Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 14 Nëntor

  • Published in Kanada

(Assiniboine Park Pavilion Gallery Museum - Winnipeg)

 

Rikthehen tragetet turistike në British Columbia

Saskatchewan, qeveria provinciale rrit ndihmën ndaj personave në nevojë

Manitoba përfshihet nga stuhia e parë e dëborës

New Brunswick, veterani 102 vjeçar Alphonse Vautour prezent në ceremoninë e Remembrance Day

Pas humbjes së dytë radhazi në Montréal Denis Coderre largohet nga politika

Përurohet zyrtarisht hapja e Universitetit Frankofon në Ontario

 

Rikthehen tragetet turistike në British Columbia

Që nga 1 Nëntori, anijet turistike mund të lundrojnë përsëri dhe të ankorohen në portet kanadeze, pas kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë. Kësisoj industria e turizmit detar shpreson të funksionojë sërish me kapacitet të plotë në sezonin e ardhshëm. Në portin e Viktorias, British Columbia, porti më i frekuentuar nga anijet turistike në Kanada, ky fakt ka ngjallur entuziazëm. Tashmë Autoriteti Portual është drejt përfundimit të diskutimeve me Transport Canada lidhur me procedurat e kontrollit shëndetësor që do të zbatohen gjatë sezonit të ardhshëm të lundrimit. Ashtu si për avionët dhe trenat, pasagjerët e anijeve turistike do të duhet të kenë marrë dy doza vaksine që të lejohen të udhëtojnë. Kontrollet do të ushtrohen nga vetë kompanitë e lundrimit si dhe nga agjentët federalë. Ekuipazhet dhe personeli gjithashtu do të duhet të vaksinohen, sipas Transport Canada. Në bregun Perëndimor të Kanadasë, anijet turistike mbërrijnë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Azia.

 

Saskatchewan, qeveria provinciale rrit ndihmën ndaj personave në nevojë

Qeveria provinciale në Saskatchewan ka vendosur të shtojë fondet për qytetarët që përfitojnë nga programi Saskatchewan Income Support (SIS), program ky që synon mbështetjen e personave në nevojë. Ministria e Shërbimeve Sociale do të fillojë disbursimin drejtpërdrejt të ndihmës financiare në fushën e strehimit për pagesat e qirave dhe shërbime të tjera publike, proces ky që sipas dikasterit në fjalë do ndihmojë veçanërisht persona në situata komplekse që të mos përfundojnë në rrugë. Ky program ka filluar qysh në vitin 2019 dhe për 2021-2022, provinca do të investojë 113,000 dollarë shtesë.

 

Manitoba përfshihet nga stuhia e parë e dëborës

Stuhia e parë e dëborës për këtë vit në Manitoba filloi të mërkurën e kaluar dhe u ndal të premten (12.11.2021). Ndërkohë Bashkia Winnipeg nisi koordimin e operacionin për pastrimin e rrugëve duke ndaluar parkimin në arteriet prioritare. Edhe jashtë qytetit, shumica e rrugëve u bënë sërish të kalueshme. Gjatë stuhisë së parë të dëborës 17 autostrada u mbyllën përfshirë edhe një segment të autostradës Trans-Kanada mes Liqenit Falcon dhe kufirit me Ontarion. Pavarësisht rrugëve të mbuluara me borë, Korporata e Sigurimeve Publike Manitoba (MPI), e cituar nga Radio-Canada, ka vlerësuar kujdesin e drejtuesve të automjeteve. Sipas të dhënave paraprake, 350 përplasje të vogla automjetesh kanë ndodhur të mërkurën në fillim të reshjeve të dëborës dhe 360 ​​të enjten, ndërkohë që sipas zëdhënësit të MPI, në një ditë tipike me mot të keq dimri, përplasjet në qarkullim mund të shkojnë në më shumë se 1000 në ditë. Vonesa janë raportuar gjithashtu edhe në transportin publik. Dëbora dhe era e fortë kanë dëmtuar edhe infrastrukturën e Hydro-Manitoba duke privuar mijëra banorë nga energjia elektrike, veçanërisht në rajonin Selkirk, Entre-les-Lacs dhe në Lindje. Disa banesa mbetën pa energji për gati 24 orë dhe situata u normalizua midis të premtes dhe të shtunës.

 

New Brunswick, veterani 102 vjeçar Alphonse Vautour prezent në ceremoninë e Remembrance Day

Alphonse Vautour

Ashtu si në gjithë Kanadanë, të enjten 11 nëntor në Shediac, në pjesën Juglindore të New Brunswick, një grup qytetarësh e veteranësh, përfshi ministrin e Çështjeve Ndërqeveritare, Infrastrukturës dhe Komuniteteve Dominic LeBlanc, u mblodhën në qendër të qytetit me rastin e Remembrance Day, që u kushtohet të rënëve në luftë. Alphonse Vautour mezi e ka pritur këtë ngjarje. Veterani 102-vjeçar nuk ka munguar kurrë në ceremoninë e Ditës së Përkujtimit qysh nga kthimi në atdhe. Ai ka marrë pjesë në zbarkimin e forcave aleate në Normandi në Juno Beach gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Është një kënaqësi e madhe të shoh kaq shumë njerëz që vijnë të më takojnë dhe falënderojnë për shërbimin tim ndaj atdheut”, i ka deklaruar ai Radio-Canada. Përveç dekoratave kanadeze, Alphonse Vautour është vlerësuar gjithashtu edhe me medaljen e Legjionit të Nderit të Francës.

 

Pas humbjes së dytë radhazi në Montréal Denis Coderre largohet nga politika

Denis Coderre

Pas një takimi me dyer të mbyllura të zhvilluar të premten (12.11.2021) në ambientet e Maison d’Italie me ekipin e Ensemble Montréal, Denis Coderre, kandidati i cili humbi për herë të dytë radhazi në përballjen me Valérie Plante për kreun e bashkisë, ka deklaruar që do të largohet përfundimisht nga politika, duke refuzuar kësisoj marrjen e drejtimit të opozitës zyrtare në metropolin e provincës. Coderre humbi me një diferencë prej më shumë se 55 mijë vota dhe në deklaratën e tij ka kujtuar se po largohet pas gati 40 vitesh në politikë, duke shprehur njëkohësisht edhe keqardhjen për pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje, ku kësaj radhe nuk u arrit as shifra 35%.

 

Përurohet zyrtarisht hapja e Universitetit Frankofon në Ontario

Një ceremoni zyrtare përurimi në prani të disa figurave politike u zhvillua të premten (12.11.2021) në ambientet e Universitetit Frankofon të Ontarios, ku mori pjesë dhe ministrja e re federale e Gjuhëve Zyrtare, Ginette Petitpas Taylor. “Ky është një moment historik për Frankofoninë”, ka theksuar ajo. “Më në fund ekziston një institucion në zemër të Ontarios nga dhe për frankofonët”. Në një deklaratë për shtyp, Presidenti i Asamblesë Frankofone të Ontarios (AFO), Carol Jolin, nga ana e tij shprehu dëshirën që ky institucion të bëhet qendra e arsimit universitar në gjuhën frënge në Toronton metropolitane. Deri tani 150 studentë kanë nisur aty studimet, të ndarë në katër programe universitare dhe disa mikroprograme.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada