Freedom Convoy, një katalizator ndryshimesh - Nga Christian Noël
- Published in Kanada
Christian Noël, Radio-Canada
Autokolona e kamionistëve ka gjeneruar disa kthesa në arenën politike kanadeze, por jo domosdoshmërisht ato që priteshin nga protestuesit.
Justin Trudeau po përpiqet të ndryshojë përshtypjen e krijuar se qeveria e tij po tregohet e pafuqishme përballë demonstruesve që kanë paralizuar disa arterie rrugore nevralgjike të vendit. Dalja publike e tij dje (11.02) tentoi të tregonte se ai është një kryeministër në kontroll të situatës dhe që në prapaskenë lëviz levat për të zgjidhur krizën.
Por t'u thuash protestuesve të shkojnë në shtëpi dhe t'i kërcënosh me pasoja të rënda nuk mjafton për t'i bërë ata të binden. Nuk mjafton as thirrja e një takimi të Komitetit të menaxhimit të krizave të kabinetit (pas 14 ditësh krize!) dhe një takim i improvizuar me liderët e partive opozitare për të bindur kanadezët se janë ndërmarrë veprime konkrete.
Në fakt, përshtypja që krijohet është se të zgjedhurit dhe policia janë vazhdimisht një hap prapa në raport me demonstruesit.
Qeveria federale diskrete
Që në fillim të krizës, dukej se Justin Trudeau dhe Doug Ford po luanin lojën e patates së nxehtë me kryebashkiakun e Ottawa, Jim Watson dhe shefin e tij të policisë. Të gjithë shmangnin përfshirjen, nga frika se mos u digjeshin duart.
Fillimisht, të zgjedhurit mund të kenë nënvlerësuar vendosmërinë e demonstruesve, por mbi të gjitha influencën e huaj që qëndron pas kësaj lëvizjeje. Disa organizatorë janë ish-ekspertë ushtarakë në logjistikë, shumica e financimeve të të cilëve po thuhet se vijnë nga jashtë, veçanërisht nga e djathta ekstreme amerikane.
Përpara se demonstrata të kthehej në okupim dhe bllokadë ekonomike, qeveria liberale lau duart prej saj, duke argumentuar se rrugët para parlamentit dhe ato që të çojnë në pikat kufitare të bllokuara janë të bashkive dhe u takon atyre që të veprojnë.
Në një logjikë të pastër juridike, kjo është e vërtetë. Por gabimi ishte harrimi i kuptimit simbolik të protestës: kamionët që kampojnë rrugëve për ditë me radhë me Kullën e Paqes në sfond, tregojnë imazhin e pafuqisë së qeverisë në sytë e kanadezëve dhe komunitetin ndërkombëtar. Kur qeveria federale më në fund u kujtua të lëvizë, u përball me një pengesë tjetër.
Doug Ford
Doug Ford dukej se po qëndronte tërhequr, ndërkohë që situata po përkeqësohej në rrugët e Ottawa. E ftuar në takime trepalëshe me qeverinë federale dhe bashkinë, qeveria e Ontarios e la karrigen e saj bosh gjatë tre takimeve që u organizuan.
Ky qëndrim të bën të mendosh që Doug Ford nuk dëshiron t’i ketë kundërshtarë ata që mbështesin kauzën e protestuesve dhe heqjen e kufizimeve shëndetësore, nga druajtja e humbjes së votave në zgjedhjet e ardhshme provinciale të qershorit.
Megjithatë, pas presionit të industrisë së automjeteve, që pezulloi punën në disa fabrika montimi në Ontario, për mungesë pjesësh nga Shtetet e Bashkuara, ai u detyrua të shpallë dje gjendjen e emergjencës duke paralajmëruar pasoja të rënda për ata që bllokojnë rrugët në mënyrë të paligjshme. Në një realitet të tillë, për një kryeministër që erdhi në pushtet me sloganin “Ontario Open for Business”, situata po bëhej e paqëndrueshme.
Konservatorët Federalë
Partia Konservatore e hoqi qafe Erin O'Toole si lider, pas kritikave (ndër të tjera) për pozicionin e tij të paqartë në raport me autokolonën e kamionistëve.
Megjithatë, më pak se një javë më vonë, drejtuesja e përkohshme e Partisë Konservatore që e zëvendësoi, Candice Bergen, bëri një kthesë 180 gradë pë të njejtën çështje.
Fillimisht, shumë konservatorë e inkurajuan Freedom Convoy. Ish-liderët Erin O'Toole dhe Andrew Scheer, drejtuesja e përkohshme Candice Bergen dhe kandidati për kryetar Pierre Poilievre, të gjithë bënë foto me kamionistët dhe postuan mesazhe mbështetjeje në mediat sociale. Por kur prezantohesh si parti e ligjit, rendit dhe ekonomisë, dhe protestuesit nuk respektojnë asnjë prej tyre, bëhet e vështirë ta mbështesësh një lëvizje të tillë.
Tani konservatorët po bëjnë thirrje për t'i dhënë fund barrikadave, por vazhdojnë të fajësojnë liberalët për situatën që ka degjeneruar tashmë. Grupi parlamentar Konservator duket i goditur nga një amnezi sa e papritur aq edhe selektive. Me përjashtim të të paktën një deputeti.
Pierre Poilievre dhe gara për kreun e partisë
Përpara se të shpallte synimin të bëhej lider i Konservatorëve, Pierre Poilievre ishte frymëzuesi kryesor i mbështetësve të Freedom Convoy: ai postoi video në rrjetet sociale për të treguar mbështetjen e tij dhe për t'i bërë jehonë mesazhit të tij pro lirisë dhe kundër Trudeau.
Ndërkohë, protesta u kthye në një “rrethim” (siç e quajti shefi i policisë Peter Sloly dhe Doug Ford), liderja e përkohshme e Konservatorëve bëri thirrje për heqjen e barrikadave, por vetëm Pierre Poilievre nuk ka ndryshuar qëndrim. Dhe ai po përfiton nga kjo krizë për të kërkuar nënshkrime nga mbështetësit.
Deputeti i Carleton vazhdon të mbështesë pretendimet e atyre që kanë bllokuar rrugët. Sa herë që një provincë shpall lehtësimin e masave sanitare, ai deklaron në rrjetet sociale: “Liria po marshon përpara. Nënshkruani peticionin tim”.
Objektivi kryesor i këtij aktiviteti është mbledhja e emrave dhe kontaktet e personave që janë dashamirës ndaj kauzës së protestuesve, në mënyrë që kjo të shërbejë si bazë të dhënash në garën për kreun e Partisë Konservatore. Çdo nënshkrues është një anëtar potencial që do të votojë për të dhe një donator i mundshëm për të financuar betejën e tij.
Ndërsa deputetë nga të gjitha partitë në Dhomën e Komunave po bëjnë thirrje për t'i dhënë fund barrikadave dhe po shprehin shqetësim për ndikimin e financimit të huaj në këtë lëvizje proteste, Pierre Poilievre e sheh atë si një mundësi për të çuar përpara ambiciet e tij personale.
Kjo është pa dyshim prova më e qartë e ndikimit të Freedom Convoy në politikën kanadeze dhe jo ndryshimet e masave shëndetësore apo rrëzimi i një qeverie të zgjedhur, siç duan protestuesit. Dhe për më tepër, ka një tendencë amerikane që po jep efektet e saj mbi një pjesë të diskursit dhe strategjive politike kanadeze.
Burimi: Radio Canada