Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 21 Nëntor

  • Published in Kanada

 

(Vancouver)

Ontario, ndahet nga jeta senatorja kanadeze Josée Forest-Niesing

British Columbia, pas përmbytjeve synohet rivendosja e linjës së furnizimeve

Alberta, kryeministri Jason Kenney i gatshëm për votëbesim

Saskatchewan, rifillon në Regina projekti Snow Angels për pastrimin e trotuarëve nga dëbora

Nova Scotia, Santa-Claus një profesion edhe këtë vit në krizë

FC Montreal mund FC Toronto dhe shpallet sërish kampion i Kanadasë në futboll

 

Ontario, ndahet nga jeta senatorja kanadeze Josée Forest-Niesing

Josée Forest-Niesing

Është ndarë nga jeta në moshën 56-vjeçare senatorja e pavarur franko-ontariane Josée Forest-Niesing. Lajmin e ka konfirmuar të shtunën 20.11.2021 përmes një postimi në Twitter kryetari i Senatit Kanadez George Furey. Senatorja ishte shtruar në spitalin Horizon Santé-Nord në tetor, sepse ishte diagnostikuar me COVID-19. Më pas ajo ka dalë nga spitali dhe është kthyer në shtëpi për të vazhduar rikuperimin. Sipas zyrës së senatores, ajo ishte e imunizuar plotësisht por njëherazi vuante nga një sëmundje kronike e mushkërive. Josée Forest-Niesing me profesion avokate, u emërua në Senat nga kryeministri Justin Trudeau në vitin 2018. Profesionin e gjyqtares dhe avokates ajo e pat ushtruar në Sudbury.

 

British Columbia, pas përmbytjeve synohet rivendosja e linjës së furnizimeve

Pas bllokimit të shumë akseve rrugorë që të çojnë në portin më të rëndësishëm të Kanadasë, Vancouver, për shkak të përmbytjeve në British Columbia, qeveria federale dhe qeveria provinciale e John Horgan kanë krijuar një Task-force për rivendosjen e linjës së furnizimeve dhe për të mundësuar rifillimin e transportimit të mallrave. Është ngadalësuar shumë gjithashtu qarkullimi i trenave, të cilët ofrojnë shumicën e transportit të mallrave në British Columbia. Task-force federale-provinciale do të përcaktojë opsionet e transportit emergjent dhe logjistikës për mallrat thelbësore si dhe do të japë udhëzime për rrugët më të përshtatshme për t’u ndjekur. Grupi përbëhet, ndër të tjera, nga disa përfaqësues sektorësh qeveritarë, përfshi atë të industrisë detare, hekurudhore, ajrore dhe transportit të kamionëve të tonazhit të lartë.

 

Alberta, kryeministri Jason Kenney i gatshëm për votëbesim

Jason Kenney

Kryeministri i Alberta-s, Jason Kenney, ka deklaruar të shtunën, 20.11.2021, se do ta "mirëpresë" votëbesimin me të cilin do përballet në pranverën e ardhshme. Deklarata u bë në fjalimin e mbajtur para anëtarëve të Partisë së Bashkuar Konservatore, në mbledhjen e përgjithshme vjetore. Kenney u kërkoi delegatëve që deri në pranverë ta "përqendrojnë vëmendjen tek problemet e qytetarëve", duke vënë njëherazi në dukje përpjekjet e qeverisë që drejton, veçanërisht në drejtim të asaj që quhet beteja e Alberta-s kundër taksës federale të karbonit dhe për rritjen ekonomike të sektorit të naftës.

 

Saskatchewan, rifillon në Regina projekti Snow Angels për pastrimin e trotuarëve nga dëbora

Snow Angels, programi për pastrimin e borës në trotuarët e Regina-s ka rifilluar sezonin e tretë. Projekti është një iniciativë komunitare e mbështetur nga Bashkia që ofron vullnetarë për të pastruar trotuaret nga dëbora në ndihmë të banorëve të lagjes Cathedral Village. Kjo nismë daton në vitin 2019 kur filloi si projekt pilot. Kërkesat për pastrimin e borës vijnë kryesisht nga të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, personat me lëndime të përkohshme ose personat që nuk kanë mundësi të paguajnë dikë për ta patur këtë shërbim. Qytetarët që duan të kontribuojnë vullnetarisht për programin Snow Angels apo ata që kanë nevojë për pastrimin e dëborës, mund të vizitojnë faqen e internetit të lagjes Cathedral Village dhe ta regjistrojnë aty kërkesën e tyre.

 

Nova Scotia, Santa-Claus një profesion edhe këtë vit në krizë

Me vaksinimin kundër COVID-19 dhe heqjen e disa kufizimeve shëndetësore, kanadezët do ta takojnë më shpesh Santa Claus këtë vit, por kjo gjithsesi varet nga vendi ku ata jetojnë. Në disa zona, nuk ka mjaftueshëm persona për të përmbushur të gjitha kërkesat për Santa Claus, pjesërisht sepse disa kufizohen ende të kenë kontakte. Diku tjetër, shumë ankohen sepse situata pandemike vazhdon t’ua kufizojë mundësinë e punësimit. Në Nova Scotia, për shembull, COVID-19 vazhdon ta dëmtojë tregun e Santa Claus edhe pse rreth 80% e banorëve janë plotësisht të imunizuar dhe takimet pa maska ​​ose distancim social lejohen për grupe deri në 25 persona brenda ose 50 persona jashtë. “Kërkesa në fillim të sezonit ishte mjaft e ulët”, i ka deklaruara Radio-Canada Santa Floyd, një nga më të njohurit në provincë, që e ushtron profesionin prej 40 vitesh. Ndërsa ai u është rikthyer vizitave në një treg mallrash sportive në Halifax, kontratat e tij korporative janë ulur 90% për të dytin vit radhazi. Për këtë arsye ai e plotëson orarin e tij të punës me vizita në festa familjare.

 

FC Montreal mund FC Toronto dhe shpallet sërish kampion i Kanadasë në futboll

FC Montreal fitoi Kupën Voyageurs pasi mundi 1-0 FC Toronto në finalen e Kampionatit kanadez të dielën pasdite, 21.11.2021, në stadiumin Saputo. Në debutimin e tij të parë me uniformën e FC Montreal që nga 2 tetori, Romell Quioto shënoi golin e vetëm të lojës në minutën 72. Ky gol kurorëzoi paraqitjen spektakolare të lojtarit me origjinë nga Hondurasi, i cili tentoi gjashtë goditje drejt portës së Quentin Westberg, nga të cilat e katërta përfundoi në rrjetë. Për ekipin e Montrealit, ky është trofeu i 11-të i Kupës Voyageurs, trofe të cilin e pat fituar për herë të fundit duke mundur po FC Toronto në vitin 2019. Në cilësinë e kampionit kanadez, FC Montreal do marrë pjesë në turneun e Champions League të Concacaf në vitin 2022.

©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada