Kanada

Pilula anti-COVID e Merck do të prodhohet edhe në Kanada

Kompania farmaceutike Merck njoftoi sot (06.12.2021) se prodhimi i pilulës së saj anti-COVID-19 do të realizohet në tre qendra, njëra prej të cilave do jetë në Kanada. Kompania në fjalë komunikoi përmes një deklarate për mediat se ka nënshkruar një marrëveshje për prodhimin e Molnupiravir me qendrën Thermo Fisher Scientific Facility në Whitby, Ontario. Thermo Fisher Whitby u zgjodh në bazë të kapacitetit, aftësisë dhe shpejtësisë për të prodhuar pilulën.

Pas miratimit nga vendet përkatëse, qendra e prodhimit të Ontarios do të furnizojë Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Evropian, si dhe disa vende në Azi-Pacifik dhe në Amerikën Latine. Sipas presidentit të Merck Canada, Marwan Akar, i cituar nga Radio-Canada, objekti është funksional dhe inventari i gatshëm për të furnizuar shtetet që do paraqesin kërkesë.

Nga ana e tij, Victor Fedeli, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Krijimit të Vendeve të Punës dhe Tregtisë në Ontario, ka bërë të ditur që investimi prej 19 milionë dollarësh në infrastrukturë, ndër të tjera, do të krijojë 50 vende të reja pune të mirëpaguara në zonën e Whitby, bashki periferike e Torontos me rreth 130,000 banorë dhe pjesë e GTA.

Pilula e Merck, Molnupiravir, që është ende në shqyrtim për miratim nga Health Canada, pritet të jetë medikamenti i parë në trajtimin oral të COVID-19 për pacientët që nuk janë shtruar në spital. Sipas Merck, Molnupiravir do të reduktojë përgjysmë rrezikun e shtrimit në spital ose vdekjes së të infektuarve me simptoma të rënda.

Ndërkohë, kujtojmë që në fillim të Dhjetorit, qeveria federale kanadeze nënshkroi një marrëveshje me Merck për të blerë 500,000 doza Molnupiravir, me opsionin për të blerë një gjysmë milioni shtesë, në pritje të miratimit përfundimtar nga Health Canada.

Në Nëntor, Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që miratoi Molnupiravir dhe aty pilula tregëtohet me emrin Lagevrio.

©Flasshqip.ca