Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 10 Prill 2022

British Columbia, 55 milionë dollarë nga buxheti federal për mbrojtjen e pyjeve

Alberta, kryeministri Jason Kenney u bën thirrje Konservatorëve të ruajnë unitetin

Nova Scotia, Halifax një ndër qytetet më numrin më të vogël të banesave të paokupuara

Montréal, biznesmeni Mark Pathy mbërrin në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor

Ottawa, sindikata e punonjësve të Bashkisë kërkon shtyrjen e rifillimit të punës nëpër zyra

Toronto, më shumë se 200 të pastrehë humbën jetën vitin e kaluar në metropol

Montréal

 

British Columbia - Në buxhetin e paraqitur të enjten e kaluar (07.04) në Dhomën e Komunave, qeveria federale e kryeministrit Trudeau premtoi akordimin e një shume prej 55.1 milionë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme, për të mbrojtur pyjet e vjetra në provincën e British Columbia. Ministria për Mjedisin, Ndryshimet Klimatike dhe Burimet Natyrore do ketë përgjegjësinë e përdorimit në terren të këtyre shpenzimeve në bashkëpunim me qeverinë provinciale, komunitetet autoktone, autoritetet lokale si dhe organizatat joqeveritare. Bashkë me njoftimin e këtij fondi, qeveria federale ka theksuar që akordimi i tij do kushtëzohet me detyrimin që qeveria e British Columbia të investojë një shumë ekuivalente.

Alberta - Kryeministri i provincës Alberta, Jason Kenney, u bëri dje thirrje për unitet (09.04) anëtarëve të Partisë së Bashkuar Konservatore, për të mos shkaktuar kësisoj dorëzimin e pushtetit te Neodemokratët në zgjedhjet e ardhshme. Gjatë një fjalimi të mbajtur në Red Deer, Kenney u kujtoi konservatorëve se ai kurrë nuk ka humbur në një betejë elektorale. Ai theksoi gjithashtu se arsyeja pse u largua nga politika federale për t'u kthyer në Alberta ishte për të bashkuar forcat konservatore dhe për të mposhtur pikërisht Neodemokratët në vitin 2019. Fjalimi përkoi me nisjen e procesit të votës së besimit për kreun e patisë, që filloi dje. Votimi do bëhet përmes postës. Fletët e votimit janë nisur me postë në adresë të rreth 15,000 anëtarëve të regjistruar dhe do duhet t'i kthehen partisë deri më 11 maj. Rezultati i votimit do të shpallet më 18 maj. Nëse Jason Kenney nuk merr shumicën, do të nisë menjëhërë gara për zgjedhjen e një drejtuesi të ri.

Jason Kenney

 

Nova Scotia - Vazhdon ende kriza e strehimit në Nova Scotia. Kryeqyteti i provincës, Halifax, ka një nga normat më të ulëta të banesave të paokupuara në Kanada, 1%, nivel ky i njejtë me vitin 2019. Në vitin 2020, kjo shifër ishte 1.9%, ndërkohë që popullsia e provincës po rritet me një ritëm të paparë krahasuar me dekadat e fundit dhe ndërtimi i banesave të reja është larg ritmit të rritjes së numrit të banorëve. Sipas të dhënave të para nga regjistrimi i vitit 2021, popullsia e Halifax është rritur me 9.1% në 5 vitet e fundit. Qyteti ka rreth 440,000 banorë, ndërsa qendra e tij urbane ka 1463 banorë për km2. Canada Mortgage and Housing Corporation pohon gjithashtu se migrimi ndërprovincial, domethënë numri i njerëzve që vijnë nga provincat e tjera për t'u vendosur në Nova Scotia, është në nivelin më të lartë në më shumë se 30 vjet. Gjysma e këtyre banorëve të rinj janë nga 20 deri në 49 vjeç. Në Halifax, çmimi mesatar i qirasë për një apartament me dy dhoma gjumi është 1,335 dollarë, rritje kjo me 4.8%, krahasuar me një vit më parë.

