Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 5 Dhjetor

British Columbia, një traget i ri me dizajn sipas traditës autoktone

Projekt federal për mbrojtjen e ekosistemit ujor në Alberta dhe BC

Saskatchewan, ulet shifra e papunësisë gjatë Nëntorit

Manitoba anulon kirurgjitë kardiake të vlerësuara si jo urgjente

Québec, manifestim kundër brutalitetit policor

Prince Edward Island, rritet kërkesa ndaj Food Bank në Charlottetown

Ontario, LCBO u bën thirrje klientëve t’i kryejnë sa më shpejt blerjet e alkoolit për festat

 

British Columbia, një traget i ri me dizajn sipas traditës autoktone

Maynard Johnny Jr.

Kompania e trageteve British Columbia Ferries në bashkëpunim me artistin me origjinë autoktone Maynard Johnny, kanë prezantuar maketin e veprës së artit që do të dekorojë anijen e re Salish Heron. Dizajni i krijuar nga Maynard Johnny Jr. paraqet shpendë shumëngjyrësh në dy anët anijes. Duke u mbështetur në traditën autoktone, artisti me imagjinatën e tij ka shkuar përtej vetëm dy ngjyrave kuq e zi tradicionale, duke shtuar dhe ngjyra të tjera. “Para ardhjes së evropianëve, ne përdornim vetëm ngjyrën e kuqe dhe të zezë, ndërsa teknologjia sot na mundëson të përdorim të gjitha ngjyrat”, ka pohuar për Radio-Canada Johnny. Dizajnimi sipas traditës autoktone i flotës së trageteve të BC Ferries është rezultat i një partneriteti midis kompanisë dhe Këshillit Kulturor të Komuniteteve Autoktonë të provincës.

 

Projekt federal për mbrojtjen e ekosistemit ujor në Alberta dhe BC

Liqeni Maligne, Alberta

Qeveria federale do investojë 14.7 milionë dollarë për ruajtjen e ekosistemit ujor dhe parandalimin e përhapjes së disa specieve të dëmshme në parqet kombëtare në Alberta dhe British Columbia. I shtrirë në një periudhë 5 vjeçare, projekti do aplikohet në parqet Banff, Jasper, Kootenay, Yoho dhe Waterton Lakes. Njoftimin e ka bërë Steven Guilbeault, Ministri i Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike që është njëherazi përgjegjës edhe për Parks Canada. Disa lloj speciesh ujore shkaktojnë dëme të pakthyeshme kur prekin specie të tjera vulnerabël duke u përhapur në rrjedhën e poshtme përmes sistemeve të lumenjve. Këtu përfshihen midhjet që shterojnë lëndët ushqyese apo edhe një parazit që shkakton deformimin e skeleteve të disa peshqve si p.sh. troftës. Sipas Parks Canada, shpesh speciet e dëmshme barten nga njerëzit, veçanërisht të pasionuarit e sporteve ujore. Prandaj, është i rëndësishëm ndërgjegjësimi i pronarëve të varkave rekreative që t’i pastrojnë dhe thajnë varkat apo objektet e tjera lundruese, përpara se t'i vendosin përsëri në ujë. Me fjalë të tjera, atyre u duhet pastruar balta, rëra dhe mbeturinat organike.

 

Saskatchewan, ulet shifra e papunësisë gjatë Nëntorit

Statistics Canada njoftoi gjatë kësaj jave se shkalla e papunësisë për muajin Nëntor në provincën Saskatchewan zbriti në shifrat 5.2%, një përqind më pak se muaji Tetor. Shkalla e papunësisë në rang vendi ra në 6%, më pak se 0.7 përqind nga të dhënat e Tetorit. Në total raportohet se janë hapur 10 mijë vende pune, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rreth 75% e këtyre vendeve të punës llogariten me kohë të plotë. Saskatchewan është provinca e tretë me shkallën më të ulët të papunësisë në vend. Gjithsesi, opozita zyrtare në parlamentin provincial ka theksuar që Saskatchewan renditet e fundit për sa i përket rikuperimit të vendeve të punës që nga fillimi i pandemisë, krahasuar me provincat e tjera.

