sistemi të dështuar, gjë që vetëm sa e përkeqëson situatën. Një raport i publikuar së fundi, i mandatuar nga E-Comm 911, informon se ky sektor mbështetet në orët shtesë dhe reduktimin e pushimit shplodhës gjatë orarit të punës për të ofruar trajtimin maksimal të telefonatave. Raporti rekomandon angazhimin e 125 punonjësve me kohë të plotë për të mbështetur 153 punonjësit aktualë.

 

Alberta synon të bëhet eksportuese botërore hidrogjeni

Jason Kenney

Prodhimi i hidrogjenit mund të jetë "një kapitull i ri në historinë e pasur të Albertës si një eksportues global i energjisë", ka deklaruar kryeministri i provincës Jason Kenney, teksa ka paraqitur të Premten (05.11.2021) "Udhërrëfyesin" mbi të ashtuquajturin hidrogjen "blu", që prodhohet nga gazi natyror dhe karboni. Sipas qeverisë albertane, tregu global i hidrogjenit pritet të arrijë në 2.5 trilionë dollarë deri në vitin 2050. Jason Kenney theksoi gjithashtu se “Alberta ka burimet natyrore, teknologjinë dhe ekspertizën për t'u bërë një eksportues kryesor i hidrogjenit të pastër për tregjet në mbarë botën”. Në dokumentin e lartpërmendur, qeveria propozon veçanërisht të lehtësojë aksesin në kapitale për projektet e prodhimit të hidrogjenit dhe të mbështesë partneritetet publike-private në këtë sektor. Dokumenti thekson, ndër të tjera, rëndësinë e minimizimit të rreziqeve për investitorët duke vendosur politika afatgjata. Kryeministri Kenney nuk përmendi ndonjë investim të ri në këtë fushë, por rikujtoi disa njoftime të fundit, si krijimi i një qendre kërkimore hidrogjeni, nisjen e programit nxitës të industrisë petrokimike dhe ngritjen e uzinës së hidrogjenit në Edmonton, projekt që kushton rreth 1,4 miliard dollarë.

 

Saskatchewan, raportohen 6500 vende pune më pak gjatë Tetorit

Provinca Saskatchewan ka humbur 6,500 vende pune midis Shtatorit dhe Tetorit, njoftojnë të dhënat nga Anketa mbi Tregun Aktiv të Punës e Statistics Canada, edhe pse ka patur një rritje të vendeve të punës në dy muajt e mëparshëm. Sipas shifrave të përllogaritura në raportin e publikuar të Premten (05.11.2021), shkalla e papunësisë në Saskatchewan nga 6.3% në Shtator ra në 6.2% në Tetor, që duhet theksuar është një nga më të ulëtat në vend dhe është nën mesataren kombëtare prej 6.7%. Statistics Canada ia atribuon këtë ndryshim të vogël në shkallën e papunësisë numrit më të madh të njerëzve që u larguan nga tregu i punës në të njëjtën kohë me humbjen e vendeve të punës. Në të gjithë vendin, ky institucion raporton se sektori i burimeve natyrore pësoi një goditje të rëndë gjatë Tetorit, për shkak të humbjeve të vendeve të punës në Alberta, British Columbia dhe Saskatchewan. Ky sektor tani ka të punësuar 30,000 punonjës më pak se para pandemisë. Në Saskatchewan, sektorët e bujqësisë dhe prodhimit humbën secili nga 2,000 vende pune midis Shtatorit dhe Tetorit.

