Kanada

Kanada - Cilët qytete do vizitojë Papa Françesku në korrik 2022?

  • Published in Kanada

Në bashkëpunim me Qeverinë Kanadeze dhe Kishën Katolike Kanadeze, që do jenë dhe financueset e udhëtimit, Vatikani po përgatit vizitën e Papa Françeskut në Kanada që sipas parashikimeve do të zhvillohet gjatë fundit të muajit korrik këtë vit. Kjo vizitë pason takimet e para pak ditëve që kreu i Kishës Katolike pati në Romë me përfaqësues të popujve autoktonë të Kanadasë. Siç dihet, në takimin e fundit të mbajtur në 1 prill, Papa u kërkoi zyrtarisht falje autoktonëve kanadezë për keqtrajtimet që ata përjetuan në vite nga përfaqësues të Kishës Katolike që administronin shkollat famëkeqe rezidenciale.

Tre liderët autoktonë duke dalë nga Vatikani pas takimit me Papën më 1 prill 2022: nga e majta në të djathtë Gerald Antoine (First Nations), Natan Obed (Inuit) dhe Cassidy Caron (Metis).

Sipas burimeve konfidenciale, të cilave u është referuar Radio-Canada, për momentin tre janë qytetet që do të vizitohen nga bariu shpirtëror i katolikëve në gjithë Botën: Québec, Edmonton në Alberta dhe Iqaluit, kryeqendra e territorit Nunavut. Nuk përjashtohet megjithatë mundësia që kjo listë të ndryshojë.

Në takimin e 1 prillit të kaluar Papa pat shprehur dëshirën që të asistojë në pelegrinazhin e metisëve që zhvillohet çdo vit në Lac-Saint-Anne, pranë Edmonton, nga 25 deri më 28 korrik. Ky territor pelegrinazhi është shpallur dhe vend historik i Kanadasë. Po kështu, kreu i Vatikanit u ftua të vizitojë zyrtarisht Iqaluit në Nunavut nga lideri i autoktonëve të këtij territori, Natan Obed (president i Inuit Tapiriit Kanatami)

Në një deklaratë për CBC News, Konferenca Kanadeze e Peshkopëve Katolikë ka shprehur mirënjohjen ndaj Papa Françeskut që pranoi ftesën për të vizituar Kanadanë dhe kryer një pelegrinazh shërimi dhe pajtimi si dhe ka pohuar se po konsultohet me organizatat kombëtare autoktone për datat dhe vendet që do vizitohen dhe që ende nuk janë përcaktuar përfundimisht, sepse fjalën e fundit do ta ketë Vatikani.

Fotot: The Associated Press/Joe Giddens; Radio-Canada/Marie-Laure Josselin