Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 28 Nëntor

 

Justin Trudeau viziton British Columbia pas përmbytjeve

Sërish evakuim i detyruar për shkak të reshjeve në Abbotsford BC

Banff-Alberta, gjithçka gati për pritjen e turistëve të sezonit dimëror

Valérie Plante dhe Justin Trudeau diskutojnë çështjen e sigurisë në rrugët e Montréal

Provincat e Atlantikut i kërkojnë Ottawa 5 miliardë dollarë për energjinë e rinovueshme

 

Justin Trudeau viziton British Columbia pas përmbytjeve

Pas përmbytjeve të mëdha në provincën British Columbia, Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka shkuar këtë javë atje për të parë nga afër situatën dhe diskutuar për masat në koordinim me qeverinë provinciale. Kryeministri i British Columbia John Horgan, nga ana e tij njoftoi të Premten (26.11.2021) nga Victoria, formimin e një komiteti të ministrave federalë dhe provincialë, të cilët do të punojnë së bashku me liderët autoktonë për të përballuar çështjet klimatike në British Columbia. Ky komitet duhet kujdeset dhe sigurojë që qytetarët e provincës, përfshi dhe komunitetet në zonat e largëta dhe autoktone, të marrin mbështetje të menjëhershme dhe burimet e nevojshme. Kjo strukturë do të mbikëqyre edhe procesin e rimëkëmbjes, me synimin që rindërtimi i infratsrukturave t’i rezistojë më mirë në të ardhmen kushteve klimatike dhe të papriturave natyrore. "Ne duhet të ndërtojmë për Kanadanë që do të kemi pas 20 vjetësh", ka deklaruar Justin Trudeau, i cituar nga Radio-Canada. Trudeau gjithashtu e përgëzoi provincën British Columbia, për sistemin e saj efikas të menaxhimit dhe reagimit në rast situatash të jashtëzakonshme.

 

Sërish evakuim i detyruar për shkak të reshjeve në Abbotsford BC

Reshjet e shiut që kanë nisur sërish që nga dje (27.11.2021) në British Columbia, e kanë detyruar Bashkinë e Abbotsford të nxjerrë një tjetër urdhër evakuimi për banorët e zones përreth fshatit Huntingdon. Urdhri i evakuimit u komunikua rreth orës 03:15 të mëngjesit sot (28.11.2021) dhe prek rreth 90 prona. Shirat kanë vazhduar të bien pa pushim gjatë natës dhe sipas Environment Canada nuk pritet lehtësim i reshjeve deri të paktën sot në mbrëmje. Në total, deri nesër (29.11.2021) priten deri në 120 mm shi në zonat më pranë maleve dhe deri në 80 mm në Luginën e lumit Fraser. Paralajmërime për përmbytje të mundshme janë komunikuar sërish për lumenjtë Tulameen, Similkameen, Coldwater dhe Nicola. Ndërkohë, gjithnjë sipas Environment Canada, një sasi tjetër reshjesh mund të prekë rajonin qysh të martën dhe sipas kryebashkiakut të Abbotsford, Henry Braun, arritja e shifrës 220 milimetra që parashikohet në ditët në vijim, është diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

 

Banff-Alberta, gjithçka gati për pritjen e turistëve të sezonit dimëror

Spektakle, treg Krishtlindjesh, festivale në natyrë, Banff, qyteti i famshëm turistik në Alberta, tashmë po vibron nën ritmin e festave dhe dimrit, maleve të mbuluar me borë dhe zbukurimeve të Krishtlindjes, të instaluar në të gjithë territorin e tij. Për të siguruar një sezon të suksesshëm turistik dimëror, Banff and Lake Louise Tourism (BLLT) do të fokusohet kryesisht te natyra dhe aktivitetet në natyrë. "Njerëzit duan të jenë në kontakt me të tjerët, të luajnë jashtë dhe të bëjnë gjithçka në një mjedis të sigurt", i ka pohuar Radio-Canada, Angela Anderson, drejtoreshë e komunikimit për BLLT. Në rrugën kryesore të Banff-it, e cila iu nënshtrua një transformimi këtë verë tashmë janë vendosur një treg në natyrë dhe disa oxhaqe për të krijuar një atmosferë sa më festive. Vizitorët mund të rezervojnë gjithashtu bileta falas për një shëtitje në një itinerar (ku rruga është krej e ndriçuar) të titulluar “Në kërkim të shpirtit të Krishtlindjes”. Ideja e shtegut të ndriçuar është që t’u ofrojë turistëve një përvojë të pazakontë në natyrë dhe ta bëjë pamjen e maleve akoma edhe më magjike.

