Kanada

Kanada - Gjenerali Wayne Donald Eyre konfirmohet Shef i Shtabit të Mbrojtjes

Kryeministri kanadez Justin Trudeau komunikoi dje, 25.11.2021, emërimin e gjeneralit Wayne Donald Eyre si Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura të Kanadasë. Sipas komunikatës të Zyrës së Kryeministrit, detyrat e tij do të përfshijnë “mbikëqyrjen e operacioneve të Forcave të Armatosura Kanadeze në Kanada dhe në mbarë botën, përfshirë edhe ndihmën emergjente që po ofrohet aktualisht ndaj komuniteteve të prekura nga përmbytjet në British Columbia. Ai gjithashtu do të duhet të vazhdojë punën që synon transformimin e kulturës së Forcave të Armatosura Kanadeze, në mënyrë që të sigurojë zero tolerancë për sjelljet e pahijshme dhe ngacmimet seksuale si dhe të eliminojë një here e përgjithmonë sjelljet e urrejtjes dhe racizmin sistemik në radhët e ushtrisë”.

Gjenerali Eyre deri dje kryente të njëjtin funksion, prej 24 Shkurtit 2021, por mbi një bazë të përkohshme, pas dorëheqjes së admiralit Art McDonald, për shkak të një hetimi mbi sjelljet e tij nga Policia Ushtarake. Kthimi i këtij të fundit në detyrë u refuzua nga qeveria, edhe pse hetimi nuk rezultoi me asnjë akuzë. Ndërkohë, në muajin Gusht, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, pat njoftuar gradimin e Wayne Eyre nga gjeneral-lejtënant në gjeneral dhe ky promovim paralajmëroi synimin e qeverisë Trudeau për t’i besuar atij postin e shefit të shtabit në mënyrë të përhershme.

Gjenerali Wayne Eyre ka ushtruar disa pozicione komanduese në radhët e ushtrisë kanadeze, përfshi atë të Komandantit të Forcave të Armatosura prej 20 Gushtit 2019, si dhe ka kryer disa misione jashtë Kanadasë, veçanërisht në Qipro, Kroaci dhe Bosnje. I dërguar gjithashtu në dy misione në Afganistan, gjenerali shërbeu fillimisht me ekipin operacional të trajnimit dhe ndërlidhjes të Kanadasë në Kandahar, ndërsa më pas si komandant i misionit të trajnimit të NATO-s. Si zëvendëskomandant i Komandës së Kombeve të Bashkuara në Kore, ai është oficeri kanadez i rangut më të lartë i caktuar me shërbim në rajonin Azi-Paqësor. Aktiviteti i tij ka përfshirë gjithashtu një sërë operacionesh të ndihmës në raste fatkeqësish, përfshirë ndërhyrjen ushtarake ndaj zjarreve në Saskatchewan në vitin 2015 si dhe evakuimin e Fort McMurray në 2016.

Gjenerali Eyre ka lindur dhe u rrit në një fermë pranë Wadena, Saskatchewan dhe i kaloi vitet e para të shkollës në Medicine Hat, Alberta. Ai iu bashkua Kadetëve të Ushtrisë në moshën 12-vjeçare. Më pas ai ndoqi studimet në Royal Roads Military College në Victoria, British Columbia si dhe në Kolegjin Mbretëror Ushtarak të Kanadasë, në Kingston, Ontario. Pas diplomimit në vitin 1988, ai iu bashkua Batalionit të 2-të të Këmbësorisë së Lehtë Kanadeze “Princeshë Patricia”.

©Flasshqip.ca

Fotot: Canadian Armed Forces, The Canadian Press/Adrian Wyld