Kanada

Katar 2022 - Pas 36 vitesh Kanadaja kualifikohet në një finale Botërori në futboll

  • Published in Kanada

Skuadra kanadeze e futbollit për meshkuj realizoi një fitore historike pasditen e sotme (27.03) në Toronto. Duke mposhtur Xhamajkën 4-0 në një ndeshje kualifikuese të CONCACAF, ekipi siguroi biletën për në fazën finale të Kupës së Botës, për herë të parë që nga viti 1986, kur Botërori i futbollit u zhvillua në Meksikë.

Pasi humbën shansin e parë për t'u kualifikuar të enjten e kaluar (24.0), kundër Kosta Rikës, djemtë e trajnerit John Herdman ishin shumë të vendosur t'i jepnin fund sot kësaj maratone të gjatë. Dhe ia arritën plot meritë, në mënyrë të shkëlqyer, para 30,000 tifozëve entuziastë që kishin mbushur shkallët e stadiumit BMO Field të Torontos, edhe pse moti ishte i ftohtë.

Me një rekord 8-1-4 dhe 28 pikë që nga fillimi i fazes finale të eliminatoreve, Kanadaja është e para në renditjen e Konfederatës së Futbollit të Veriut, Amerikës Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF), ndërsa që nga fillimi i procesit të kualifikimit, rekordi i saj është thuajse perfekt 14-1-4.

John Herdman

Përfundimisht, tre vendet e para, Kanadaja, SHBA dhe Meksika, do të përfaqësojnë Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibet në Botërorin që do të zhvillohet sivjet në Katar, në muajt nëntor dhe dhjetor. Skuadra që përfundon në vendin e katërt do të ndeshet me përfaqësuesen e Oqeanisë në një play-off ndërkontinental, që do të jetë shansi i fundit për të siguruar një vend në fazën finale të Kupës së Botës.

Formalisht, Kanadasë i ka mbetur të luajë edhe një ndeshje të mërkurën e ardhshme (30.03) në Panama.

©Flasshqip.ca

Fotot: The Canadian Presse/Nathan Denette