Kanada

Kanada: Lideri i ri Konservator zgjidhet më 10 shtator, pritet kandidimi i Jean Charest

Sipas njoftimit të sotëm (07.03.) të Komisionit Organizator, pasuesi i Erin O’Toole, kreu i ri i Partisë Konservatore të Kanadasë, do të zgjidhet më 10 shtator. Komisioni publikoi gjithashtu sot rregullat e garës për lidershipin e partisë kryesore opozitare. Kësisoj, aspirantët për kryetar do kenë kohë deri më 19 prill për të paraqitur zyrtarisht kandidaturën. Ata do duhet të depozitojnë gjithashtu 200,000 dollarë, shuma e parashikuar për tarifën e regjistrimit si dhe një shumë të dytë prej 100,000 dollarë, e quajtur “depozita e pajtueshmërisë” që rimbursohet pas zgjedhjeve. Përveç kësaj, komisioni përcaktoi detajet për aplikimet për anëtarësim në parti. 3 qershori shënon përfundimin e periudhës së aplikimit për anëtarësim. Më pas, stafi i partisë do të ketë disa javë kohë për të verifikuar cilët do kenë të drejtë vote dhe në fund të korrikut ose fillim të gushtit anëtarëve do t’u dërgohen fletët e votimit me postë.

Ndërkohë, duke iu referuara dy burimeve, Radio-Canada ka konfirmuar sot në mbrëmje kandidimin për kryetar të Partisë Konservatore të ish-kryeministrit të Québec Jean Charest, i cili pritet ta bëjë shpalljen zyrtare të vendimit të tij të enjten 10 mars. Javën e kaluar, Charest shkoi në Ottawa ku zhvilloi disa takime me deputetë dhe senatorë konservatorë.

Për momentin, Pierre Poilievre është i vetmi kandidat që ka hyrë zyrtarisht në garën për pasardhësin e Erin O'Toole. Ai ishte në Saskatoon për një tubim të premten e kaluar, ku mori mbështetje nga ish-lideri konservator Andrew Scheer.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada/Ivanoh Demers, The Canadian Press/Andrew Vaughan