 

New Brunswick, greva e sektorit publik dhe urdhëri i qeverisë shkaktojnë kaos në sektorin shëndetësor

Sindikata Kanadeze e Punonjësve Publikë deklaroi dje (06.11.2021) se një pjesë e punonjësve të sektorit publik provincial në New Brunswick, të urdhëruar të kthehen në punë nga qeveria, janë pezulluar dhe dërguar në shtëpi nga punëdhënësit e tyre që u kanë deklaruar se shërbimet e tyre nuk janë esenciale. Sipas Norma Robinson, presidente e Seksionit 1252 të sindikatës, e cituar nga Radio-Canada, kjo situate ka krijuar kaos në sektorin e shëndetësisë. Dhjetë seksione lokale të Sindikatës së Funksionit Publik patën shpallur grevë që nga 29 Tetori, por një javë më vonë, qeveria e New Brunswick i urdhëroi me dekret special punonjësit e sektorin të Shëndetit Publik të kthehen në punë, përndryshe ata do përballeshin me gjoba që variojnë nga 480 deri në 20,400 dollarë në ditë. Njoftohet gjithashtu se 9,000 anëtarë të sindikatave nuk e kanë ndërprerë punën që nga fillimi i grevës, sepse ata klasifikohen si punonjës esencialë.

 

Bashkia Toronto dhe sektori shkollor pezullojnë punonjësit e pavaksinuar

Bashkia Toronto ka deklaruar pezullimin e gati 250 punonjësve që nuk kanë respektuar politikën e detyrueshme të vaksinimit. Drejtuesit e shërbimeve bashkiake po diskutojnë individualisht me të gjithë ata që nuk kanë marrë ende një dozë të vaksinës anti COVID-19, ose që nuk kanë deklaruar statusin e tyre të vaksinimit. Deri tani, 248 punonjës janë pezulluar pa pagesë për një periudhë gjashtë javore. Ata rrezikojnë pushimin nga puna, nëse nuk vaksinohen plotësisht deri më 13 Dhjetor. 51 të tjerë janë pezulluar, ndërkohë që Bashkia shqyrton kërkesat e tyre për akomodim për arsye të motivuara. Është njoftuar gjithashtu që 30,200 punonjës të Bashkisë janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19, ose 94% e stafit total. Nga ana e tij, Bordi i Shkollave Publike Anglofone të Torontos (TDSB) ka deklaruar se më shumë se 700 punonjës jane pezulluar sepse nuk kanë zbatuar politikën e vaksinimit kundër COVID-19. Nga stafi i këtij institucioni, 36,000 punonjës janë imunizuar plotësisht, 1,016 janë të pavaksinuar, ndërsa 931 kanë kërkuar akomodim për shkaqe të motivuara.

 

Ministri kanadez i Ambientit Steven Guilbeault paralajmëron investime në parqet kombëtare

Steven Guilbeault

Ministri kanadez i Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike, Steven Guilbeault, komunikoi të Shtunën (06.11.2021) një investim prej 460 milionë dollarësh gjatë 5 viteve të ardhshme, për të mbrojtur dhe zgjeruar 22 rezervat kombëtare të faunës në Kanada. Z. Guilbeault shpjegoi që ky financim do të mundësojë gjithashtu krijimin e 10 parqeve të reja kombëtare, 4 zonave të ruajtjes së ujërave të ëmbla dhe 11 zonave kombëtare të ruajtjes së ujërave të kripura, ndërsa do të punohet gjithashtu për të siguruar përmes blerjeve sipërfaqet e nevojshme për zgjerimin dhe plotësimin e parqeve kombëtare ekzistuese. Aktualisht, Kanadaja ka 47 parqe kombëtare dhe 55 zona kombëtare faunike. Qeveria federale e ka deklaruar qysh më parë objektivin që synon të mbrojë 25% të tokave dhe oqeaneve deri në vitin 2025 si dhe marrjen e masave për të arritur shifrën 30% deri në vitin 2030. Prezent në COP26, Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike që po zhvillohet në Glasgow, Skoci, z. Guilbeault - i cili u emërua Ministër i Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike më pak se tre javë më parë - konfirmoi angazhimet ndërkombëtare të Kanadasë për ndihmën e huaj. Në Samitin e fundit të G7 në Qershor, qeveria federale u zotua të sigurojë 5.3 miliardë dollarë gjatë pesë viteve për të ndihmuar në financimin e aksionit ndërkombëtar kundër ndryshimeve klimatike.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada.ca

Foto: Radio-Canada