Kanada

Qeveria kanadeze shpall gjendjen e jashtëzakonshme ditën e Shën Valentinit

  • Published in Kanada

Pas konsultimeve mbrëme me kabinetin qeveritar, ku nuk kanë munguar rezervat dhe kundërshtimet, kryeministri kanadez Justin Trudeau vendosi sot (14.02.) të aplikojë Ligjin federal të Emergjencave për t'i dhënë fund protestave që bllokuan prej ditësh qendrën e Ottawa dhe transportin në pikat kufitare në të gjithë vendin, edhe pse policia e Windsor arriti të zhbllokojë pikën më nevralgjike, urën Ambassador, duke normalizuar kësisoj qarkullimin e automjeteve në të dy anët e kufirit më SHBA. Vendimi hyn në fuqi menjëherë, ka njoftuar kryeministri në një konferencë për shtyp gjatë pasdites. “Shtrirja e këtyre masave do të jetë e kufizuar në kohë, e kufizuar gjeografikisht, e arsyeshme dhe proporcionale në raport me kërcënimin ndaj sigurisë kombëtare”, tha Trudeau. Ndërkohë, disi e çuditshme ka tingëlluar gjatë prononcimit të tij para mediave deklarata se kredibiliteti i Kanadasë në arenën ndërkombëtare është tronditur.

Ligji i Emergjencave (ose përndryshe i gjendjes së jashtëzakonshme), i cili zëvendësoi Ligjin e dikurshëm të Masave të Luftës në vitin 1988, i lejon qeverisë federale të bëjë gjithçka që e sheh të nevojshme për të zgjidhur një krizë kombëtare. Në tekst specifikohet se një krizë e tillë rezulton nga një kombinim i rrethanave kritike të një natyre urgjente dhe të një natyre të përkohshme që rrezikon seriozisht jetën, shëndetin ose sigurinë e kanadezëve dhe është përtej aftësisë ose kompetencave të ndërhyrjes provinciale.

Ligji gjithashtu parashikon që qeveria federale duhet të konsultohet me provincat përkatëse përpara se të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Deklarimi i gjendjes së emergjencës duhet të shoqërohet me një mocion që i paraqitet në ditët në vijim dy dhomave të Parlamentit Federal, Dhomës së Komunave dhe Senatit. Mocioni duhet të përcaktojë arsyet që justifikojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si dhe të përfshijë një shpjegim të konsultimeve me provincat.

Nëse Dhoma e Komunave dhe Senati do ta miratojnë ushtrimin e gjendjes së jashtëzakonshme, ajo do mbetet në fuqi, për një kohëzgjatje maksimale prej 30 ditësh. Nëse njëra nga dy dhomat e kundërshton shpalljen, gjendja e jashtëzakonshme shfuqizohet menjëherë. Theksojmë se qysh nga miratimi në vitin 1988, kur kryeministër ishte Brian Mulroney, është hera e parë që ky ligj vihet në zbatim.

Ligji për Emergjencat parashikon edhe përdorimin e ushtrisë, por një veprim i tillë nuk është i detyrueshëm. Në vend të kësaj zgjidhjeje, qeveria mund t’i japë të drejtën vetes për të koordinuar të gjitha veprimet e forcave të rendit publik, atyre lokale, provinciale dhe federale (RCMP). Megjithëse Trudeau në daljen e tij në publik të premten e kaluar nuk e përjashtoi mundësinë e përdorimit të ushtrisë, ai e theksoi që ky do të ishtë një opsion krejt ekstrem, sepse sipas tij, qeveria në asnjë rast nuk dëshëron ta vendosë ushtrinë përballë civilëve.

Ndërkohë, sot është bërë e ditur se përveç kryeministrave të Ontarios dhe British Columbia, të cilët kanë përkrahur vendimin e Justin Trudeau, kryeministrat e New Brunswick, Québec, Manitoba, Saskatchewan dhe Alberta, janë shprehur kundër. Pra nga dhjetë gjithsej, pesë janë shprehur hapur kundër.

Duke shprehur keqardhjen për mungesën e konsultimeve në kohën e duhur, këtij fakti i është referuar sot edhe dhe liderja e përkohshme e Konservatorëve, Candice Bergen, e cila ka theksuar që dukshëm nuk ka konsensus mes provincave për të përkrahur vendimin e qeverisë federale. Konservatorët po sot paraqitën një mocion që kërkonte hartimin e një plani për heqjen e kufizimeve sanitare deri më 28 shkurt. Mocioni u rrëzua pasi 185 deputetë (Liberalët dhe NDP) votuan kundër, ndërsa 151 të tjerë votuan pro miratimit, përkatësisht Konservatorët, Blloku i Québec dhe deputeti Liberal Joël Lightbound, që doli hapur para disa ditësh kundër politikës së kufizimeve të kryeministrit Trudeau.

Më herët gjatë ditës, kreu i NDP, Jagmeet Singh, pat konfirmuar se partia e tij do të mbështeste përdorimin e Ligjit të Emergjencës, por ai gjithsesi pat theksuar që përdorimi i këtij ligji dëshmon dështimin e plotë të kryeministrit, të cilit sipas Singh, qysh nga fillimi i krizës i mungoi totalisht lidershipi.

Ashtu siç pritej, organizatoret e lëvizjes protestuese kundër kufizimeve shëndetësore në Ottawa, e kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë Trudeau. Tamara Lich, njëra prej tyre, e ka cilësuar si ekstreme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në kushtet kur protesta po vazhdon të zhvillohet e qetë dhe ka shprehur keqardhjen për refuzimin e dialogut nga ana e qeverisë. “Një qeveri që heq një të drejtë themelore, të drejtën për të protestuar, është një qeveri që shkon drejt tiranisë dhe humbet çdo besueshmëri”, i ka deklaruar ajo Radio-Canada.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada