Kanada

Kanada - 19 miliardë dollarë shpenzime për blerjen e 88 avionëve luftarakë F-35

  • Published in Kanada

Qeveria federale kanadeze ka njoftuar dje (29.03) se do të nisë negociatat përfundimtare për blerjen e avionëve luftarakë gjuajtës F-35 nga prodhuesi amerikan Lockheed Martin për të zëvendësuar flotën e saj të vjetëruar ajrore të avionëve F-18. Objektivi i qeverisë është blerja e 88 avionëve të rinj për një shumë maksimale prej 19 miliardë dollarësh. Kanadaja, siç dihet, është pjesë e konsorciumit që financoi konceptimin e këtij modeli avioni luftarak. Nëse negociatat me Lockheed Martin do rezultojnë të pasuksesshme, qeveria rezervon të drejtën të negociojë me prodhuesit suedez Saab, për avionin gjuajtës Gripen, që u rendit i dyti pas F-35 në shqyrtimin e ofertave.

Sipas Ministres së Shërbimeve Publike dhe Furnizimit, Filomena Tassi, që komunikoi lajmin gjatë një konference shtypi, objektivi qeveritar është nënshkrimi i kontratës brenda fundit të vitit me synim furnizimin me kontigjentin e parë në vitin 2025.

Filomena Tassi dhe Anita Anand

Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes Anita Anand, ka pohuar se kjo blerje është negociuar në mënyrë të hapur, transparente dhe rigoroze. Duke iu referuar në të njejtën kohë realitetit të ri global që u krijua pas sulmit ushtarak të Ukrainës nga Rusia, ajo ka nënvizuar gjithashtu domosdoshmërinë që në një kontekst të tillë, Forca Ajrore Mbretërore Kanadeze duhet të pajiset me mjetet adekuate. “Kanadaja ka një nga hapësirat ajrore më të mëdha në botë dhe ne duhet të sigurojmë që flota jonë e ardhshme e avionëve luftarakë të jetë fleksibël, e shpejtë dhe e aftë për t'iu përgjigjur një game të gjerë kërcënimesh potencialë”, u shpreh Anand, duke paraqitur kësisoj justifikimin e këtij investimi të madh ushtarak, më i rëndësishmi për Forcën Ajrore Mbretërore Kanadeze në 30 vitet e fundit.

Disa punime përgatitore për t’iu përshtatur avionëve të rinj do të kryhen gjithashtu në bazat Cold Lake (Alberta) dhe Bagotville (Québec). Këto investime, që parashikojnë gjithashtu trajnimin e pilotëve, personelit si dhe mirëmbajtjen e avionëve, do të krijojnë më shumë se 900 vende të reja pune.

Ka qenë qeveria konservatore e Stephen Harper ajo që pat nisur e para procesin për të zëvendësuar avionët F-18 të ushtrisë kanadeze në vitin 2010. Në atë kohë, synohej të bliheshin 65 gjuajtës nga Lockheed Martin për shumën 9 miliardë dollarë. Por në prill të vitit 2012, në një raport shumë kritik, Auditori i Përgjithshëm i Kanadasë arriti në përfundimin se projekti për blerjen e avionëve luftarakë F-35 kishte probleme. Michael Ferguson, e kritikoi qeverinë Harper dhe ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare për nënvlerësim të kostos së avionëve. Ndërkohë, Justin Trudeau, nga ana e tij, u zgjodh në vitin 2015 duke premtuar se nuk do të blinte F-35 nga prodhuesi amerikan, sepse kostoja konsiderohej shumë e lartë.

Avion gjuajtës F-18 Super Hornent (Boeing)

Në pritje të nisjes së një procesi të ri përzgjedhjeje, Ottawa kishte planifikuar të blinte 18 avionë luftarakë Super Hornet nga Boeing, me prokurim të drejpërdrejtë, por më pas u tërhoq dhe e anuloi porosinë në vitin 2017, kur Boeing paraqiti një ankesë kundër prodhuesit kanadez Bombardier në Departamentin e Tregtisë së SHBA, që vendosi tarifa ndëshkuese 300% për avionët e Serisë C.

Qeveria Trudeau më pas njoftoi blerjen e 18 avionëve luftarakë F-18 të përdorur nga Australia, me një kosto prej 500 milionë dollarësh, për të përmbushur përkohësisht nevojat e Forcave Ajrore Mbretërore Kanadeze, ndërsa në vitin 2019 shpalli tenderin për blerjen e 88 avionëve të rinj. Flota aktuale kanadeze e gjuajtësve F-18 ka mbi 40 vjet shërbim.

*Në foton kryesore lart, një avion gjuajtës i Forcave Ajrore të SHBA Lockheed Martin F-35 Lightning II.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: AP/Senior Airman Joseph Barron, Aijaz Rahi; The Hill Times/Andrew Meade