Montréal - Raketa SpaceX që po realizon misionin e parë privat pranë Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, ka mbërritur atje dje (09.04) me tre biznesmenë në bord, ndër të cilët dhe Mark Pathy nga Montréal. Ata u pritën nga anëtarët e ekuipazhit të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor dhe do të marrin pjesë në një eksperiment disaditor. Biznesmeni, Mark Pathy, i cituar nga Radio-Canada, e ka përshkruar aventurën si të pabesueshme. Pjesëmarrësit në udhëtim kanë paguar dhjetëra miliona dollarë secili për eksperimentin. Larry Connor është kreu i një kompanie të pasurive të paluajtshme, Mark Pathy është shefi i një kompanie investimesh dhe ish-piloti Eytan Stibbe është bashkëthemelues i një fondi investimi. Amerikano-spanjolli Michael Lopez-Alegria, një ish-astronaut që punonte për Axiom Space është organizatori i këtij udhëtimi, i pari në llojin e vet. Katër pjesëmarrësit do të qëndrojnë gjithsej një javë në Stacionin Hapësinor dhe do t’u nënshtrohen 25 eksperimenteve që lidhen me plakjen, shëndetin e zemrës dhe qelizat staminale. Fluturimi është vlerësuar nga drejtuesit e industrisë dhe NASA si një moment historik në komercializimin e fluturimeve hapësinore.

Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor

 

Ottawa - Sindikata e Punonjësve të Bashkisë Ottawa i ka bërë thirrje kryetarit Jim Watson dhe Këshillit Bashkiak që të shtyjnë kthimin në zyrë të punonjësve që punojnë nga shtëpia për shkak të rritjes së rasteve të COVID-19 në kryeqytetin federal. Në një letër drejtuar kryebashkiakut Watson, Instituti Profesional për Personelin Bashkiak shkruan se është "shumë i shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e anëtarëve të tij dhe komunitetit më të gjerë të cilit ata i shërbejnë". Instituti ka theksuar se niveli i COVID-19 në ujërat e zeza në Ottawa është në pikën më të lartë që nga fillimi i pandemisë dhe vazhdon të rritet. Në këtë kuadër, sindikata i ka kërkuar gjithashtu bashkisë të shtyjë kthimin në punë nëpër zyra dhe rivendosjen e detyrimit për mbajtjen e maskës dhe distancimin fizik. Po kështu marrjen e masave për kontrollin dhe përmirësimin e ventilimit dhe filtrimit të ajrit në të gjithë vendet e punës.

Toronto - Sipas të dhenave të fundit nga Toronto Public Health, të publikuara të premten (08.04) gjatë vitit 2021 në Toronto kanë humbur jetën gjithsej 216 persona të pastrehë, mesatarisht 4 çdo javë. Numri i vdekjeve të të pastrehëve në vitin 2021 është rritur me shifrën 72, krahasuar me vitin 2020 kur vdiqën 144 persona të tillë, ndërsa referuar vitit 2017 (101), i pari vit prej kur Bashkia mban statisitika, numri rezulton i dyfishuar. Gjatë 2021, 55% e vdekjeve janë shkaktuar prej mbidozave të përdorimit të drogës. Nga ana e tij, Toronto Public Halth ka pohuar në Twitter se këto statistika përforcojnë faktin që kriza e mbidozës vazhdon të jetë një çështje urgjente kombëtare e shëndetit publik. Ndërkohë, shkaqe të tjera të vdekjeve të të pastrehëve janë sëmundjet e zemrës, aksidentet, ndërlikimet e diabetit, hipotermia, sëmundjet e mëlçisë dhe mushkërive, vetëvrasja dhe kanceri. 132 nga 216 personat që vdiqën gjatë vitit të kaluar kane qenë klientë të strehimoreve për të pastrehët në Toronto.

 

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Në foton kryesore lart Gananoque Ontario (1000 Islands)

Fotot: Radio-Canada, The Canadian Press, Getty Images/NASA, Powerboating Canada