Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 3 Prill 2022

  • Published in Kanada

-British Columbia, zbulohen gjurmë krokodilësh prehistorikë gjigantë

-Alberta, manifestim kundër një programi të ri shkollor

-New Brunswick dhe Nova Scotia synojnë organizimin e botërorit në Hokej për të rinjtë

-Prince Edward Island, studim mbi arsyet pse largohen imigrantët

-Newfoundland, megaprojekti hidroelektrik Muskrat Falls siguron një hua 1 miliard dollarë

-Ontario, qeveria provinciale do investojë 21 milionë dollarë në rrjetin shëndetësor të Brampton

 

Muskrat Falls - Newfoundland & Labrador

 

British Columbia - Sipas një artikulli të kohëve fundit të botuar në revistën Historical Biology, në pjesën veriore të British Columbia, rreth 97 milionë vjet më parë, në rajonin Peace në veri të Tumbler Ridge, kanë jetuar krokodilë gjigantë. Autorët e hulumtimit janë profesori i gjeologjisë në Universitetin e Western Ontario në London, Guy Plint dhe dy kolëgë të tij Charles Helm dhe Martin Lockley, ekspertë në morfologjinë e krokodilëve dhe strukturën e tyre kockore. Në artikull, autorët raportojnë gjetjen për herë të parë të mbetjeve fosile të krokodilëve gjigantë në këtë zonë të botës. Krokodilë gjigantë janë raportuar disa herë në Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë, por asnjëherë në Kanada.

Alberta - Një numër i konsiderueshëm qytetarësh nga Alberta u mblodhën në disa bashki anembanë provincës dje (03.04) për të kërkuar anulimin e një kurrikule të re për shkollën fillore. Një pjesë e këtij programi të diskutueshëm do të fillojë te jepet që në vjeshtën e ardhshme. Manifestime proteste me sloganin Ditch the Draft u mbajtën në Calgary, Edmonton, Grande Prairie, Lethbridge, Medicine Hat, Red Deer dhe në zonën Vermillion-Lloydminster-Wainwright. Shumë prindër dhe mësues e kanë kritikuar procesin e hartimit dhe përmbajtjen e programit në fjalë, veçanërisht pjesën për studimet sociale, duke e cilësuar atë raciste, eurocentrike, dezinformuese dhe të papërshtatshme për moshën e nxënësve të cilëve duhet t'u mësohet.

 

New Brunswick, Nova Scotia - Ditët e fundit, provincat Nova Scotia dhe New Brunswick kanë paraqitur një ofertë të përbashkët për organizimin e Kampionatin Botëror të Hokejit për të rinjtë. Edicioni i ardhshëm i këtij kompeticioni do të fillojë më 26 dhjetor 2022 dhe do të përfundojë më 5 janar 2023. Nëse oferta pranohet, ndeshjet do të zhvillohen në Halifax të Nova Scotia dhe Moncton të New Brunswick. Kjo do të jetë hera e pare që një botëror i tillë do mbahet në New Brunswick, ndërkohë që në Nova Scotia është zhvilluar kampionati i vitit 2003 dhe ndeshjet u luajtën në Halifax dhe Sydney. Ky kompeticion ishte planifikuar të zhvillohej në Rusi, por sulmi ndaj Ukrainës e detyroi Federatën Ndërkombëtare të Hokejit në Akull të anulojë vendimin e parë. Kjo federate i ka pezulluar gjithashtu Rusinë dhe Bjellorusinë, të cilave u ndalohet deri në një njoftim të dytë të marrin pjesë në garat ndërkombëtare që organizohen për të gjitha grupmoshat.

Prince Eward Island - Një ekip studiuesish nga Universiteti i Prince Edward po merret aktualisht me identifikimin e arsyeve pse një pjesë e madhe e imigrantëve largohen nga provinca. Studimi që po kryhet financohet nga qeveria provinciale. Aktualisht, Prince Edward Island ka shkallën më të ulët të mbajtjes së imigrantëve në vend, sipas Statistics Canada. Vetëm 28% e imigrantëve që mbërrijnë në ishull janë ende aty pas pesë vitesh. Në Ontario apo Alberta shifra shkon në 90%. Studimi, i udhëhequr nga profesoresha Laurie Brinklow, përfshin një anketim dhe intervista me fokus-grupe. Më shumë se 800 persona tashmë i janë përgjigjur pyetësorit. Rezultatet paraprake tregojnë se mungesa e mundësive për punësim dhe arsimim është një nga arsyet që njerëzit largohen nga kjo provincë.

 

 

Newfoundlad & Labrador - Njoftohet se është siguruar financimi bankar për garancinë e tretë të kredisë së Ottawa për të mbështetur megaprojektin hidroelektrik Muskrat Falls në Newfoundland dhe Labrador. Korporata Hidroelektrike e provincës deklaroi të enjten (31.03) se ka marrë nga banka CIBC një hua prej 1 miliard dollarësh të garantuar nga qeveria federale me një normë mesatare efektive interesi prej 3.38%. Garancia e kredisë është pjesë e një pakete prej 5.2 miliardë dollarësh për projektin. Një marrëveshje paraprake midis Ottawa dhe provincës u njoftua për herë të parë korrikun e kaluar. Marrëveshja parashikon pagesa vjetore nga Ottawa ekuivalente me të ardhurat neto që Kanadaja nxjerr nga projekti i naftës Hibernia, në St-John, që të arrijnë në 3.2 miliardë dollarë. Megaprojekti Muskrat Falls që po ndërtohet në pjesën e poshtme të lumit Churchill në Labrador, u miratua për herë të parë në vitin 2012, me një kosto që atëherë vlerësohej në 7.4 miliardë dollarë, por fatura arriti në 13.1 miliardë në shtator 2020 dhe të dhënat e  raporteve paralajmërojnë se mund të duhet ende edhe një vit që projekti të jetë plotësisht funksional.

Ontario - Qeveria e Ontarios njoftoi dje (03.04) një investim prej 21 milionë dollarësh për të përmirësuar rrjetin e sistemit shëndetësor William Osler në Brampton. Ky financim do të përdoret, ndër të tjera, për të zgjeruar Qendrën e Kujdesit Peel Memorial. Sipas qeverisë së Doug Ford, objektivi është që kjo qendër ta kthehet në një spital të ri, me një departament urgjence të hapur 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë. Aktualisht, qyteti i Brampton ka vetëm një spital të kompletuar, Brampton Civic Hospital, pjesë e Osler Health System dhe komuniteti prej më shumë se 600,000 vetësh i qytetit ka kërkuar prej kohësh ndërtimin e një spitali të dytë gjithëpërfshirës.

 

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada