Kanada

Doping: Kanadaja do marrë medaljen e argjendtë 4x100m meshkuj nga Olimpiada e Tokios

  • Published in Kanada

Përfundimisht vendi i dytë në renditjen finale të stafetës 4x100 metra për meshkuj të Lojërave Olimpike të Tokios do t'i takojë ekipi kanadez. Njoftohet se Komiteti Olimpik Britanik ka marrë një kërkesë zyrtare për t'ia kthyer medaljet e argjendta Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Kërkesa u dërgua pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ndëshkoi sprinterin britanik Chijindu Ujah në shkurt të këtij viti.

Ujah ishte pjesë e katërshes së stafetës britanike së bashku me Zharnel Hughes, Richard Kilty dhe Nethaneel Mitchell-Blake që u rendit e dyta pas Italisë, gushtin e kaluar. Në kampionin e testit të ofruar nga Ujah pas garës, u zbuluan gjurmë të dy substancave të ndaluara, ostarine dhe S-23, modulatorë selektivë të receptorit androgjen për forcimin e muskujve.

“Me pikëllim të madh na u desh t’u kërkojmë kthimin e medaljeve, çertifikatave dhe stemave, tre sportistëve që nuk kanë për çfarë të qortojnë veten, megjithatë, është një vendim të cilit duhet t'i përmbahemi”, ka deklaruar Presidenti dhe shefi ekzekutiv i Komitetit Olimpik Britanik, Andy Anson, në një deklaratë për mediat.

Kësisoj, Kanadaja, që u rendit e treta, do marrë medaljen e argjendtë, ndërkohë që medalja e bronztë do t’i takojë Kinës. Ekipi kanadez i stafetës 4x100 për meshkuj në Lojerat Olimpike të Tokios përbëhej nga Andre De Grasse, Aaron Brown, Jerome Blake dhe Brendon Rodney.

Dylan Armstrong

Megjithatë, katër atletëve do t’u duhet të bëjnë pak durim deri sa t’i marrin në duar medaljet e argjendta. Dikur, kanadezi Dylan Armstrong përfundoi i katërti në garën finale të hedhjes së gjyles në Lojërat e Pekinit të vitit 2008 dhe nuk mundi kurrë të ngjitej në podiumin olimpik. Kaluan disa vite dhe ai u njoftua se kishte fituar medaljen e bronztë, pasi atleti bjellorus Andrei Mikhnevich dështoi në një test dopingu. Armstrong më në fund e mori medaljen e tij (e para e Kanadasë në disiplinën përkatëse në lojëra olimpike) në një ceremoni në shtëpinë e tij në Kamloops, British Columbia, në vitin 2015, shtatë vjet pas garës.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Getty Images/Pool; The Canadian Press/Jeff Bassett