 

Valérie Plante dhe Justin Trudeau diskutojnë çështjen e sigurisë në rrugët e Montréal

Kryeministri Justin Trudeau është takuar me kryetaren e Bashkisë Montréal, Valérie Plante, të Premten (26.11.2021) në mëngjes, për të diskutuar rreth çështjeve kryesore me të cilat përballet metropoli, në fushën e strehimit, transportit publik dhe veçanërisht në luftën kundër përdorimit të armëve të zjarrit nga bandat e rrugës. Sipas Valérie Plante, e cila komunikoi me mediat në përfundim të takimit, Kryeministri Trudeau është treguar i hapur të kontribuojë më shumë në këtë drejtim por pa dhenë specifikime konkrete. E pyetur për forcimin e kontrolleve kundër armëve të zjarrit në kufi, të cilin administrata e saj e kërkon me forcë prej disa javësh, sëbashku me qeverinë provinciale, Valérie Plante u ka pohuar gazetarëve vetëm faktin që kjo temë është diskutuar gjithashtu në bisedën me Justin Trudeau. Kujtojmë që e vetmja gjë konkrete e përmendur në këtë drejtim ditët e fundit është që qeveria federale ka parashikuar një fond prej 1 miliard dollarë për forcimin e kontrollit ndaj armëve të zjarrit. Mbetet për t'u parë nëse qeveria liberale do të tentojë apo jo të hapë lojën delikate të kontrollit të armëve, pas dështimit të regjistrit kanadez të armëve të supit, që u shfuqizua në vitin 2012 nga konservatorët e Stephen Harper, të cilët e shndërruan atë temë në një nga kuajt e betejës elektorale.

 

Provincat e Atlantikut i kërkojnë Ottawa 5 miliardë dollarë për energjinë e rinovueshme

Këshilli i Kryeministrave të katë provincave të Atlantikut (New Brunswick, Nova Scotia, Prince Edward Island dhe Newfoundland & Labrador) i ka bërë thirrje qeverisë federale të investojë të paktën 5 miliardë dollarë për të ndihmuar rajonin të përfundojë Projektin Atlantik Loop dhe gradualisht të ndalojë prodhimin e energjisë me qymyr. Kjo kërkesë është shprehur në një letër drejtuar kryeministrit Justin Trudeau dhe letra, e cila mban kokën e Këshillit të Kryeministrave të Atlantikut, është nënshkruar nga Kryeministri i New Brunswick, Blaine Higgs dhe nga CEO i NB Power, Keith Cronkhite, ndërsa kryeministrat e tre provincave të tjera të Atlantikut dhe drejtuesit e kompanive të tyre përkatëse të energjisë janë në Cc. Nënshkruesit e letrës theksojnë se të katër provincat janë të vendosura të mbështesin Projektit Atlantik Loop, rritjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe eliminimin e përdorimit të qymyrit deri në vitin 2030. Këshilli i Kryeministrave, i cili bazohet në një studim të qeverisë federale, deklaron në letrën e tij se banorët e New Brunswick dhe Nova Scotia do të trashëgojnë 75% të kostove të eliminimit të përdorimit të qymyrit si burim i energjisë elektrike në Kanada. Kjo është arsyeja pse këto dy provinca vlerësojnë se kanë nevojë për të paktën 5 miliardë dollarë ndihmë federale. Ky financim, shpjegon Këshilli i Kryeministrave, do të mbështeste përmirësimin e infrastrukturës së ndërlidhjes midis rrjeteve të energjisë elektrike të New Brunswick, Quebéc, Prince Edward Island dhe Nova Scotia. Një infrastrukturë më e mirë e ndërlidhjes do të mbështeste nga ana tjetër prodhimin dhe furnizimin e energjisë së rinovueshme në Kanadanë Atlantike. Nënshkruesit e letrës shtojnë se ndihma financiare nga qeveria federale është gjithashtu e nevojshme për të kryer projekte të reja me teknologji që bazohet mbi energjinë e pastër, siç janë reaktorët e vegjël modularë. Këshilli i Kryeministrave vlerëson se kalimi në energjinë e rinovueshme do të krijojë dhjetëra mijëra vende pune në Kanadanë Atlantike dhe se mbështetja financiare nga Ottawa është thelbësore për të realizuar të gjitha këto projekte.

©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/The Canadian Press