 

Manitoba anulon kirurgjitë kardiake të vlerësuara si jo urgjente

Common Care Manitoba ka anuluar përkohësisht operacionet kardiake të planifikuara gjatë kësaj jave që sapo u mbyll. Në një deklaratë të publikuar të Premten (03.12.2021), Common Care deklaroi se masa u mor për të siguruar që njësitë e kujdesit intensiv të kenë kapacitet të mjaftueshëm me afrimin e fundjavës. Që nga 2 Dhjetori, në njësitë e kujdesit intensiv në të gjithë provincën ndodhen të shtruar 98 pacientë. Gjithsesi ndërhyrjet urgjente kardiake nuk u prekën nga ky vendim. Manitoba tashmë ka transferuar shumë pacientë në spitale të ndryshme në të gjithë provincën për të liruar më shumë hapësirë ​​në spitalet e Winnipeg gjatë valës së katërt të COVID-19. Ministrja e Shëndetësisë Audrey Gordon i deklaroi Radio-Canada që provinca do të planifikojë një afat kohor javën e ardhshme për të eliminuar ngarkesën e operacioneve dhe procedurave diagnostikuese, si dhe krijimin e një grupi pune për të shqyrtuar këtë çështje. Sipas organizatës Doctors Manitoba, provinca tashmë ka shtyrë 136,000 operacione dhe procedura diagnostikimi.

 

Québec, manifestim kundër brutalitetit policor

Rreth njëqind demonstrues protestuan dje (E Shtune 04.11.2021) në sheshin para Parlamentit Provincial në Quebéc dhe i kërkuan kryebashkiakut të sapozgjedhur Bruno Marchand që të shqyrtojë atë që ata e konsiderojnë si brutalitet policor dhe, më gjerësisht, profilizimin racor. Protestuesit më pas marshuan nga Parlamenti drejt Bashkisë. Në total, ditët e fundit janë publikuar katër video të katër ndërhyrjeve të veçanta që përfshijnë edhe skuadrën speciale të Shërbimit Policor të Bashkisë Québec. Katër hetime janë konfirmuar tashmë në lidhje me këto ngjarje. Koordinatori i seksionit të Québec i Lidhjes së të Drejtave dhe Lirive Njerëzore, Maxim Fortin, i cituar nga Radio-Canada, përsëriti domosdoshmërinë që shërbimet policore të mbledhin të dhëna sa më të sakta para kryerjes së arrestimeve.

 

Prince Edward Island, rritet kërkesa ndaj Food Bank në Charlottetown

Upper Room Food Bank në Charlottetown të provincës Prince Edward Island ka raportuar se pret t'u vijë në ndihmë më shumë se 2500 familjeve të ishullit, të cilat do të kenë nevojë për produkte ushqimore gjatë sezonit të festave. Sipas menaxherit Mike MacDonald, të cituar nga Radio-Canada, 700 familje iu adresuan shërbimit të Food Bank në Nëntor, fiks 100 më shumë se në të njëjtën kohë në vitin 2020 dhe argumenti i rritjes së numrit të familjeve në nevojë është shtrenjtimi i kostos së jetesës. Madje, kostoja më e lartë e jetesës zvogëlon gjithashtu kapacitetin e njerëzve të tjerë për të dhuruar. Fuqia jonë blerëse nuk është ajo që ishte vitin e kaluar, ka shtuar Mike MacDonald, por ne kemi besim se qytetarët do t'i përgjigjen thirrjes për të mbështetur bashkëqytetarët e tyre në nevojë këtë Krishtlindje.

 

Ontario, LCBO u bën thirrje klientëve t’i kryejnë sa më shpejt blerjet e alkoolit për festat

Bordi i Kontrollit të Pijeve në Ontario u ka bërë thirrje klientëve të tij të blejnë më herët produktet alkoolike që do t’u duhen për festat e fundvitit. Thirrrja është bërë për shkak të problemeve me afatet e furnizimit të porosive. Kompania ka deklaruar se vonesat në transportim, si pasojë e masave kundër COVID-19, por edhe ndryshimet në kërkesën e konsumatorëve, kanë krijuar një mungesë stoku produktesh alkooli. Sipas menaxherit për furnizimet Nick Nanos, problemi ka më shumë gjasa të prekë produktet e importuara. Këtu përfshihen disa lloje shampanjash, si dhe verëra nga Zelanda e Re, Australia dhe Amerika e Jugut. Pritet që problemet e furnizimit të vazhdojnë deri në vitin 2022.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada