Kanada

Québec - Kryeministri Legault paralajmëron taksimin e personave të pavaksinuar

Provinca e Quebéc, territori me kufizimet më të ashpra në gjithë Amerikën e Veriut, do të vendosë së shpejti mbi masën e shumës së "një kontributi shëndetësor", të cilin do detyrohen ta paguajnë të gjithë personat madhorë që nuk kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti COVID-19.

Këtë deklaratë e ka bërë sot (11.01.2022) kryeministri François Legault, gjatë një konference shtypi, pikërisht në ditën që u njoftua edhe dorëheqja e Drejtorit Kombëtar të Shëndetit Publik, Dr. Horacio Arruda, atij që për dy vite administroi situatën pandemike.

Sipas Legault, ideja është t'u thuhet të gjithë atyre që nuk janë vaksinuar, për arsye jo mjekësore, se do t’u duhet të paguajnë një kontribut. “10% e qytetarëve që nuk kanë marrë asnjë dozë vaksine deri më sot, nuk mund të dëmtojnë 90% të atyre që janë vaksinuar. Këta persona janë shkak i rritjes së konsiderueshme të kostos financiare të personelin shëndetësor”, ka pohuar kryeministri, duke theksuar që edhe pse përfaqësojnë 10% të popullsisë, personat e pavaksinuar zënë 50% të shtretërve të terapisë intensive në spitale.

Aktualisht Ministri i Financave Eric Girard po shqyrton propozimin dhe sipas gjasave, shuma jo e vogël (sipas kryeministrit Legault) e taksës “antivaksinë”, mund të paguhet në periudhën e deklarimit të të ardhurave.

©Flasshqip.ca